E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vendi i dyte nuk eshte ne mode

10/01/2005  

Prurja e re në PD, nëpërmjet Komitetit të Orientimit të Politikave duket se nuk do të jetë e lehtë të pranohet nga strukturat e kësaj partie, të paktën jo për një kohë të shkurtër. Ndoshta kjo është një prej gjërave të mira në këtë parti. Debati brenda saj, i cili ka kohë që ka munguar, mund të marrë një zhvillim pavarësisht se motivi i këtyre ditëve nuk është shumë fisnik.

Njerëzit e vendit të dytë

Strukturat aktuale të drejtimit në Partinë Demokratike kanë arritur të qëndrojnë në të gjitha zgjedhjet në vendin e dytë. Kjo nuk është pak. Në kushtet e një opozite në tranzicion, ku përgjithësisht partitë që lënë pushtetin shkatërrohen dhe ndërtohen mbi to parti të tjera të reja në formën e listave, qëndrueshmëria e Partisë Demokratike në këtë vend është për t’u përshëndetur. Ajo nuk ka lënë krah të lirë në të djathtë për të formuluar një lëvizje tjetër, ndërkohë që nuk ka rënë nga vendi i nderit. Në Lindje, përgjithësisht ka ndodhur ndryshe. Partitë humbëse kanë lindur parti teknicienësh, duke shkatërruar apo lënë pas dore strukturat e partive të mëdha të viteve ’90, ’91. Humbja e PD-së, në ’97, nuk ka qenë aspak një terren normal që partia të mbijetonte e po ashtu dhe vitet pasardhëse nuk kanë qenë më të lehta, në kushtet e një represioni politik dhe ekonomik nga ana e mazhorancës.

Kjo tregon se PD është një forcë e madhe politike në Shqipëri dhe se meritë për këtë ka i gjithë trupi udhëheqës i kësaj partie dhe strukturat anësore të saj, qoftë sekerariatet e ish-departamentet e qoftë ato në bazë.

Brenda këtyre strukturave ka njerëz me përvojë të pazëvendësueshme dhe me profil politik mjaft të rëndësishëm edhe për të ardhmen e pritshme qeverisëse të opozitës aktuale. Problemi që ka pasë PD brenda vetes, ishte mungesa e praktikave “të tregut” brenda saj, ndërkohë që ka implementuar tregun në të gjitha aspektet e vendit. Kjo distancë mes qëllimit dhe praktive në PD ka rrënjosur brenda saj struktura, të cilat edhe pse kanë ndryshuar në njerëz, vazhdimisht ka pasë prurje të reja, nuk ka sundur si ndryshim, por thjesht si rinovim, pra jo një thelb ndryshe, por një pamje ndryshe. Vendosja e Komitetit të Orientimit të Politikave te pragu i derës së kësaj partie është një sinjal për të gjitha strukturat e saj jo për të lëshuar vendet, që duhet t’i lëshojnë disa, por për të konsoliduar debatin, që sapo është hapur në korridoret e partisë më të madhe të opozitës.

Prej kohësh, të pamësuar me debatin e hapur, ata do ta kenë të vështirë të suportojnë edhe këtë debat, të cilin natyrshëm disa prej tyre do ta kanalizojnë sipas interesave. Gjëja më e keqe që mund të ndodhë është shuarja apo mpirja e debatit, pranimi i komitetit ashtu si është paraqitur, seleksionuar apo përmbledhur. Afrimi i komitetit nga zyrat e shoqërisë civile apo administratës te mendimi politik dhe qeverisës i Partisë Demokratike do të jetë në të njëjtën kohë edhe artikulim i vlerave të kësaj partie dhe matje për mundësitë akumulese të saj. Njerëzit e vendit të dytë kanë mundësi të zgjerojnë kapacitetet e tyre deri te vendi i parë. Ja pse duhet që xhelozia e tyre duhet dalë jashtë skutave dhe të futet në tregm atje ku mundësitë e matjes janë më të mëdha, pa firo dhe pa manipulime.

Të (pa)nevojshëm

Numri i anëtarëve të Komitetit të Politikave shkon në 40, një bllok potencial edhe për të bërë një lëvizje politike më vete. Duket se sicili prej tyre, apo të gjithë në grup, kanë gjetur rrugën më të lehtë. Të shfrytëzojnë momentin politik të PD-së për të marrë pjesë në vendimmarrjen politike të vendit, për të dhënë mendimin e tyre rreth politikave të ndryshme dhe për të qenë në garë, pa shumë sakrifica pranë partisë, por me një thes me sakrifica larg saj. Secili prej tyre ka një CV, e cila nuk është e lehtë të arrihet. Kanë studiuar jashtë, kanë kryer projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, disa jepnin leksione në Ha////////ëard apo ndonjë universitet tjetër, të tjerë ende janë në Zvicër, Afganistan apo Kosovë. Ndoshta fare pak prej tyre kanë marrë pjesë në protestat e vjedhjes së votës, kanë qëndruar në selinë e PD-së, apo pranë saj gjatë ditëve të vështira të ’97 dhe tetorit të ’98. Ata nuk kanë përmbajtje militanti te PD, por ama kanë mbijetuar pa ndihmën e partisë së parë apo të dytë, kanë qenë të nevojshëm në administratën e majtë dhe të djathtë, kanë kryer aksione të rëndësihsme personale, kanë ndërtuar një figurë të rëndësishme për veten e tyre dhe opinionin, pra në thelb janë njerëz që kanë sakrifikuar si qytetarë pa ndonjë ideal të qartë politik në mendje dhe as pa e fiksuar se këto sakrifica i kanë bërë vetëm për hatër të Partisë Demokratike. Secili prej tyre mund të jetojë jashtë rrjedhave politike, bile shumë mirë, nuk presin të punësohen prej saj, pasi janë në punë dhe nuk presin pushtet kushedi se çfarë, se një pjesë të këtij pushteti e kanë falë arritjeve të tyre. Për të gjitha këto ata janë qytetarë shumë të mirë të këtij vendi, por larg frymës partiake dhe opozitare, me të cilën është e veshur PD, ashtu si çdo parti tjetër në opozitë. Të thirrur në Komitetin e Orientimit të Politikave, ata janë në gjendje të sjellin në parti formatin e tyre që i mungon kësaj partie. Ata janë përfaqësuesit e 5 përqindëshit që i duhet shumë PD-së dhe nëse ky Komitet, pavarësisht detyrave të tij në programin e PD, mund të sjellë edhe kaq vota atje, është një aleat i mirë militantesk, elektoral dhe secili prje tyre mbetet të thirret në këta emra, nëse ju pëlqejnë apo ju bëjnë punë.

Disa prej tyre do ta kenë të vështirë të kuptojnë xhelozinë e selisë blu, e cila i ka thirrur vetë dhe do ta shijojnë aftësinë e kësaj xhelozie për t’i futur në parti dhe për t’i bërë pjesë e saj. Ky është një mekanizëm shtesë, prej të cilit do të përfitojnë ata që e kanë. Pjesa tjetër e 40-esh do të mbetet në perimetrin e vet profesional, pa mundur të çukisë xhelozinë e strukturave të PD-së, e cila është shfaqur këto ditë si një ftesë bujare në matjen e forcave mes teknicienëve dhe strukturave mes organizimit të përditshëm dhe organizimit elektoral.

Formula e sigurisë

Nga të dy palët ka vend për ndrojtje. Por mendja të shkon se më së paku ka vend për ata që janë në selinë e PD-së apo rreth saj. Nëse hedh vështrimin larg vetes, sheh se ka një hapësirë të pamatë dhe gjithkush mund të qëndrojë atje, diku më afrë, apo diku më larg teje. Nëse sheh vetëm rreth hijes tënde, e ke të vështirë ta kuptosh këtë hapësirë, duke mbetur vazhdimisht roje e hijes. Ky është shpjegimi në teori. Por, në praktikë, me njerëzit lojtarë nuk ndodh kështu. Militantët e PD-së, të cilët ndërkohë janë edhe drejtues të strukturave të saj, apo me kontribut të gjatë e të domosdoshëm, atje kanë nevojë për formulën e sigurisë, e cila megjithatë nuk duhet të përjashtojë tregun. Ata janë gatuar me këtë mënyrë të funksionuari dhe nuk e kanë shumë mendjen te “make up” politik, organizativ dhe në fund të fundit publik. Larg shumë hamendjeve që mund të vijnë në oborrin e opozitës për të ardhurit dhe për “vendalitë” ka një moto që qëndron në ajër prej kohësh atje. Në politikë, vendi i dytë nuk është në modë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›