E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizjet, grupi i LSI-së bëhet me nëntë deputetë

Neritan Ceka pritet të jetë zyrtarisht deputeti më i ri i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Subjekti politik, i drejtuar nga ish-kryeministri Ilir Meta, duket të ketë forcuar pozitat në raport grupesh parlamentare. Dje është bërë kërkesa për kalimin e kreut të Partisë Aleanca Demokratike te grupi i LSI-PDS-së. Më parë të njëjtin veprim e kishte kryer ish-nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Petro Koçi. Vetë grupi kishte në përbërje shtatë deputetë, mes të cilëve Ilir Meta, Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Spartak Braho, Dritan Prifti dhe Nikollaq Neranxi të zgjedhurit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këtij grupi deputetësh iu bashkua edhe Paskal Milo, kryetari i Partisë Demokracia Sociale. Duke llogaritur edhe dy prurjet e reja në total, grupi i LSI-PDS do të ketë në listën e anëtarëve emrat e nëntë deputetëve. Praktikisht, grupi më i madh në Kuvend është ai i Partisë Demokratike, pas tij vjen ai i Partisë Socialiste. Renditja vazhdon me grupin e Partisë Republikane dhe më tutje me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Largimi i socialistit Petro Koçi u bë vetëm një ditë pasi me votat e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste u miratua paketa e ndryshimeve në Kushtetutë. Në shenjë distancimi me qëndrimin e Partisë Socialiste, ku bënte pjesë, Koçi deklaroi shkëputjen, duke lënë të hapur kalimin te LSI-ja. Por pak ditë më vonë ai deklaroi se do të mbetet socialist, duke pranuar në një farë mënyre vetëm kalimin në grupin e LSI-PDS-së. Sakaq, kreu i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, kishte një grup parlamentar me shtatë deputetë. Pesë ligjvënës ishin dhënë borxh nga Partia Socialiste aleatit të tyre, me qëllim sigurimin e ekzistencës së këtij grupi. Zhvillimet më të fundit brenda të majtës sollën çarjen në marrëdhëniet mes dy partive, duke dhënë si pasojë të parë shkrirjen e grupit parlamentar. I ndodhur pa pesë deputetët, por edhe pas shkëputjes së deputetit të tij, Piro Lutaj, Ceka zgjodhi grupin e LSI-PDS-së. Pak ditë më parë, socialistët arritën të shtonin grupin me Piro Lutajn, ndërsa numrat ishin ulur pas largimit të Petro Koçit. Historitë e diversioneve mes partive të majta në këtë legjislaturë kanë lënë shpesh hapësira boshe në grupet parlamentare respektive.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›