Matura, fituesit pas 10 shtatorit
Fituesit e shkollave të larta do të shpallen pas datës 10 shtator. Burime të sigurta nga Ministria e Arsimit pohojnë për gazetën se gjatë gjithë muajit gusht, specialistët e Agjencisë së Pranimit në Shkollat e Larta do të llogarisin pikët e maturantëve. Leximi i Formularit A2, me anë të të cilit ata kanë bërë përzgjedhjen e 10 preferencave ku konkurrojnë. "Duhen minimalisht 3 javë që nga përfundimi i grumbullimit të formularëve për të bërë llogaritjen e pikëve, e më pas për të shpallur fituesit. Nëse kanë pikët e nevojshme ata do të mund të nisin studimet vetëm në një nga 10 degët ku kandidojnë", -shprehen specialistët e Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre, grumbullumi i formularëve do të bëhet nga shkollat në drejtoritë e rretheve përkatëse dhe më pas do të çohen në Aprial, ku do të bëhet mbledhja e pikëve. Për herë të parë këtë vit nuk do të ketë më 4 faza pranimesh në shkollat e larta. Pas shpalljes së fituesve, edhe nëse mbeten vende të lira, nuk do të ketë më plotësim të Formularëve A3 dhe A4. MASH ka vendosur ta heqë përfundimisht ketë procedurë, pasi zgjaste tej mase pranimet në universitete. Pas shpalljes së fituesve vendet bosh do të zihen sipas rendit zbritës së listës së fituesve. Sërish do të kemi dy faza regjistrimesh. Bëhet fjalë për regjistrimin paraprak dhe atë përfundimtar. Aprial do të bëjë përcaktimin e fituesve sipas parimit meritë - preferencë, cka do të thotë se parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme dhe të provimeve të Maturës Shtetërore. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre. Listat paraprake të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike do t'u dorëzohen institucioneve publike të arsimit të lartë, sipas programeve përkatëse të studimit. Më pas, do të bëhet afishimi i listave pranë fakulteteve. Pranimet në shkollat e larta do të bëhen sipas kuotave të përcaktuara pak kohë më parë me vendim qeverie. Në të, nga 11 programet e studimit në gjithë universitetet e vendit do të pranohen 23.534 studentë të rinj. Numrin më të lartë të pranimeve për këtë vit e ka Universiteti i Tiranës. Ai ngelet më i preferuari prej maturantëtve. Por numër të më të lartë se vitin e kaluar do të ketë edhe Universiteti Politeknik dhe Universiteti Bujqësor. Rritje të kuotave të pranimeve janë aprovuar edhe për universitetet e rretheve. Shpallja e kuotave të pranimit për çdo degë në universitet, u jep mundësi maturantëve të bëjnë vetë llogaritë për shanset që do të kenë për t'u bërë pjesë e shkollave të larta. Maturantët do të kenë kohë t'i bëjnë vetë llogaritë, para se të shpallet lista zyrtare e studentëve fitues në çdo universitet.