E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni, Ilir Meta:Kemi gati platformën e negociatave për Qeverinë e re me PD

 

Robert Rakipllari

LSI ka gati një platformë politike për të nisur negociatat me PD për Qeverinë e re. Ilir Meta ka zbuluar pikat kryesore të kësaj platforme në një intervistë ekskluzive për “Panorama”. Sipas Metës, kjo platformë do të përmbajë edhe prioritetet qeverisëse, ku synimi i LSI do të maksimizojmë ekspertizën e vet të kualifikuar në përshpejtimin e reformave integruese të vendit. Përsa i përket të ardhmes së koalicionit, Meta thotë se ajo përcaktohet nga cilësia e realizimit të objektivave të përbashkëta që i ka vënë vetes. Kreu i LSI i shmanget përgjigjes se cili do të jetë pozicioni i tij në qeverinë e re duke deklaruar në mënyrë lakonike se nuk do të jetë kushtëzues. Meta komenton edhe zhvillimet brenda të majtës.
Z. Meta, KQZ ka shpallur para pak ditësh rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. A mendoni se këto zgjedhje i arritën standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët dhe si e vlerësoni rezultatin, duke pasur parasysh faktin që koalicioni i LSI ka 85 mijë vota të përkthyera në katër mandate ndërsa PS ka deklaruar zyrtarisht se nuk do t’i njohë këto zgjedhje dhe do të ndërtojë aksionin e saj politik për zgjedhje të parakohshme?
LSI ka qenë kritike e hershme e përgatitjeve për këto zgjedhje, e mënyrës si u përcaktua sistemi zgjedhor dhe më pas, si u miratua Kodi Zgjedhor. Dhe së fundmi, ne kemi qenë mjaft kritikë për mënyrën si u zhvillua procesi zgjedhor, në mënyrë të veçantë, numërimi i votave, vërejtje që ne i kemi bërë publike dhe i kemi paraqitur përpara vëzhguesve zgjedhorë.
Përsa u përket kërkesave të ndërkombëtarëve është e rëndësishme që ne të kuptojmë se standardet zgjedhore u shërbejnë më shumë shqiptarëve, pasi mbi këto standarde ngrihen institucionet dhe mirëqeverisja, dhe organizohet gjithë stabiliteti politik e zhvillimor i vendit. Ne si LSI e dimë cilat janë standarde të mira dhe cilat jo. E dinim edhe kur u hartua Kodi Zgjedhor dhe u thonim ndërkombëtarëve se konsensusi i atëhershëm PS-PD për miratimin e atij Kodi nuk është garanci për cilësinë e tij. Tashmë është e qartë që të gjithë e kanë kuptuar që duhet një reformë e vërtetë zgjedhore, që nuk bëhet me logjikën e numrave e të kartonave, por me logjikën e standardeve të pranuara ndërkombëtare.
Gjithë këto defekte të procesit të sistemit dhe Kodit Zgjedhor ndikuan edhe në rezultatin elektoral të LSI. Por unë jam i kënaqur që ne arritëm t’i rezistojmë me shumë dinjitet të gjitha përpjekjeve për ta eliminuar LSI dhe gjymtuar pluralizmin politik. Gjithashtu, një mandat deputeti i LSI ka mbështetjen e mbi 20 mijë votave, ndërsa parti të tjera kanë marrë mandate edhe me 1/3 e këtyre votave.
Përsa i përket mosnjohjes së zgjedhjeve nga PS e konsideroj një çështje të saj nëse ajo zgjedh që humbjen e zgjedhjeve ta përkthejë në destruktivitet kundër institucioneve apo integrimit të vendit. Unë mendoj se kjo nuk është zgjedhja e duhur as për PS e as për vendin. PS ka diktuar gjithë ecurinë e reformës zgjedhore nga fillimi deri në fund ndaj ka përgjegjësinë kryesore për mangësitë e standardeve.
Ju shpallët koalicionin me PD disa ditë pas zgjedhjeve duke i dhënë fund kështu një hamendësimi se zgjedhjet nuk kishin fitues, por elektorati ishte i ndarë “70 me 70” midis të majtës dhe të djathtës. A mendoni tani pas shpalljes së rezultatit përfundimtar se vendimi që morët ishte në kohën e duhur dhe se nuk ju ka krijuar apo do t’u krijojë një kosto me votuesit kryesisht të majtë të LSI?
Lënia e vendit pa qeverisje dhe krijimi i krizave politike nuk janë alternativa që prodhon mendja apo veprimi im politik. Përkundrazi, gjithë karriera ime politike ka qenë në funksion të mirëqeverisjes dhe stabilitetit politik. PD dhe koalicioni i saj fitues kanë të drejtën kushtetuese të iniciojnë qeverisjen e ardhshme dhe këtë nuk mund ta ndryshojnë alibirat apo pretendimet absurde që dëgjohen nga humbësit e zgjedhjeve.
Pra, vendimi i LSI, ishte i bazuar fuqishëm mbi këtë parim, parimin e stabilitetit dhe nevojës për të shkuar përpara me reformat integruese. Përtej tij, ka dhe një sërë faktorësh të tjerë që u vlerësuan në mënyrën më serioze e të përgjegjshme. Mund të përmend pamundësinë e krijimit të një qeverie LSI-PS, jo vetëm se ajo nuk mund të krijonte maxhorancë, por edhe sepse PS mbajti një qëndrim tejet armiqësor kundër LSI dhe ishte shkaktare kryesore e dëmit zgjedhor që iu shkaktua. Së dyti, koalicioni LSI-PD ka mjaft prioritete programore të përbashkëta, sidomos në drejtim të reformave integruese të vendit, kështu që besoj se do të krijojë sinergjitë e një përshpejtimi të proceseve integruese në BE. Po kështu, bashkëpunimi PD-LSI nuk duhet të çudisë askënd, përderisa kemi parë një PS që pjesën më të madhe të “opozitës” së saj e ka zhvilluar në koordinim me PD, mjafton të përmend bashkëpunimin për Kushtetutën apo Reformën Zgjedhore. Aq më tepër që, precedentët e këtij bashkëpunimi janë të shumtë edhe në Evropë, si në Austri, apo shumë vende të tjera.
Lidhur me kohën e shpejtë të reagimit tim pozitiv ndaj ftesës së zotit Berisha për bashkëqeverisje, kisha një arsye shumë të fortë, që ishte qetësimi i situatës politike paszgjedhore, pasi grupe të caktuara të PS po inskenonin konflikte destabilizuese për të deligjitimuar zgjedhjet dhe cenuar stabilitetin e vendit. (Mos harroni ngjarjet e Fierit). Mos duhet të prisnim një 2 prill tjetër për të qetësuar situatën më pas? Pra, deklarimi u bë në kohën e duhur dhe me një bindje të fuqishme se ishte në interes të vendit.
Mjaft nga kritikuesit tuaj brenda të majtës, përveç atyre që thonë se keni tradhtuar, shprehen se ju duhet të kishit pritur deri në shpalljen e rezultatit zyrtar dhe t’i kishit vënë kushte të forta PD-së, përfshirë edhe emrin e Kryeministrit. Keni ndonjë përgjigje për këtë lloj qasje?
Këta kritikë që përmendni dhe nuk besoj se e keni fjalën për ata që rendën që të nesërmen e zgjedhjeve dhe i ofruan Berishës mbështetje për qeverinë, vetëm që LSI të mos ishte pjesë e saj, vetëm një gjë nuk bëjnë, të japin një alternative tjetër realiste e konstruktive të ndryshme nga vendimi i LSI.
A kanë filluar negociatat për përbërjen dhe programin e Qeverisë së re. Cilat do të jenë prioritetet e LSI-së në Qeveri? Kryeministri ka deklaruar se do të negociohet për çdo ministri, a keni ju si parti sektorë të preferuar ku mendoni se keni ide dhe ekspertizë për të dhënë më tepër dhe cilat janë ato? A përfshin marrëveshja juaj gjithashtu se do të jeni në koalicion me PD në zgjedhjet lokale dhe cila është perspektiva e mëtejshme e këtij koalicioni?
Negociatat për qeverinë e re nuk kanë filluar, por ka filluar përgatitja për këto negociata. Ne kemi filluar të përgatisim platformën politike të negociatave, e cila do të përmbajë edhe prioritetet tona qeverisëse. Synimi ynë është të maksimizojmë ekspertizën e kualifikuar që kemi dhe kontributet tona politike në përshpejtimin e reformave integruese të vendit. Ato që kanë qenë prioritetet tona programore gjatë fushatës zgjedhore do të kërkojmë të jenë edhe çështje prioritare në programin e përbashkët qeverisës. Këtu kam parasysh çështjet zhvillimore, në mënyrë të veçantë punësimin, luftën kundër varfërisë, rritjen e prodhimit vendas, kryesisht atij bujqësor, zhvillimin e sektorëve prodhues por edhe të shërbimeve. Një vëmendje të veçantë do t’u kushtojmë çështjeve sociale, ligjit “Për Moshën e tretë” dhe ndihmën për familjet e varfra.
Përsa i përket të ardhmes së këtij koalicioni, ajo përcaktohet nga cilësia e realizimit të objektivave të përbashkëta që i ka vënë vetes. Unë kam besimin e plotë se ky koalicion do të funksionojë dhe do të jetë i suksesshëm. Me një predispozitë të tillë do të vlerësojmë dhe shtrirjen e koalicionit në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Ka mjaft hamendje për angazhimin tuaj personal në qeverinë e re, duke pasur parasysh staturën tuaj si ish-kryeministër. A keni vendosur për pozicionin tuaj z.Meta? Do të jetë një pozicion parlamentar apo në Qeveri?
E rëndësishme për mua është që çdo angazhim i imi apo i përfaqësuesve të tjerë të LSI, të sjellë një vlerë të shtuar dhe një kontribut pozitiv në mirëqeverisje, në realizimin e reformave, por edhe në mbajtjen e premtimeve që u kemi bërë shqiptarëve. Ndërsa pozicioni im konkret, as nuk ka qenë ndonjëherë dhe as nuk do të jetë kushtëzues. Interesi madhor i imi është suksesi i këtij koalicioni qeverisës në të mirë të vendit.
Gjatë mbledhjeve të fundit të Qeverisë, Kryeministri Berisha ka urdhëruar ministrat që brenda muajit gusht të bëjnë gati projekt-buxhetin për vitin 2010. A ju duket korrekte nga ana e Kryeministrit një ide e tillë, duke pasur parasysh që është shpallur koalicioni me LSI dhe ju, do të keni prioritetet tuaja për buxhetin. Aq më tepër, kur Berisha nuk e pranon që Shqipëria është prekur nga kriza, ndërsa kryefjala e fushatës suaj ishte plani antikrizë. Si keni menduar të harmonizoni një program të përbashkët dhe kur do të materializohet ai në buxhetin e qeverisë?
Prioritetet, negocimi dhe transparenca. Këto janë mjetet me të cilat do të harmonizojmë në një program të përbashkëtat dhe ndryshimet që ekzistojnë midis LSI dhe PD. Përgatitja e buxhetit është një nga aktet më serioze të qeverisjes dhe buxheti do të mbështesë pikërisht realizimin e programit të përbashkët qeverisës. Mendoj se kemi gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për harmonizimin e buxhetit, që ai të mbështesë atë që është më e rëndësishmja: një zhvillim të shpejtë të vendit dhe integrim të tij në BE.
Kryeministri është shprehur gjithashtu se një nga ligjet që do të debatohet së shpejti në Parlamentin e ri do të jetë edhe ai i martesave të së njëjtës gjini, si kusht për integrimin në BE, sipas tij. A ka një qëndrim LSI për këtë çështje?
Qëndrimi ynë është që ne duhet të rregullojmë me ligj të standardeve evropiane edhe këtë çështje.
A do të përfshihen në axhendën e bisedimeve të koalicionit të ri edhe reforma në Kodin Zgjedhor, dhe sidomos ndryshimet kushtetuese të 21 prillit të 2008, të kritikuara ashpër prej LSI dhe faktorëve të shoqërisë civile deri më 28 qershor?
Çështja e reformës zgjedhore do të jetë pjesë e rëndësishme e axhendës së negociatave për koalicionin e përbashkët qeverisës. Edhe çështja e ndryshimeve kushtetuese është një prioritet i rëndësishëm për ne.
Denoncimi i vazhdueshëm i PS për koalicionin PD-LSI, si jolegjitim, a do të ketë pasoja për mbështetjen ndërkombëtare të Qeverisë së re?
Kjo sjellje e vjetër politike e lidershipit të PS, vetëm dëmton besueshmërinë e kësaj force politike, pasi të gjithë, brenda e jashtë vendit e dinë se në rastin më të mirë për PS, ajo është bashkëfajtore me PD për mangësitë e disa standardeve. Jam i bindur se Qeveria e re do të ketë një mbështetje shumë të gjerë ndërkombëtare.
Z.Meta, a keni një koment për zhvillimet në PS në një moment kur ka nisur një debat i brendshëm në këtë parti, si për njohjen e zgjedhjeve, ashtu edhe për ndërprerjen e mandatit të kryetarit aktual, Edi Rama, pas humbjes në zgjedhje? Z.Prifti ka deklaruar se LSI nuk do të bëjë kurrë koalicion me PS, nëse në krye të kësaj partie do të jetë z.Rama, i qëndroni kësaj ideje?
Ne nuk ndërhyjmë në çështjet e brendshme të PS, e aq më tepër në zgjedhjet që mund të zhvillohen. Ne dëshirojmë që PS të bëhet një faktor i rëndësishëm konstruktiv dhe integrues. Ne mirëpresim bashkëpunimin me PS për reformat që i duhen vendit. Shqipëria ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme dhe efikase dhe do ta ketë. Po kështu, vendi ka nevojë dhe për një opozitë evropiane dhe serioze, dhe uroj që ta ketë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›