E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, projektligj për moshën e tretë

Ilir Meta depozitoi dje në Kuvend projektligjin "Për kujdesin ndaj individëve të moshës së tretë". Në prezantimin e nismës, kreu i LSI-së tha se rreth 70% e individëve të kësaj moshe jetojnë nën nivelin e minimumit jetik, duke përbërë kështu shtresën më të varfër dhe më të diskriminuar ekonomikisht në vend. Lobingu për kalimin e ligjit në Kuvend do të realizohet në ditët në vijim prej deputetëve të kësaj partie.

Deklarata

"Aktualisht në Shqipëri janë rreth 230 000 pensionistë të sëmurë, të cilët paguajnë 220 lekë në muaj për recetat dhe ilaçet e rimbursuara, ose rreth 26 milionë dollarë në vit, nga mosrimbursimi i ilaçeve dhe pagesat e tjera", u shpreh Meta. Sipas tij, në vitin 2005 llogariteshin rreth 300 mijë pensionistë të varfër, ndërsa në vitin 2007, për shkak të keqqeverisjes së shumicës së djathtë, ky numër i ka kaluar 400 mijë. Kreu i LSI-së konstatoi se kostoja financiare e parashikuar në këtë projektligj është rreth 70 milionë dollarë në vit. "Po të kemi parasysh që buxheti i shtetit është rreth 4.1 miliardë dollarë në vit dhe rritja vit pas viti e shpenzimeve bëhet rreth 8-9%, për zbatimin e plotë të këtij ligji do duhej rreth 1.6% e buxhetit të shtetit, ose 1/5 e rritjes vjetore të tij. Kjo shifër është plotësisht e përballueshme nga buxheti i shtetit", vlerësoi Meta. Ai ftoi gjithë deputetët e Kuvendit të zhvishen nga ngjyrat partiake, të ngrihen mbi dallimet politike të momentit dhe ta mbështesin këtë projektligj për moshën e tretë. "Është detyra jonë e parë dhe në dinjitetin tonë si përfaqësues të popullit, që të përkrahim këtë shtresë të nderuar të shoqërisë shqiptare", theksoi Meta. Partia e dytë e opozitës ftoi Kryeministrin të solidarizohet me këtë nismë dhe të mbështesë pa hezitim kalimin e këtij projektligji në Kuvend. "Ky projektligj nuk duhet të përdoret politikisht, nuk ka ngjyra politike, është një detyrim brezash, një detyrim i shoqërisë për moshën e tretë", vlerësoi kreu i LSI-së.

Projekti

Projektligji në fjalë parashikon ngritjen e qendrave të përkrahjes së moshës së tretë pranë pushtetit vendor dhe burimet e financimit të tyre. Sanksionohet e drejta për strehim me prioritet; e drejta për transportin urban me pagesë të reduktuar, ose pa pagesë. Drafti përmban edhe shërbimin shëndetësor në institucione shëndetësore apo shtëpi pa pagesë; mbështetjen financiare për të paaftët që jetojnë në një banesë me moshën e tretë dhe pagesën e një pensioni mujor të trembëdhjetë. LSI-ja beson se Parlamenti shqiptar duhet të angazhohet seriozisht në diskutimin dhe miratimin e kësaj nisme. Duke synuar jo vetëm përmirësimin e gjendjes ekonomike, por në radhë të parë vë në vend dinjitetin e një shtrese të shoqërisë shqiptare, të diskriminuar në vite. LSI-ja vlerëson se projektligji është tepër i rëndësishëm, sepse rrallëherë ndodh që një projekt në Parlament të ndikojë në përmirësimin e standardit të jetesës së mbi 400 000 familjeve shqiptare. Nisma e hartuar prej Lëvizjes Socialiste për Integrim kishte kohë që po diskutohej në komisionet dhe grupet e punës së kësaj partie. Para pak kohësh u ndërmor edhe një tur në rrethe, ku grupi nismëtar konsultoi me grupet e interesit projektin e propozuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›