E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello:Miratimi i Kodit, plus i madh për bisedimet

11/01/2005  Ministri i Shtetit, Marko Bello, ka vlerësuar dje se deklarata e dhënë nga Luksemburgu, që ka Presidencën e radhës së BE-së, se në Shqipëri janë ngadalësuar reformat është për shkak të informacioneve të vjetra që ka ky shtet. Megjithatë, ai tha se kritikat janë "motivim për të ecur përpara". Në takimet që priten të zhvillohen me grupin e task forcës në mes të muajit janar duket se do të kenë kryefjalë procesin zgjedhor dhe atë se çfarë ka arritur politika shqiptare. Sipas ministrit Bello, "ndalja e reformës do të thotë që të mos bëhet asgjë, të mos marrim "frymë" në Shqipëri. Situata në vendin tonë është krejt ndryshe nga ato që thotë Presidenca e Luksemburgut". Sipas tij, "të gjitha detyrimet po realizohen. Detyrimet që kishim në kodin e matricave, të cilat kanë dalë dhe në analizat e fundit të qeverisë, çdo gjë ka shkuar shumë mirë dhe viti 2004 ka qenë një nga vitet më të suksesshme të qeverisjes socialiste. Çdo kritikë është e mirëpritur dhe ato bëjnë që të shkojnë gjërat në vend".

Zgjedhet

Miratimi i Kodit Zgjedhor, për ministrin Bello, përbën "një hap pozitiv, në kuadër të takimeve me grupin e task-forcës, sepse miratimi i kodit qe një nga kushtet, që reforma elektorale të ishte sipas standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët". Puna disamujore e komisionit për reformën zgjedhore në Kuvend dhe grupit të ekspertëve për hartimin e një kodi zgjedhor konform rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODHIR, ka bërë që gjithë vëmendja e politikës shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare të përqëndrohet në këtë projektligj.

Ndarja elektorale

Duket se hartimi i draftit për ndarjen e re të zonave elektorale nuk përbën asnjë problem në takimet e negociatorëve shqiptarë me grupin e task-forcës së BE-së. Sipas ministrit të Shtetit, "miratimi nga 15 shkurti i draftit për ndarjen e re të zonave elektorale nuk është ndonjë problem i madh në negociatat me task-forcën". Sipas tij, nga qeveria dhe maxhoranca socialiste është parë si primare "miratimi i kodit, i cili kishte një rëndësi të madhe, pasi përmbante një afat ligjor gjashtë muaj para procesit të votimeve, ishte një kusht që duhej plotësuar". Monitorimi që institucionet ndërkombëtare i bëjnë situatës në Shqipëri ka sjellë gjetjen e një gjuhe të përbashkët të dy forcave kryesore të politikës shqiptare. Nënshkrimi i marrëveshjes më 30 dhjetor mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, për zhbllokimin e punës për reformën zgjedhore dhe zhvillimi i një seance të jashtëzakonshme të parlamentait për miratimin e kodit, bëhen për të plotësuar rekomandimet e BE-së dhe për të fituar "testin" e integrimit të vendin në këtë strukturë. Vacek monitoron nga salla votimin Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Pavle Vacek, ka preferuar të ndjekë që nga salla e parlamentit votimin e Kodit Zgjedhor. Që në fillim të seancës, Vacek ka qenë i pranishëm në ambientet e parlamentit, i shoqëruar nga sekretari për politikat në OSBE. Vetëm pasi është konfirmuar votimi i nenit të parafundit të kodit, Vacek ka lënë selinë e parlamentit, duke shprehur kënaqësinë për miratimin e nënshkruar dhe me bekimin e tij në ditën e fundit të fitit 2004. Të njëjtin interesim dje ka pasur dhe Këshilli i Evropës që në sallë kishte dërguar ekspertët e tij, të cilët kanë ndjekur me vëmendje të gjithë procesin. Ndërsa duket se dje ka qenë seanca më me pak debate, kjo për shkak të konsensusit të arritur më parë mes socialistëve dhe demokratëve. Vëzhgues në seancë dje kishte dërguar dhe Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Këshilltari politik, Afrim Krasniqi, ka ndjekur me vëmendje diskutimet në parlament si dhe zhvillimin e votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›