Holanda ratifikon “Shqipërinë në NATO”
Senati i Holandës mbylli dje procesin e ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Ministria e Punëve të Jashtme përshëndetën vendimin e datës 17 shkurt 2009 të Senatit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta për ratifikimin e Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Sipas tyre, vendimi i Dhomës së Lartë më parë dhe i Senatit holandez, bëjnë që Holanda të jetë kështu vendi i 25-të nga 26 vendet anëtare që ratifikojnë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë. Vendimi i djeshëm i Senatit holandez është shprehje e mbështetjes dhe besimit të këtij vendi anëtar të Aleancës ndaj Shqipërisë, vlerësim ndaj reformave të thella të ndërmarra vitet e fundit në vend dhe kapaciteteve të vendit tonë për të kontribuar në sigurinë kolektive.