E Diel, 1 Nëntor 2026

Belushi, në Shqipëri për të ngritur një biznes

 

Jorgjeta Gjançi

Rreth orës 10:00 James Belushi zbriti me helikopter në kodrën ku lartohet kisha e Shën Thanasit, mbi fshatin Qytezë të rrethit të Devollit. Një shekull më parë, aty jetonin prindërit e tij. Sapo shkeli në tokë përshëndeti përzemërsisht gjithë bashkëfshatarët, që ishin mbledhur për të pritur e nderuar mikun e tyre të rrallë. Shumë prej tyre i njihte edhe me emra. I kishte takuar në vizitën e parë, 13 vjet të shkuara. Shumë syresh që kishin ardhur nga fshatra të tjerë e veçanërisht nga Korça, ishin njerëz të afërt të prindërve të tij. Nuk reshtin fotografitë. Mandej hipur mbi një shkëmb në majë të kodrës, i përlotur vështroi për minuta të tëra fshatin. Por nuk ishte thjesht malli për vendin e të parëve, që e solli Belushin në Shqipëri. Duket se vendi i vogël është një shans i madh biznesi për aktorin. Ai është partner i një projekti për ndërtimin e minierave në zonën e Korçës. Bëhet fjalë për minierën e hekur-nikelit që gjendet në afërsi të Bilishtit, por edhe për miniera të tjera që ka interes kompania. Qyteza, me 27 shtëpi, nga të cilat vetëm 7 banohen edhe në stinën e dimrit, është e vendosur në të dyja anët e Lumit të Vogël, që zbret nga malet e Nikolicës. I vendosur në një gropë të rrethuar nga kodra e shpate të veshur malesh, në këtë prag dimri, Qyteza dukej sikur ishte strukur në brigjet e lumit për t’iu fshehur erërave të forta të dimrit. Familja e Belushit është larguar nga ky fshat pas Luftës së Parë Botërore, me dëshirën për një jetë më të mirë. Sigurisht James nuk e ka njohur jetën e fshatit. Lindi dhe u rrit në Amerikë, por për Shqipërinë dhe veçanërisht për Qytezën ka dëgjuar shumë nga prindërit e tij. Nuk pushonte së pyeturi. Donte të mësonte lagjet e fshatit, ku jetonin Xekat, Filipët, Donet, Farmaqët, Monikat e nënës së tij, Samsurët, Pajçinët, mbiemra që i ka dëgjuar nga prindërit dhe që vitet e fundit ka pasur rastin t’u njohë pinjollët, atje në Çikago të SHBA-së. “Dëshiroj që ta shëtis fshatin anembanë”, tha ai, kur zbriti nga maja e kodrës dhe bëri një pushim të shkurtër tek sheshi para Kishës së Shënkollit. Shëtitja nëpër fshat ishte një kënaqësi e madhe për aktorin. Ecte i përmalluar drejt vendit ku një shekull më parë lartohej shtëpia e babait të tij, edhe pse e dinte që aty gjithçka ishte sheshuar ndër vite. “Unë tani jam i gëzuar që jam në shtëpi!” Gruaja e moshuar Kristina Manka i afroi një gotë raki rrushi dhe i shpjegoi se e kishte djalin e kushërirës së saj. Aktori përsëri në gjuhën shqipe uron: “Gëzuar në shtëpinë tonë!” Mandej duke u kthyer nga maja e kodrës mbi themelet e shtëpisë atërore kërkon të sigurohet se atje burojnë ujërat e burimeve të Bunarit. Tek oborri i Kishës së Shënkollit qytezarët sipas traditës së tyre, kishin shtruar tryezat për të ngrënë drekë fshatçe. Ata i uruan mikut mirëseardhjen. James, gjatë drekës së pasur me ushqime tradicionale të fshatit, piu raki e hëngri mish të freskët bagëtie, pa harruar edhe lakrorin me dy petë të pjekur në saç, që gatuajnë gratë qytezare.

“Emrin tim, vërjani një ure”

Jeni sërish në Qytezë, si ndiheni?
Jam shumë i gëzuar që jam në shtëpinë e prindërve dhe të gjyshërve të mi. Eshtë shumë bukur të takoj njerëz të dashur. Kjo ma ngroh zemrën e ndihëm krenar.
Çfarë shënon për ju dekorimi nga Presidenti Shqiptar?
Ishte një nder i madh për mua që u dekorova. Më patë në TV mbrëmë? Ndihem shumë mirë, aq më tepër që këtë rast e festoj sot me të gjithë njerëzit këtu. Gjithandej e kam ruajtur shpirtin e Qytezës. Më vjen shumë keq që babai im nuk ishte dje që ta shihte këtë dekorim. Unë gjithandej nga kam shkuar nëpër botë e kam ruajtur shpirtin e Qytezës dhe të Sinicës.
Si do të ndiheshit po të ngrihej një muze për ju në Qytezë?
Nuk e kam idenë se çfarë mund të vendosim në atë muze. Nëse bëhet për të vendosur ca fotografi, le të bëhet. Nëse është e mundur ta ndërtojmë, le ta ndërtojmë. Ose më mirë t’i vëmë emrin një ure dhe e lemë me kaq.
Çfarë ndryshimesh shihni nga hera e parë, që keni ardhur dhe a do ta ndërtoni shtëpinë e babait tuaj?
Në Tiranë kam parë shumë progres. Kryeministri, Presidenti dhe kryetari i Bashkisë në Tiranë kanë punuar shumë gjatë viteve të fundit. Kam parë ndryshime të mëdha, që kanë ndodhur në Shqipëri nga viti 1995.
Sa ka ndikuar në karrierën tuaj të qenit shqiptar?
Babai im ka lindur këtu, ndërsa unë në Amerikë. Kjo origjinë ka pasur një ndikim dhe impakt shumë të madh në karrierën time, sepse shpesh frymëzimi im kanë qenë njerëzit që më kanë rrethuar. Patjetër që ka pasur ndikim të madh.
Çfarë projektesh keni në duar?
Kam lexuar disa skenarë, por ato nuk përbëjnë plane urgjente për t’i zbatuar. Po pas tre javësh në festivalin që organizon Tirana International Film do të jetë një film i djalit tim Robert, i cili ka qenë me mua 13 vjet më parë këtu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›