E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Coaker: Shqipëria, e denjë për në NATO



Britania e Madhe vlerëson se Shqipëria do të jetë një anëtare e denjë për në NATO. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në mjediset e Pallatit të Brigadave ministrin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Coaker, me të cilin pati një bisedë të ngrohtë e miqësore. Presidenti shprehu interesimin e shtetit shqiptar për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të frytshëm mes dy vendeve në të gjitha fushat, por sidomos në aspektin e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Topi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Britania e Madhe i dha Shqipërisë në marrjen e ftesës për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit, si rikonfirmim i kësaj mbështetjeje, për të cilën z. Coaker e siguroi kreun e shtetit shqiptar, “që do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të aspiratave integruese të vendit tonë”. Z. Coaker vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon e më gjerë, duke theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të partneritetit të shkëlqyer dhe bashkëpunimit të frytshëm mes vendeve tona. “Shqipëria e ka provuar tashmë se do të jetë një aleate dhe anëtare e denjë e NATO-s”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›