Greqi, ushtria në punë për të furnizuar vendin me naftë
Greva e shoferëve të kamionëve ka lënë karburantet e Greqisë pa furnizim dhe kjo ka prekur qytetarët dhe turistët në vendin fqinj. Kështu qeveria ka dhënë urdhër të përdoren kamionët ushtarakë dhe cisternat për të kryer këtë funksion, gjithmonë të shoqëruar nga policia. Karburanti i transportuar nga ushtria është dërguar në aeroporte, spitale, centrale elektrike, ndërsa cisternat e shoqëruara nga policia janë dërguar te pompat e benzinës. Qeveria e Greqisë vendosi mbrëmjen e së premtes që të angazhohen kamionët ushtarakë dhe anijet për furnizim me naftë. Pronarët e kamionëve nuk e kanë përfillur urdhrin e Qeverisë për obligim të punës. Mosrespektimi i këtij urdhri mund të bartë përgjegjësi penale dhe humbje të lejes së punës.
Hugo çavez dërgon trupat në kufi me Kolumbinë
Presidenti i Venezuelës, Hugo çavez ka urdhëruar dërgimin e trupave tokësore dhe ajrore në kufi me Kolumbinë, pas rritjes së tensionit mes dy vendeve për shkak të deklaratave nga Bogota, se Venezuela mbështet rebelët e këtij vendi. Presidenti i Kolumbisë, tashmë në largim, Alvaro Uribe tha se ndoshta mund të planifikojë sulm kundër Venezuelës. çavez, i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Kolumbinë, që është aleat i Shteteve të Bashkuara, më 22 të këtij muaji, pasi Qeveria e Alvaro Uribes, ka paraqitur fotografi, video incizime dhe harta, duke thënë se në Venezuelë gjendeshin kampet e kryengritësve të Kolumbisë. çavez i ka hedhur poshtë deklaratat.
Pakistan, rrëshqitjet e dheut dhe ujërat vrasin mbi 800 vetë
Zyrtarët pakistanezë e kanë llogaritur në afro 800 vetë numrin e viktimave nga vërshimet e ujërave dhe rrëshqitjet e dheut, që e kanë përfshirë veriun e këtij vendi. Një zyrtar lokal në provincën Khyber Pakhtunkhwa, tha për reporterët në Peshavar, se vetëm në këtë rajon 150 vetë konsiderohen të zhdukur. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se afro një milionë njerëz janë prekur nga vërshimet në pjesën veriore të Pakistanit. Komisioni Evropian ka njoftuar se ka dhënë 30 milionë euro ndihma humanitare për Pakistanin, përfshirë edhe ata që janë goditur nga vërshimet.
Rusi, qindra mijëra zjarrfikës, “betejë” në 14 rajone
Ministria për emergjencat në Rusi ka angazhuar rreth 238 mijë zjarrfikës në “betejën” kundër zjarrit në 14 rajone në pjesën qendrore të Rusisë. Sipas ministrisë, e cila thotë se e ka situatën nën kontroll, në proces janë përfshirë edhe 2 mijë ushtarë dhe 226 avionë. Presidenti Dimitri Medeved e ka vlerësuar këtë situatë si “katastrofë natyrore”. Numri i të vdekurve nga zjarret ka arritur në 31 njerëz. Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin ka thirrur një mbledhje urgjente me guvernatorët e rajoneve, të cilat janë goditur nga zjarret shkatërruese, që në Rusi nuk janë parë me dekada.