E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello thyen bojkotin: Në 2010-n kthehem në Parlament

Nuk ka më diskutim, socialisti Marko Bello ka vendosur të kthehet në sallën e Kuvendit sapo të nisë legjislatura e re plenare e 2010-s dhe apelon për dhënien fund të histerisë kolektive. Sipas tij, kjo është koha kur duhet t’i jepet fund bojkotit ndaj institucionit të Parlamentit, ku opozita duhet të kryejë misionin e saj dhe të kontribuojë në procesin e integrimit të vendit në BE. Deputeti socialist Marko Bello shpalli dje thyerjen e bojkotit parlamentar të opozitës. Ai deklaroi gjatë një prononcimi për mediat se do të kthehet në Parlament në fillim të vitit të ri 2010. Bello e cilësoi aksionin politik të opozitës, një histeri kolektive që dëmton interesat e vendit. “Nuk ka një dokument zyrtar, përfshi dhe Kushtetutën e vendit, që është ligji mbi ligjet, të parashikojë bojkotin. Bojkoti është një formë e përkohshme, e cila synon një qëllim të caktuar. Është përdorur edhe më përpara nga PS-ja në kushte krejt të tjera, në kushte të justifikuara. Është përdorur edhe nga PD-ja në kushte të ekzagjeruara. Gjithsesi, ka ardhur koha t’i jepet fund bojkotit. Nuk është rruga që na çon atje ku duam të arrijmë. Bojkoti, për fat të keq, të jep për momentin një lloj mbështetjeje të militantëve, elektrizon përkohësisht një pjesë të qytetarëve. Sot dëgjova zëra në PS se është baza ajo që kërkon që ne të ngelemi jashtë Parlamentit, por unë do të pyesja: ‘Po roli i elitave dhe udhëheqjes ku është?’ Nëse ne duam të themi se kështu na kërkohet dhe ne nuk jemi në gjendje t’i sqarojmë, t’u shpjegojmë njerëzve pse bojkoti është i dëmshëm, pa diskutim që njerëzit do të inkurajonin bojkotin. Është e lehtë të bësh të zemëruarin, është e lehtë të bësh qejfmbeturin dhe të braktisësh institucionet, por nuk fiton asgjë. Atëherë duhet kthyer në Parlament. Unë e kam thënë dhe e përsëris që nuk kam ndërmend të djeg mandatin, të cilin ma kanë dhënë qytetarët shqiptarë”, - tha deputeti Marko Bello. Pyetjes nëse do të kthehet në Kuvend në fillim të 2010-s, i zgjedhuri i PS-së për deputet iu përgjigj: “Pa diskutim. Shpresoj të jem së bashku me kolegët e mi”, - ndërsa shtoi: “Nuk dua të ndodhë ajo që e ka parashikuar shumë bukur Asheku tek libri i tij i famshëm “Ushtari i mirë Shvejk”, i cili thoshte dikur ‘mirë që u çmendën të gjithë gjeneralët e perandorisë, por pse u çmendën njëkohësisht’? Nuk dua të ndodhë të kemi një histeri kolektive. Shpresoj që PS të gjejë arsyen për t’u kthyer në parlament. Unë personalisht do të kthehem në Parlament”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›