E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI dhe LZHK nuk do të kenë të drejtën e anëtarit në numërimin e votave

11/01/2005  Pas gjashtë muaj debatesh, Kuvendi ka arritur të miratojë Kodin e ri Zgjedhor. Me 92 vota pro 10 kundër dhe 5 abstenime, deputetët kanë pranuar ndryshimet e paraqitura nga Komisioni Bipartizan dhe nga Komisioni i Ligjeve. Sipas ndryshimeve të bëra, Moisiu duhet të përcaktojë datën e zgjedhjeve të paktën 75 ditë para përfundimit të mandatit të parlamentit, pra para datës 16 qershor. Gjatë pesë orë votimesh, përfaqësuesit e PD-së dhe të PS-së kanë hedhur poshtë çdo tentativë të dy partive të reja, për ndryshimin e Kodit në favor të tyre. Ashtu si dhe ishte parashikuar në vendimin e Bipartizanit, në komisionin e numërimit të votave do të marrin pjesë vetëm tre parti nga opozita dhe tre parti nga mazhoranca. Nga opozita do të jetë PD, PR dhe PDR, ndërsa nga socialistët do të jenë PS, PSD dhe PBDNJ. Nga 100 komisionet e numërimit të votave që ka Shqipëria, të cilësuara Komisione Zgjedhore Zonale, në 50 prej tyre PD do të ketë 2 anëtarë, ndërsa në 50 të tjera dy anëtarë do të ketë PS. Kjo për vetë faktin se KZZ-të përbëhen nga 7 anëtarë. Një procedurë e tillë ka përjashtuar nga marrja pjesë në KZZ të LSI-së dhe të LZHK-së. Konsensusi i të dy partive të mëdha kanë hedhur poshtë amendamentet e paraqitura prej Presidentit të Republikës, i cili ka kërkuar që PD dhe PS në votimin e tyre të marrin parasysh ndryshimet e forcave në Kuvendin e Shqipërisë.

Numërimi i fletëve të votimit

Sipas propozimeve të Komisionit Bipartizan, i gjithë procesi i numërimit të votave do të pasqyrohet në monitorë të posaçëm. Ndërsa, ndryshe nga një vit më parë, fletët nuk do kontrollohen në Komisionet e Qendrave të Votimit, por në Komisionet Zgjedhore Zonale. Transportimi i kutive të votimit do të bëhen me mjetet e KQZ-së. Shoqërimi do të bëhet vetëm nga një pjesëtar i forcave të Rendit, kurse anëtarët e KQV-ve nuk do të jenë në makinën e transportit, por do ta shoqërojnë atë me mjete të tjera. Gjatë hapjes së kutive të votimit dhe numërimit të fletëve, media do të lejohet të jetë prezente. Ndërsa partitë joparlamentare do të kenë të drejtën që të kenë nga një vëzhgues në komision. Të shtatë anëtarët e KZZ-së do të kenë në dispozicion të tyre pesë grupe pune, që do të propozohen po nga partitë që kanë të drejtën e një anëtari në KZZ. Do të jenë grupet e punës, që do të ndërmarrin procesin e numërimit të votave. Kjo do të sjellë përshpejtimin e procedurës për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Data e zgjedhjeve

Sipas Kodit të ri Zgjedhor, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve të përgjithshme jo më vonë se 75 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Me vendim të Kuvendit, mbyllja e legjislaturës dhe shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 3 ditë para kësaj date. Sipas këtij përcaktimi, afati minimal për zhvillimin e votimeve në Shqipëri është data 4 korrik. Duke parë se muaji korrik dhe gusht është muaj pushimesh, deputetët kanë vlerësuar se më e mira do të ishte zhvillimi i votimeve në qershor, ose në shtator. Burimet thanë se kjo do të jetë një pikë e diskutimit mes Presidentit të Republikës dhe partive politike. Gjithsesi, me votimin e djeshëm, i është dhënë fund debatit mbi kodin zgjedhor në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›