Berisha: Viktimat e Shqipërisë, sa gjithë Evropa Lindore
Diktatura komuniste në Shqipëri ka shkaktuar rastet më të mëdha të krimeve kundër njerëzimit sesa në gjithë vendet e Evropës Lindore. Këtë fakt i bëri dje të ditur Kryeministri Sali Berisha ministrit të Shtetit të Britanisë së Madhe, përgjegjës për policinë, krimin dhe sigurinë, z. Vernon Coaker. Gjatë takimit të djeshëm në zyrën e Berishës, ministri Coaker u interesua për ligjin e lustracionit. Kryeministri Berisha i bëri me dije se me numrin e dënimeve, ekzekutimeve pa gjyq dhe me gjyqe të sajuara, me gulagët dhe rastet e urisë, Shqipëria renditet me dy herë më shumë raste krimesh kundër njerëzimit, sesa të gjitha vendet e ish-bllokut socialist të marra së bashku, përjashtuar Bashkimin Sovjetik. “Në vitet ‘88, - u shpreh Kryeministri, - në Shqipëri janë varur poetë në lulen e rinisë, vetëm se kanë përmendur në vargjet e tyre shprehjen “të drejtat e njeriut”, ndërsa në vitet ‘90, trupa të rinjsh janë tërhequr zvarrë në sheshet kryesore të qyteteve të Shqipërisë”. “Ligji i lustracionit, - theksoi Kryeministri Berisha, - synon ndarjen nga kjo e kaluar e dhimbshme”. Në prani të ministrit britanik, Kryeministri shqiptar kritikoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të hapjes së dosjeve. Ai e quajti një ngjarje shumë të rëndë. Për këtë, Berisha akuzoi kryesocialistin Edi Rama, si njeriun më të interesuar për fshehjen e krimeve të komunizmit. “Me kërkesë të kryetarit të opozitës dhe grupimeve të tjera, të cilët janë tërësisht në konflikt të hapur interesi me këtë ligj, për shkak të lidhjeve të tyre personale dhe familjare me krimet kundër njerëzimit, të kryera gjatë regjimit totalitar komunist në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, përmes disa gjyqtarëve tërësisht në konflikt të hapur interesi që i përjashton nga procesi i rishikimit të ligjit, ka pezulluar zbatimin e ligjit, duke vendosur një standard të paprecedentë në historinë e vendeve të lira”, - u shpreh z. Berisha. Sidoqoftë, - theksoi Kryeministri, - qeveria, e cila është angazhuar për një lustracion bazuar tërësisht mbi parimet e shtetit ligjor, e njohu këtë vendim, megjithëse e konsideron atë, një vendim jashtë çdo standardi të shtetit të së drejtës. Nga ana e tij, ministri Coaker iu përgjigj z. Berisha se është në nderin e qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit, që megjithëse ligji synon të rivendosë integritetin e moralit shoqëror, ka vendosur ta trajtojë atë në përputhje të plotë me parimet e shtetit ligjor.
Gjatë takimit të djeshëm, Berisha e falënderoi ministrin Coaker dhe përmes tij, Kryeministrin Gordon Brown dhe qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, për ndihmën dhe përkrahjen e madhe që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë për ndërtimin e shtetit ligjor, ekonominë e tregut, si dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. “Takohemi në një moment të veçantë, - u shpreh Kryeministri Berisha, - në ditën e përvjetorit të parë të pavarësisë së Kosovës”. “Në këtë ditë të shënuar, shqiptarët vlerësojnë si heronj kombëtarë Presidentin Clinton, Kryeministrin Tony Blair dhe Presidentin Bush, dhe nderojnë me respekt e mirënjohje të thellë kontributin e jashtëzakonshëm të tyre ndaj kombit shqiptar”, - vijoi Kryeministri. Ministri Coaker vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe lidhjet shumë të ngushta të bashkëpunimit midis dy qeverive. Ai vlerësoi arritjet shumë evidente të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit. Ministri Coaker i bëri me dije Kryeministrit Berisha se vizita e tij ka për qëllim të rikonfirmojë këto marrëdhënie të shkëlqyera dhe t’i rishprehë Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të qeverisë së Britanisë së Madhe për reformat, si dhe për anëtarësimin e plotë në NATO dhe hapat e mëtejshëm të integrimit në BE. “Jemi shumë të lumtur që Shqipëria do të jetë së shpejti anëtar i plotë i NATO-s dhe jemi të sigurt se me politikën e saj konstruktive e të maturuar në rajon, Shqipëria do të jetë një anëtar i rëndësishëm i NATO-s dhe do të ofrojë një kontribut të madh për stabilitetin e paqen në rajon”, - u shpreh ministri Coaker.