Bello: Siguria e jetës, qeveria është dorëzuar
Socialistët ngritën zërin për sigurinë e jetës, duke pretenduar se janë shtuar vrasjet mafioze. Deputeti Marko Bello theksoi se përballë ngjarjeve të shumta, Kryeministri Sali Berisha ndërmerr një të ashtuquajtur tur mbi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. "Do të rritet siguria dhe do të vërshojnë lumë investimet, përpiqet të na mbushë mendjen Kryeministri më i papërgjegjshëm dhe më rrenacak bashkë me kasnecët e tij në qeveri e Parlament", u shpreh Bello. Sipas tij, vetëm në 10 ditët e fundit kanë ndodhur të paktën 5 vrasje të tipit mafioz, sikurse njofton policia. "Është kthyer frikshëm krimi, dhuna dhe mungesa e sigurisë në vend. Është rritur ndjeshëm numri i vjedhjeve dhe grabitjeve të pronës publike e private", theksoi Bello. Ai insistoi se të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët: varfërinë e tejskajshme, korrupsionin që gëlon në çdo skutë të administratës shtetërore dhe mungesa e perspektivës, për shkak të dështimit të qeverisë në të gjitha planet. Socialistët pyesin Kryeministrin se si ka mundësi që krimi i organizuar dhe mafiozët guxojnë të godasin në mes të ditës dhe në mes të kryeqytetit e qyteteve kryesore të vendit? "Kush qëndron pas kësaj mafieje të re dhe kush i inkurajon atë të eliminojë konkurrentët e bizneseve, kryesisht në sektorin e ndërtimit?" - nënvizoi Bello. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste shprehu shqetësimin e tij të thellë për këtë situatë të rëndë, ku ajo që vlen më pak është jeta e qytetarit të thjeshtë. Ndërsa insistoi se nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur vendi qeveriset nga Kryeministri më i papërgjegjshëm dhe më rrenacak në kontinent. "Me qeverisje tërësisht të paaftë, administratë të mbushur me militantë të paaftë profesionalisht dhe mentalitet pushtuesi", argumentoi ai. Në këndvështrimin e Bellos nuk ka se si të ketë siguri për qytetarin, kur veprimet mafioze kryhen në mjaft raste nga njerëz të veshur me pushtet. Kur, sipas tij, rendi sfidohet hapur, ndarja e pushteteve në një shtet demokratik nuk respektohet, ndërsa barazia para ligjit është thjesht një slogan. "Berisha mburret në stacione të huaja televizive se ka arrestuar 900 mafiozë, kur 9 mijë të tjerë ndihen më të fortë dhe më të qetë se kurrë", nënvizoi Bello.