E Diel, 1 Nëntor 2026

PD akuzon Ramën për mosdeklarim të të ardhurave e mospagim të taksave

TIRANE- Partia Demokratike vijoi edhe sot akuzat ndaj kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, për thyerje të ligjit, “për shkak të mosdeklarimit të të ardhurave, por edhe për mospagim të taksave”. "Para 8 ditësh morëm vesh nga media se Edi Rama ka thyer ligjin, duke mos bërë deklaratën e të ardhurave dhe për 7 ditë tashmë, Edi Rama ka qëndruar i heshtur, duke refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve shumë të thjeshta që kanë qytetarët", tha në një konferencë për mediat Laura Vorpsi, zëdhënëse e PD.

Sipas saj, "Rama tashmë është nën hetim nga Zyra e Tatim-taksave për mosdeklarimin e të ardhurave dhe pallati i Linda Ramës është nën hetim nga Zyra e Prokurorisë për parregullsitë me lejen e ndërtimit".

Vorpsi vijoi më tej me akuzat ndaj Ramës, duke theksuar se "çifti Rama jo vetëm që mund të ketë kryer evazion fiskal, duke mos paguar detyrimet mbi fitimet e librit Kurban, por mund të ketë kryer edhe evazion fiskal me ndërtimin e pallatit në Tiranë dhe vilës në Dajt, ose madje edhe marrje ryshfetesh dhe pastrim parash".

Sipas zëdhënëses së PD, qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën para se të hidhet qoftë edhe një votë e vetme. "Pse Edi Rama e vonoi deklaratën mbi të ardhurat nga libri Kurban? Cili është burimi i 5 milion lekëve të ardhura të pashpjegueshme të Kurbanit? Kur do t’i paguajë Edi Rama edhe të paktën 500.000 lekë taksa detyrime që ende nuk i ka paguar për Kurbanin? Mos mendon Rama se ai është mbi ligjin?", u shpreh Vorpsi, e cila ngriti pyetje për përgjigje nga Rama lidhur me kostot e ndërtimit të pallatit të Linda Ramës në Tiranë, por edhe me blerjen e tokës për ndërtimin e vilës në Dajt. "Tashmë ka ardhur koha që Edi Rama të mos e fshehë më të vërtetën dhe t’i përgjigjet pyetjeve të qytetarëve", - përfundoi Vorpsi. 

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›