E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello: Rama, i kapur pas kolltukut

 

BLEDAR HOTI

Deputeti socialist Marko Bello bën të ditur arsyet e paraqitjes së platformës së paraqitur dy ditë më parë nga Ben Blushi. Si një nga mbështetësit e saj, Bello deklaron se “selia rozë në këtë moment krize nuk ka nevojë për një lider të gjithëpushtetshëm, por për qarkullim elitash dhe vlerësim kontributesh”. “Lideri është kapur pas kolltukut dhe mendon se është i pazëvendësueshëm, apo se e do shumë baza, e cila nëpërmjet peticioneve kërkon që ai të mbetet në krye të partisë. Gjatë katër viteve u vunë re deformime të thella në PS në drejtimin e saj, gradualisht po tentohej t’i jepej forma e PD ku askush nuk pipëtin dhe flet, vetëm lideri. Ekziston ajo që quhet demokraci patriarkale, ku shumica vendos për çdo gjë dhe pakica është e detyruar të heshtë, gradualisht po shkohet drejt një hullie të rrezikshme, ku ajo mund të mbyllet si parti, në kuptimin që të kthehet në një kastë në dorën e një grupi njerëzish të pasuruar”, deklaroi Bello. Ai theksoi se pikërisht platforma prej 10 pikash synon zgjerimin e hapësirave demokratike, të cilat janë ngushtuar ndjeshëm nga ky i fundit. “Gradualisht zoti Rama na ka përfaqësuar të gjithëve, duke ngushtuar hapësirat demokratike të partisë. Kemi heshtur të gjithë për shkak se kemi qenë shumë pranë zgjedhjeve të përgjithshme. Por do të ishte fatale për një parti, në qoftë se do të kishte probleme të brendshme”, theksoi Bello. Platforma përcakton qartë mënyrat se kur mbaron mandati i kreut të partisë, si dhe rastin që lideri i partisë duhet të jetë patjetër deputet i Kuvendit të ardhshëm. “Të përcaktohet shumë qartë në statut çdo të thotë ndërprerje mandati sepse mesa duket në Shqipëri njerëzit kanë nevojë për detaje, dhe pse ndonjëherë djalli fshihet pas detajeve. Të jetë një kusht i padiskutueshëm përfshirja në listën e kandidatëve për deputet në Kuvendin e Shqipërisë të liderit të partisë apo të udhëheqësit të PS”, thekson deputeti. Sipas tij, Kongresi, i cili patjetër duhet të ketë kompetenca në programin e PS, duhet ta ratifikojë programin elektoral qeverisës të PS dhe sidomos t’i japë vulën përfundimtare listës së kandidatëve të PS dhe jo t’i lihet në dorë vetëm një lideri që mund të zgjedhë miqtë dhe shokët e tij, dhe në momentin e fundit mund të marrë njerëz dhe nga rruga për t’i bërë deputet. “Të mos shkarkohen më me nivel kryesie ata që zgjidhen me një anëtar, një votë, në nivel komunal apo të bashkive”, thekson Bello. Të 10 propozimet e paketës “Blushi” synojnë ndërhyrjen në “kushtetutën” e funksionimit të kësaj force politike, që synojnë demonopolizimin nga kryetari, rastet e shkarkimit të tij dhe fuqizim e Kongresit. Bello thekson se kjo platformë nuk ndërmerret kundër Ramës, por mbi të gjitha synon demokratizimin e PS-së, duke shtuar se kjo nuk do ta dëmtojë PS-në në të ardhmen. Në datën 29 gusht socialistët pritet të mbledhin Kongresin e tyre për të analizuar humbjen dhe për të marrë një vendim për situatën e krijuar. Një pjesë e mirë e përfaqësuesve të PS-së si Ben Blushi, Arben Malaj, Marko Bello, kërkojnë largimin e Edi Ramës për shkak të humbjes së zgjedhjeve.

Pikat e platformës “Blushi”

1. Të forcohet roli i Kongresit të PSSh, duke e bërë përbërjen e tij më përfaqësuese e të balancuar dhe duke i dhënë atij fjalën e fundit në miratimin e Programit Elektoral dhe kandidatëve të PSSh në zgjedhjet lokale apo të përgjithshme;
2. Të pasurohet përbërja e Asamblesë Kombëtare, duke gjetur një ekuilibër mes prurjeve të reja në parti dhe njerëzve të mandatuar në Kuvend dhe në bashki e komuna, për të përfaqësuar më mirë territoret, komunat, bashkitë, të zgjedhurit lokalë dhe qendrorë,
3. Të zgjerohen Asambletë e bashkive/komunave, duke i dhënë të drejtë anëtarësisë të zgjedhë sipas parimit një anëtar, një votë, një të tretën e anëtarëve të tyre;
 4. Të krijohen kryesitë e Asambleve të komunave/bashkive, mungesa e të cilave ka dobësuar kolegjialitetin dhe rolin drejtues në nivelin lokal;
5. Të forcohen funksionet e Këshillit Socialist të Rrethit dhe autonomia e tij, duke i dhënë atyre kompetencën e zgjedhjes me votës të lirë Sekretarit të Këshillit Socialist të Rrethit, duke shmangur ndërhyrjen e Kryesisë së PSSH;
 6. Të zgjerohet dhe forcohet roli i Konferencave Socialiste të Qarqeve, të cilat duhet të shprehen për kandidatët për deputetë, për drejtuesit e njësive vendore, për anëtarët e ASK, si dhe të zgjedhin me votim të lirë Sekretarin Rajonal.
 7. T’i jepet e drejtë anëtarësisë së komunës të përcaktojë sipas parimit një anëtar, një votë, kandidatin për kryetar të njësisë vendore.
 8. Të ndalohen me statut rastet e shkarkimit të drejtuesve të strukturave vendore të partisë me vendim të Kryesisë së PSSH, por të zbatohen parimet e demokracisë së brendshme përmes instrumentit të mocionit nga organi që e ka zgjedhur atë;
 9. Të përcaktohet në statut detyrimi i kryetarit të PSSH, për të kandiduar në listën e deputetëve të PSSH, në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare;
10. Të sqarohet përfundimisht në statut çështja e rikandidimit të kryetarit të PSSH, në rast humbje të zgjedhjeve të përgjithshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›