Ferguson: Runi do të luaj
11/01/2005 Trajneri i Mançester Junajtid, Sir Aleks Ferguson, ka pranuar se Uejni Runi do të jetë në dispozicion të plotë, për t’u aktivizuar në takimin gjysmëfinal të Kupës Karling, kundër Çelsit. Pavarësisht nga barazimi pa gola i djajve të kuq në Kupën FA, kundër modestëve të Ekseter, trajneri skocez kërkon të ndryshojë gjithçka, duke mposhtur skuadrën e Murinjos. Ferguson ka përjetuar një shok të madh, pas ndeshjes me Ekseter, por ka menduar se duke e përfshirë në formacionin titullar të skuadrës anti-Çelsi, padyshim që një fitore do të ishte më se e arritshme. Për Mançester Junajtid, ecuria në Kupën Karling ka qenë mjaft pozitive, ku dy kundërshtarët e fundit të eliminuar nga djemtë e Ferguson, kanë qenë Kristal Palas dhe Arsenali. Sidoqoftë, Sir Aleks është i vetëdijshëm se, kundër liderve të Premier Ligës nuk do të jetë aspak e thjeshtë. Tashmë trajneri skocez, e di fare mirë se së shpejti në fundjavë e pret një tjetër sfidë e vështirë me Liverpulin në kampionat, por nga ana tjetër, ai nuk kërkon t’i tolerojë aspak blutë e Londrës. Nuk do të ishte çudi e madhe, nëse planet e Ferguson do të ndryshonin me të shqyrtuar ecurinë e gjendjes fizike të lojtarëve që ka në dispozicion. “Ka shumë mundësi që Uejni do të jetë i gatshëm për të luajtur me ne në sfidën e ditës së mërkurë, ka komentuar Ferguson. Është e vërtetë që ai ka munguar në tre takimet e fundit, por ka zhvilluar seanca të plota stërvitore, së bashku me pjesën tjetër të skuadrës. Prandaj, unë mendoj që ia vlen të kem në dispozicion edhe një sulmues si ai”. Runi ishte i pezulluar për tre takime me radhë, si pasojë e dënimit që ka marrë nga Federata Angleze. Kjo e fundit, ka ndëshkuar me tri ndeshje skualifikim, sulmuesin e talentuar 19 vjeçar, si rezultat i një zënke agresive në fushën e blertë me mbrojtësin e Boltonit, Tal Ben Haimi. Po ashtu, pritet që Ferguson edhe në këtë takim të vështirë do t’iu zërë besë lojtarëve më të rinj në skuadrën e tij, siç mund të jenë O’Shi dhe Fortun. “Nëse unë nuk do të aktivizoja lojtarët e rinj në një takim të Kupës FA në shtëpinë tonë, përballë 67.000 spektatorësh dhe sidomos kundër një skuadre pa eksperiencë, atëherë me siguri, kjo taktikë do të quhej e gabuar”-ka përfunduar Ferguson.