E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramiz Alia në ‘90: U arratis Kadareja, gjenerali i reaksionit

 

afrim imaj

“Me vërshimin e refugjatëve në ambasada, reaksioni tërhoqi “ushtarët” nga Tirana, po nuk i mjaftoi kaq. I duhej “gjenerali” dhe më në fund e mori dhe atë...”Në fjalët e Ramiz Alisë për liderin nga Brazili i gjendur në Shqipëri menjëherë pas zhvillimeve tronditëse të vjeshtës ‘90, ndjehet pasiguria e një dileme të madhe. Tabuja “Ne, as Lindje e as Perëndim” kishte nisur të perëndonte në një rrugë pa kthim. I angazhuar për të ruajtur sa mundonte nga ngrehina në rrënim, pasuesi Enverit, në rezymenë për Amazonën sjell retrospektivën e zhvillimeve më të fundit në vend, duke u ndalur jo pa mllef në “gjestin e shëmtuar” të Ismail Kadaresë, i cili ato ditë ishte “arratisur” në drejtim të Francës. Gjithçka me ndodhitë në Tiranë, Alia e lidh me skenarët e reaksionit dhe imperializmit për shkatërrimin e Partisë së Punës dhe socializmit në Shqipëri. Më herët presidenti komunist kishte marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe për herë të parë, i detyruar nga klima në vend, ishte angazhuar për reforma transformuese në procesin e demokratizimit të shoqërisë dhe të drejtave universale të njeriut. Ky reflektim i Alisë me sa dukej nuk ishte pritur mirë nga aleatët e mbetur të lëvizjes komuniste ndërkombëtare dhe ishte vlerësuar si devijim i kursit politik të Tiranës. Kjo ishte një nga arsyet e mbërritjes me urgjencë e Amazonës në Shqipëri. Në ditarin e Agim Popës janë shënuar dialogët e tij me Ramiz Alinë, ku një vend të veçantë zënë vërejtjet e mikut nga Brazili për lëshimet e bëra nga udhëheqja e PPSH në mbledhjen e OKB-së dhe shqyrtimi i situatës aktuale, e cila siç konstatohet në bisedime është pa rrugëdalje....
7.8.1990           
Telefon nga Boni nr.1641
Erdhi Fam Goral i PK të Turqisë me banim në Gjermani. Ngriti këto probleme:
Komunistët turq kanë vendosur pllakate e kanë shpërndarë thirrje në disa qytete (Këln, Hamburg etj) në mbrojtje të Shqipërisë, ku thuhet “Larg duart nga Shqipëria socialiste!”. Një javë më parë organizatat e ndryshme komuniste turke zhvilluan demonstrata para konsullatave franceze e greke në Dyseldorf kundër qeverive të këtyre dy vendeve, që hapën dyert e ambasadave në Tiranë për të tërhequr refugjatët. Më 20 korrik partia turke zhvilloi një mbledhje për ngjarjet e 2 korrikut. Të gjithë njëzëri u shprehën se incidenti i 2 korrikut u organizua nga forca të jashtme. Ndërsa disa grupe maoiste u shprehën se ndryshimet e fundit në Shqipëri janë devijim nga marksizëm leninizmi...
30 tetor 1990
Takim i shokut Ramiz Alia me  Zh. Amazonas dhe R. Rabelo
Sh. Ramiz: Kohët e sotme janë më të vështirat në këto 45 vjet që nga koha e vendosjes së pushtetit popullor. Kemi të bëjmë me një fenomen të ri. Borgjezia po imponon skemat e saj. Në kushtet e krijuara rrethimi i Shqipërisë nuk është diçka formale, por rrethim real dhe i gjithanshëm. Shtoi kësaj dhe veprimtarinë armiqësore dhe presionin e shteteve të tjera. Nga ana e Jugosllavisë dhe Greqisë kemi sulme të egra. Nga Italia, Franca e Gjermani ka disa fjalë për marrëveshje, por asgjë në praktikë. Synimi i tyre është që në Shqipëri të ndodhë medoemos ajo që ndodhi në Evropën Lindore, në Rumani etj. Pra, të mos ketë pushtet popullor, të likuidohet socializmi, të zhduket PPSH-ja. Të gjithë konvergojnë në këtë pikë: Që nga Perëndimi, revizionistët, fqinjët deri te Gorbaçovi. Të marrim çështjen e KSBE-së (aktualisht OSBE-ja), ne kemi kërkuar të marrim pjesë. Kjo është taktikë për të mos lejuar izolimin e Shqipërisë. Deri dje na thoshin “Përse nuk merrni pjesë?!”, sot na vënë kushte e nxjerrin lloj-lloj pengesash për mos të na pranuar. Dikur shtrohej çështja nga BS: A mund të ndërtohet socializmi në një vend të vetëm? Kjo për BS! Po për Shqipërinë? Duhet ta bëjmë këtë, po si?
Shoku Amazona: Bota që duam të ndërtojmë, d.m.th., socializmi u shemb, kanë mbetur vetëm gërmadhat. Duhet të bëjmë një analizë kritike për atë që është duke ndodhur. Sapo kemi filluar ta gërvishtim këtë çështje. Mendoj se me këto që ndodhën e kemi humbur betejën, por jo luftën. Duhet të mendojmë e të bëjmë analizën nëse bota shkon drejt paqes apo drejt luftës, drejt lirisë e demokracisë apo drejt shtypjes. Lidhur me këto kam disa vërejtje për një numër tezash që ju shoku Ramiz shprehët gjatë fjalës që mbajtët së fundi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Me disa prej tyre nuk jam dakord. Ju thatë aty që fuqitë e mëdha po ndërmarrin masa në favor të paqes. Për mua kjo është e gabuar. Kjo është teza e Gorbaçovit. Ju në fjalën në OKB i vlerësonit si premtuese ndryshimet që kanë ndodhur në marrëdhëniet midis SHBA dhe BS, marrëveshjet që ata kanë përfunduar lidhur me çarmatimin, përgjithësisht mënyra si e konsiderojnë ato sigurimin reciprok e atë të përgjithshëm.(Amazona shprehu rezervat e tij për deklaratat e sh. Ramiz se Shqipëria e ndjen veten pjesëtare aktive të proceseve demokratike, që po ndodhin në Evropë dhe sipas tij nuk ka një proces të tillë)
Shoku Ramiz Alia: Jetojmë në një realitet të ri jashtë vullnetit dhe dëshirës tonë duhet integruar në të në interes të integritetit dhe sovranitetit të vendit. Më shumë se nga jashtë rreziku tashmë ndjehet nga brenda...
Shoku Amazona: Jam dakord me masat që keni marrë së fundi në fusha të ndryshme. Po kështu desha të them se lidhur me çështjen e ambasadave keni vepruar drejt (është fjala për vërshimin e refugjatëve në ambasadat Perëndimore në Tiranë më 2 korrik) Shqipëria ndodhet në vështirësi të mëdha. Teorikisht duhet të pranojmë se nuk mund të ndërtohet socializmi në një vend të vetëm. Megjithatë jam dakord me atë se rreziku Shqipërisë nuk i vjen nga një agresion i jashtëm (Shoku Ramiz shton se aktualisht një agresion i tillë është i pamundur), por nga brenda nga reaksioni i brendshëm. Imperializmi përpiqet të veprojë përmes krijimit të turbullirave nga brenda.
Shoku Ramiz Alia: Ky është konkluzioni edhe i partisë tonë...
Shoku Amazona: Duhet menduar për perspektivën. Cila është rrugëzgjidhja. E vërteta është se Shqipëria ka përpara vështirësi shumë të mëdha. Megjithatë nuk duhet ulur flamuri i revolucionit, ndryshe ata do ta hanë më lehtë Shqipërinë. Unë nuk kam shpresë për ndonjë kthesë të shpejtë, por duhet të riorganizojmë forcat...
Shoku Ramiz Alia: Të diskutojmë për ato që tha shoku Amazona: Që teorikisht ndërtimi i socializmit vetëm në Shqipëri është i pamundur. Ne jemi në një gjendje tepër të vështirë. Sot është nën kërcënim liria dhe pavarësia e vendit dhe bashkë me të dhe socializmi në vend...
Shoku Amazona: E keni fjalën për atë që ndodhi në 2 korrik me shpërthimin e ambasadave në Tiranë...
Shoku Ramiz Alia: Ngjarjet e korrikut, çështja e ambasadave, ishin skenari i përmbysjes, i përmbysjes në korrik dhe jo në vitin 2000. Arratisja e Kadaresë është skenari i ri. Atyre u duhen “gjeneralë”. Këtë situatë nuk e krijuam ne. Populli do bukë, do që të plotësohen nevojat. Si të bëjmë? Si ta mbrojmë socializmin? Do ta mbrojmë atë vetëm me çështjet themelore: Të mbrojmë lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, të mos lejojmë kthimin e rendit të shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, të ruajmë rolin udhëheqës të partisë e mos të lejojmë pluralizmin borgjez. Të mos lejojmë ardhjen në fuqi të forcave antipopullore e antikomuniste...
Shoku Amazona: Pra, do të rezistohet për mos të bërë lëshime.
Shoku Ramiz Alia: Do të mbrojmë këto baza themelore, me të tjerat do të bëjmë lëshime e kompromise të ndryshme. Mbi njerëzit tanë ushtrohet një presion shumë i madh, i cili nuk kalon pa lënë gjurmë. Të mendosh ndryshe, do të ishte një iluzion. Duhet mbajtur parasysh edhe fakti që te ne pjesa më e madhe e popullsisë është e re, mosha mesatare e saj është 27 vjeç. Ky brez i ri nuk e njeh të kaluarën, nuk e imagjinon që populli ishte analfabet, kurse sot është me shkollë të lartë, që populli vuante nga ushqimi i keq, malaria e sëmundje të tjera, që mosha mesatare e njeriut ishte 38 vjeç e tani ka arritur 72 vjeç etj., etj. Të rinjtë kujtojnë se ka qenë gjithnjë kështu, prandaj kanë dhe kërkesa...
Shoku Amazona: Në kushtet e reja partia duhet të bëjë analizën kritike dhe të marrë masa për kapërcimin e vështirësive të mëdha që janë përpara...
Shoku Ramiz Alia: Ne nuk e kemi analizuar si duhet të kaluarën. Shoku Enver ka prekur mjaft gjëra, por ne nuk jemi ndalur e thelluar në to. Ja disa: Centralizmi i tepruar. Atëherë ku është klasa punëtore në fuqi? Çdo gjë vendosej nga lart. Çështja e oborrit kooperativist. E likuiduam atë duke u nisur nga faktori ideologjik, pa mbajtur parasysh faktorin ekonomik. Lamë qytetin dhe fshatin pa mish, vezë e produkte të tjera. Futëm tollonin dhe për vezë. Edhe mishi, djathi e gjalpi janë me tollon.
Shoku Amazona: Gjendja me sa duket nuk ka ardhur në një ditë. Partia nuk e ka pasur në dorë situatën për t’u paraprirë këtyre vështirësive...
Shoku Ramiz Alia: Të marrim partinë. Ne e kemi absolutizuar rolin udhëheqës të saj. Pra kemi pasur një parti që nuk është në pushtet, por një parti me pushtet. Në vend të drejtimit shtetëror me ligje, është drejtuar me vendime e urdhra partiakë. Duke vepruar në këtë mënyrë partia ka marrë mbi vete edhe shtrembërimet e individëve të veçantë, si p.sh., rasti i lënies së tregut në Tiranë pa vezë, në një kohë që në frigorifer mbaheshin tre milionë kokrra rezervë. Pra, ka shumë gjëra që duhet të rishikohen...
Shoku Amazona: Duhet nxjerrë mësime nga ajo që ndodhi në BS, por duhet të nxjerrim mësime dhe nga vetë përvoja jonë...
Shoku Ramiz Alia: Ne kemi idealizuar mjaft gjëra. Jemi kënaqur për votimet 100 për qind, por kjo nuk ka qenë diçka reale. Kjo nuk përputhet me tezën se në shoqërinë tonë socialiste zhvillohet lufta e klasave.
Shoku Amazona: Po si shpjegohet votimi 100 për qind...
Shoku Ramiz Alia: Shpjegohet me atë që ne kemi shtruar çështjen që çdo votë për Frontin është një votë kundër revizionizmit dhe çdo votë kundër Frontit është një votë për revizionizmin. Dhe dilnim 100 për qind...Kemi pasur dhe defekte të tjera. P.sh., Kushtetutën ne e kemi shndërruar nga statut i shtetit në një manifest politik. Në të sanksionohet se Partia, që është pararoja e klasës punëtore është forca e vetme politike e shtetit dhe e shoqërisë, kjo nuk është e karakterit të një statuti shtetëror. Ose marrim çështjen tjetër. Në kushtetutë themi se ideologji sunduese në vend është vetëm ideologjia e Marksizëm-Leninizmit. Edhe kjo nuk ka natyrën e një dokumenti shtetëror. Të tilla ishin edhe nenet e kushtetutës që ndalojnë fenë, dhënien e kredive të huaja dhe koncesioneve ekonomike. Në fakt këto janë bërë nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez. Në këtë aspekt ka pasur dhe gabime të tjera.
Shoku Amazona: Në luftën tonë duhet të pranojmë se ka mundësi të ndërtohet një shoqëri socialiste si alternativë e kapitalizmit. Por duhet kërkuar e gjetur si duhet të jetë kjo shoqëri. Dihet se socializmi ka në qendër të idealit të tij humanizmin, kujdesin për njeriun. Kurse sot akuzohemi se socializmi nuk respekton të drejtat e njeriut...
Shoku Ramiz Alia: Duhet të pranojmë se shfaqje të tilla ka pasur. Kjo duhet parë historikisht: Në fillim kur te ne u vendos pushteti popullor, kishte probleme të tjera, më urgjente për t’u zgjidhur se ato që sot quhen të drejtat universale të njeriut. Atëherë ne duhej të ushqenim popullin, ta shpëtonim nga sëmundjet që e sfilitnin, ta nxirrnim nga errësira e analfabetizmi etj., etj. Por më pas të drejtat universale të njeriut nuk mund të injorohen më. Ka ndodhur që njerëz që kishin mendime të tjera shiheshin e trajtoheshin si armiq. Kjo duhet ndryshuar këtë do ta trajtojmë në plenumet që do thërrasim në vazhdim...
3.11 1990
Takim i Shokut Ramiz Alia me Zh. Amazona dhe R. Robelo
Sh. Ramiz; Isha në plenumet e partisë në Tiranë dhe Durrës (trajton problemet dhe presionin që gjen në bazën e partisë për çështjet e ndryshimeve dhe koncepteve të reja) Ende ka pra dogmatizëm lidhur me paralelizmin parti pushtet. Krijimi i koncepteve të tilla ka historinë e vet. Kur u çlirua vendi, ne zbritëm nga mali dhe ata pak kuadro të kualifikuar që kishte partia, i vendosëm në postet shtetërore dhe kështu gradualisht u ngatërruan funksionet e partisë dhe të pushtetit...Situatat e reja kërkojnë vizion e praktika të reja. Por partia është ende e papërgatitur për t’i bërë. Këtë proces sa e kemi nisur. Vështirësitë do t’i kemi të mëdha...

Popa: Për herë të parë për diktaturën kam folur me Kadarenë
Ka qenë fillimi i viteve ‘80 kur kam folur për herë të parë me Kadarenë për represionin e regjimit, rrëfen profesor Popa. Rastësisht u takuam në një kafe në qytetin e Sarandës, ku ishte dhe sekretari i parë i rrethit. Sa doli, Ismaili më tregoi për bëmat e tij në atë qytet bregdetar. Funksionari i lartë më parë kishte punuar në KQ dhe e kishin sjellë aty si dorë të fortë. Ishte rreth të 40-ve. Madje më i ri, por ishte se ai ishte shfaqur brutal që ditët e para, sidomos me demaskimet publike të njerëzve me precedentë arratisje dhe të dyshuarit për agjitacion e propagandë. Kadareja foli e foli për të dhe e mbylli bisedën me shprehjen se një tip i tillë nuk ishte një rast i shkëputur. Pastaj folëm gjatë bashkërisht për prapësitë e regjimit antinjerëzor, që bëhej përditë dhe më agresiv. Me shkrimtarin e shquar kishim shfaqur dhe më parë rezerva për mënyrën si shkeleshin të drejtat e njeriut në Shqipëri, por gjithmonë nën zë. Ky ishte rasti i parë kur flisnim hapur. Profesor Popa kujton se me interesimin e Kadaresë ka pasur rastin të zbardhë për një gazetë franceze mjaft nga paudhësitë e komunizmit në vendin tonë. I nisur nga këto përjetime të trishtuara, është detyruar të japë dorëheqjen nga funksioni i rëndësishëm në KQ dhe të angazhohet në lëvizjen demokratike. Ai njihet si një nga nismëtarët e themelimit të Partisë Socialdemokrate dhe bashkautor i programit dhe statutit të saj. Kadareja për të mbetet gjeni jo vetëm në fushën e artit e të letërsisë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›