Ndryshimet në ligj, tapi për tokat në bregdet
Komisioni i Ligjeve miratoi dje ndryshimin e ligjit “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore” sipas të cilit, përcaktohen kuotat me të cilat do të kompensohen familjet që kanë toka në përdorim. Kështu, sipas këtij ndryshimi në ligj, në bazë të frymëve që ka familja, kompensimi do të jetë nga 300 metra katrorë deri në 750 metra katrorë. Këto ndryshime ligjore të propozuara nga ish-ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, në legjislaturën e kaluar, nuk u arritën të miratoheshin në maj të këtij viti. Në projektin e deputetit Gjana parashikohej një kompensim jo më shumë se 500 metra katrorë për familjet me më shumë se 6 anëtarë, por varianti i miratuar dje në Komisionin e Ligjeve shton kompensimin. Tashmë, një familje mund të përfitojë deri në 750 metra katrorë tokë. Një tjetër miratim dhe ndryshim që i bënë ligjit deputetët e djathtë të Komisionit të Ligjeve është edhe përfshirja e 850 familjeve në Ksamil të Sarandës, të cilat do të përfitojnë kompensim deri në 750 metra katrorë tokë për familje. Projektligji i miratuar parashikon se nëse familja ka tokë në përdorim më shumë se ç’i takon me këtë ligj, atëherë do të duhet ta kthejë pjesën e tepërt përsëri tek shteti, i cili ua dha që nga viti 1993.
Banorët
Projektligji pritet t’i japë zgjidhje dhe konfliktit mes banorëve të zonës së Orikumit, të cilët janë konfliktuar me policinë për ndërtimin e një pallati nga pronarët e vjetër të tokës. Banorët protestojnë, pasi toka e tyre është dhënë si pjesë e këtij ligji për dhënien e tokës në përdorim, për shkak se kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore. Projektligji parashikon konkretisht që masa e kompensimit të jetë 750 metra katrorë si maksimale dhe deri në 300 metra/katrorë si minimale. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar deklaroi se do të rritet masa e kompensimit deri në 750 metra katrorë për këta banorë. “Në seancën që vjen, do të trajtojmë dhe ligjin për banorët e zonave turistike, por që në kohën kur turizmi ishte ndaluar, ato ishin ferma dhe që këta qytetarë kanë ngelur faktikisht pa një vlerësim. Dekreti i Presidentit, për fat të keq, ishte një skandal, pasi nuk është votuar në atë kohë në Parlament dhe banorët e këtyre zonave kanë ngelur krejtësisht duarbosh. Komisioni - dhe unë nuk jam kundër këtij mendimi - propozon që dhënia e tokës të proporcionohet, të ketë një lloj proporcionimi për frymë të familjes. Dhe e kanë propozuar nga 300 minimumi gjer në 750 metra/katrorë në varësi të frymëve të familjes. Unë jam dakord me këtë koncept. Pak a shumë mund të shkojë pak më tepër, por unë e vlerësoj këtë ndërhyrje”, - deklaroi Berisha. Projektligji pritet të kalojë sa më shpejt në seancë plenare për t’u miratuar sa më shpejt nga Kuvendi.
Ndryshimi i ligjit “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”
Përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt, të vitit 1996, kompensohen me truall në zonat urbane, në çastin kur toka e tyre, do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.
Kompensimi në truall të bëhet:
Për familjet mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit të jetë deri në 750 m2
Për familjet me më pak pjesëtarë, të zbritet me 150 m2 për çdo pjesëtar më pak, kjo në përputhje me të dhënat e gjendjes civile të vitit 31.12.1995. Por të përfitojnë jo më pak se 300 m2.
Përdoruesit e tokës bujqësore brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, të përcaktuara sipas vendimit nr. 88, datë 1.3.1993 të KM-së, “Për miratimin e zonave me përparësi për zhvillimin e turizmit”, do kompensohen me truall në zonë turistike, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.
Mënyra e kompensimit
Për familjet me mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit të jetë deri në 750 m2
Për familjet me më pak pjesëtarë, zbritet 150 m2, për çdo pjesëtar më pak, në përputhje me të dhënat e gjendjes civile, të datës 31.12.1995. Por të përfitojnë jo më pak se 300 m2.