E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello:KLSH të hetojë fondet e RTSH-së

Partia Socialiste i ka kërkuar sot Kontrollit të Lartë të Shtetit që të hetojë shpërdorimin e fondeve në Radio Televizionin Shqiptar. Deputeti Marko Bello, theksoi se RTSH-ja injoron veprimtarinë politike të partive opozitare, duke transmetuar në pjesën më të madhe të kohës aktivitete politike të mazhorancës së djathtë. "Gjej rastin t'i kërkoj KLSH të nisë menjëherë kontrollin në RTSH, për të davaritur çdo dyshim mbi abuzimet skandaloze me fondet publike dhe pronësinë e saj anembanë vendit, e cila po u jepet operatorëve privatë për 1 Euro"nënvizoi Bello. Ai ka denoncuar dhe njëanshmërinë që ky transmetues publik bën ndaj informacioneve të partive politike, në dëm të opozitës. "Operatori i vetëm publik kombëtar po demonstron njëanshmëri të dukshme në favor të partisë në pushtet, në raportin e KKRT për vitin 2008 rezulton qartë se ky shqetësim jo vetëm nuk është marrë në konsideratë, por përkundrazi, njëanshmëria është thelluar deri në atë shkallë sa mund të themi se sot ky ent i rëndësishëm publik është kthyer në një institucion tërësisht partiak"-theksoi Bello për mediat. Sipas tij, RTSH-ja në vend që të ishte një dritare dinjitoze e kombit, mund të pagëzohet edhe RTJ, "ndërsa Radio Tirana, në vend të togfjalëshit të mirënjohur Ju flet Tirana duket sikur thotë Ju flet Berisha".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›