E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet grupi për ndarjen e re zonale

11/01/2005  Kuvendi ka shfuqizuar dje ndarjen elektorale. Me propozim të kryetarit të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe atij të Partisë Demokratike, Bamir Topi, është vendosur që të miratohet ndarja e re brenda afateve të parashikuara në marrëveshje. Madje, me propozimin e të dy kryetarëve të grupeve parlamentare kundërshtare, janë pranuar dhe kriteret që do të përdoren në ndarjen e re zonale. Kjo ka sjellë një përplasje mes socialdemokratëve dhe Kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbit. Sipas Gaqo Apostolit, marrëveshja për ndarjen e re zonale nuk mund të funksionojë, pasi Gjykata Kushtetuese, tri ditë më parë, e ka cilësuar antiligjore ndarjen e kufijve zonalë, duke u bazuar në votuesit që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit. Por kryetari i parlamentit tha se në vendimin e marrë në Kodin Elektoral janë parashikuar të gjithë elementët kushtetues dhe nuk ka pse të ketë përplasje. Duket se me vendimin e marrë dje për ndarjen zonale, i votuar në konsensus të plotës mes socialistëve dhe demokratëve, protokolli i nënshkruar nën monitorimin e OSBE-së do të zbatohet i plotë. Për këtë çështje të hënën e ardhshme do të votohen dhe anëtarët e komisionit të posaçëm, që do të merret me këtë çështje. Ndërsa që dje nisën bisedimet e para për ekspertët që do të merren me ndarjen e re zonale. Sipas protokollit të nënshkruar mes Bamir Topit, Gramoz Ruçit dhe Pavle Vacek, ndarja e re zonale duhet të votohet në parlament brenda tri javëve të para të muajit shkurt. Kjo përcakton që afati maksimal për datën e zgjedhjeve në Shqipëri është mesi i muajit shtator.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›