Godo: Duam Shëndetësinë ose Ekonominë
Partia Republikane kërkon patjetër një post të rëndësishëm qeveritar dhe në bisedimet me kryeministrin Berisha pritet të shkojë me variantin se ky post duhet të jetë pikërisht Ministria e Shëndetësisë. Presidenti i nderit të asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo tha dje në një prononcim për mediat se dikasteri, që drejtohet aktualisht nga forca e dytë më e madhe e koalicionit të djathtë është një ministri e rëndësishme dhe e pranueshme për këtë parti. Por sipas tij, nëse kryeministri nuk do të jetë në gjendje të ofrojë këtë post për PR-në, ajo mund të pranojë Ministrinë e Ekonomisë apo atë të Bujqësisë. “Ministria e Shëndetësisë është një ministri e pranueshme. Me rëndësi mund të jetë edhe Ministria e Ekonomisë, dhe mund të merret në konsideratë edhe ajo Bujqësisë. Të gjitha këto janë ministri që mund të përmenden në bisedë, por ne nuk kemi një kërkesë fikse se duam këtë me doemos”, u shpreh Godo. Sipas tij megjithëse Partia Republikane do të përfaqësohet vetëm me një deputet në Kuvendin e ri, kjo forcë ka pasur një kontribut të rëndësishëm në fitoren e koalicionit të djathtë. Ai i kujtoi kreut të Qeverisë faktin se falë votave të PR-së, Partia Demokratike mori katër mandate më shumë. Në këtë kontekst Godo theksoi se PR kërkon një ministri me peshë, ndërkohë që sipas tij e tillë nuk mund të konsiderohet Ministria e Integrimit, e cila drejtohet aktualisht nga Majlinda Bregu. “Ne duhet të na jepet një ministri e rëndësishme. Tani ka ministri që janë me potencial të madh, por ka edhe ministri që janë të kufizuara. Fjala vjen Ministria e Integrimit është një ministri që nuk do të na bënte punë”, vijoi më tej Godo. Zyrtari i lartë i Partisë Republikane vlerëson koalicionin e ri qeverisës mes PD-së dhe LSI, për të cilin thotë se “nuk i mbeti shumë hapësirë Berishës dhe unë them se ishte një zgjidhje në të mirë të vendit. Në qoftë do të shkonim në zgjedhje të tjera do të ishte humbje e madhe, pasi nuk kemi mundësi të shkojmë nga zgjedhje në zgjedhje”. Në fund ai ka kritikuar qëndrimin e Partisë për Drejtësi dhe Integrim, e cila edhe ajo si republikanët ka kërkuar një post ministror. Godo tha se kjo forcë nuk duhet të spekulojë me situatën e re që është krijuar brenda koalicionit të djathtë. “Në këtë kabinet qeveritar duhet të përfshihet secili sipas kontributit të vetë real. Të mos e ngrejë pazarin vetëm e vetëm sepse ndodhemi në një situatë të atillë që “po të hoqa këtë tullë të bien themelet”. Nuk duhet të spekulohet me marrëdhëniet që do të krijohen në koalicion”, përfundoi kreu i asamblesë së PR-së.