E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letrat me vlerë, rishpërndahet vetëm Anglo-Adriatika

Ministria e Financave do të rishpërndajë bonot e privatizimit, vetëm ato që janë përfshirë në kompaninë Anglo-Adriatika. Drejtoresha e Çështjeve Juridike në Ministrinë e Financave, Linda Rusmali, tha se ministria është në proces të përgatitjes s udhëzimit përkatës, i cili do të përcaktojë mënyrën e rishpërndarjes së bonove. Sipas saj, do të shpërndahen vetëm bonot që janë tek Anglo-Adriatika, pasi, sipas saj, bonot e tjera janë ende në përdorim nga qytetarët. Drejtoresha Rusmali tha se ende nuk ka një afat se kur pritet të dalë udhëzimi përkatës. Udhëzimi pritet të miratohet pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” që u miratua në seancën e fundit parlamentare. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha bonot e privatizimit të investuara në fondet e investimit të krijuara me ligjin nr. 7979, datë 26.07.1995, “Për fondet e investimeve”, u rishpërndahen individëve. Ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes”, - thuhet në ligjin e miratuar në Kuvend.
Anglo-Adriatika
Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më e njohura mbetet Anglo-Adriatika, në të cilën kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh. Ekspertët shprehen se bonot ndodhen të depozituara në një bankë private në Tiranë dhe se sapo ligji të hyjë në fuqi, për një periudhë që pritet të zgjasë rreth 3 muaj, qytetarët do të kenë të drejtën të rimarrin mbrapsht bonot e tyre. Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndara dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi. Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoreshin. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit. Gjatë periudhës së qeverisjes socialiste, ky proces ndenji pezull, duke mos i konvertuar letrat me vlerë në aksione. Nga socialistët më pas u bënë premtime, por asgjë konkrete. Sipas të dhënave, rreth gjysma e letrave me vlerë u mbetën në dorë qytetarëve kur ligji i vitit 1998 nuk u zbatua. Ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë kanë arritur të bëjnë llogari të përafërta për vlerën e bonove të privatizimit dhe letrave me vlerë që kanë përfituar ish-të përndjekurit. Sipas të dhënave, mendohet se vlera e papërdorur e bonove të privatizimit dhe letrave me vlerë përllogaritet deri në 64 miliardë lekë bono privatizimi dhe 12.5 miliardë lekë letra me vlerë privatizimi, që kanë përfituar ish-të përndjekurit politikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›