Dosjet, Starova: Kushtetuesja, pjesë e problemit
Kryetari i PBLD-së, Arjan Starova, akuzoi dje Gjykatën Kushtetuese se me vendimin e pezullimit të ligjit të dosjeve provoi se është pjesë e problemit, që ka synuar të zgjidhë zbatimi i ligjit për pastrimin e figurave publike.
Sipas kryetarit Arjan Starova, "në vend që të merrte një vendim të tillë, Gjykata Kushtetuese duhej të kishte respektuar vetveten si institucion, duke shpallur paaftësinë e vet për marrjen e këtij vendimi, për shkak të konfliktit të interesave”. Sipas tij, rrugëzgjidhja e vetme, e cila do t'i hapte rrugë zgjidhjes së problemit, ishte dorëheqja e atyre anëtarëve të gjykatës, që janë të vetëdijshëm se nuk duhet të jenë pjesë e këtij institucioni, duke dhënë kështu një shembull morali të lartë si njerëz të drejtësisë. "Me këtë veprim, kjo gjykatë shpalli hapur qëndrimin shpërfillës kundrejt krimeve të komunizmit, të njëjtë me partinë kryesore opozitare, PS-në", - u shpreh Starova.