Arrestohet i riu, ishte pa patentë, aksidentoi me vdekje një person
Dje u krye arrestimi në flagrancë nga Komisariati i Policisë Kavajë për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, për shtetasin Besmir Nikoll Biba, 23 - vjeç, lindur dhe banues në Lezhë. Arrestimi i tij u krye sepse rreth orës 04.00 të mëngjesit të së mërkurës, duke qarkulluar në aksin rrugor Rrogozhinë-Durrës, me automjetin tip Rover, me targa YME 7056, ka humbur kontrollin e drejtimit dhe për pasojë ka dalë në krahun e kundërt të rrugës, duke përplasur më pas me automjetin tip Benz ML, me targa Ç 868 ËN, drejtuar nga shtetasi Edmond Haka, 21 vjeç. Për pasojë të kësaj përplasje, ka gjendur vdekjen shtetasi Amarildo Xhevat Lleshi, 21 - vjeç, banues në Kavajë, i cili ndodhej pasagjer në automjetin tip Benz ML dhe është dëmtuar pasagjeri i mjetit fuoristradë shtetasi Gëzim Merkja, 22 - vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes u kryen veprimet proceduriale, ndërkohë që materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Kavajë, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Besmir Biba dhe për veprën penale të “Drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi”, parashikuar nga neni 291 të Kodit Penal, në gjendje të lirë, në ngarkim të shtetasit Edmond Haka.
Korçë, bie në pranga falsifikatori
Falsifikonte dokumente, arrestohet nga policia 36-vjeçari. Forcat e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit të Durrësit, arrestuan ditën e djeshme 36-vjeçarin Korab Koçi, lindur në Dibër dhe banues në Patos, Fier. Burime nga policia thanë se Koçi ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka dërguar urdhrin më datë 11 maj të këtij viti për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, e cila e ka dënuar atë me gjashtë muaj burg dhe 40.000 lekë gjobë, për veprën penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.
Mbidoza e drogës i merr jetën 37 vjeçarit
Mbidoza i ka shkaktuar vdekjen një 37-vjeçari i cili u gjet pa jetë në krevatin e tij nga familjarët. Artur Baci 37-vjeç, lindur e banues në lagjen “Lugina” në Shijak është gjendur dje në banesë nga familjarët e tij i vdekur. Të alarmuar familjarët kanë lajmëruar policinë e cila mbërriti menjëherë pranë banesës për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia thanë se duke ju referuar deklarimeve të familjareve të të ndjerit, 37-vjeçari ishte përdorues i rregullt i lëndëve narkotike dhe i pijeve alkoolike. Kështu trupi i pa jetë i Bacit u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme dhe mësohet se mjekësia-ligjore zbuloi se shkaku i vdekjes së tij është marrja mbidozë e lëndëve narkotike.
14 Gusht 2009