Mbyllet ekspozita në Ministrinë e Kulturës, zhduken punët e Verena Kyselkës
Të censuruara sërish. Këtë herë jo në diktaturë, por në demokraci, madje në mes të ditës. Ekspozita e artistes gjermane Verena Kyselka është mbyllur një javë para afatit, ndërsa punët nuk dihet ku kanë përfunduar. Kur në Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, u prezantua performanca e artistes gjermane Verena Kyselka, “Territori i intimitetit - Puthjet e munguara”, sigurisht që u bë bujë. Artistja gjermane guxonte të ironizonte me filmat shqiptarë të realizuar gjatë viteve të diktaturës. Dhe me pjesët më delikate. Me ato “territore intime”, ku duhet të kishte një puthje, por nuk kishte, sepse nuk lejohej nga sistemi. Ekspozita e saj me fotografi dhe video u hap për të dytën herë (pas Galerisë së Vogël) në galerinë “Ibrahim Kodra”, pranë MTKRS-së, në datën 7 nëntor. Pa kaluar as tre ditë, ekspozita nuk gjendet më aty. Askush nuk di asgjë për fatin e punëve të Verena Kyselkës. E shqetësuar për ekspozitën e saj artistja thotë për gazetën “Panorama”, se kjo që i ka ndodhur është vërtetë e çuditshme. “Pyes dhe askush nuk di se ku janë punët e mia. Shpresoj të mos jenë dëmtuar. Kam kërkuar takim me ministrin, por nuk më ka pritur. Jam ankuar në Ambasadën gjermane, që më ftoi dhe shpresoj të bëhet diçka”, thotë Kyselka. Ajo sqaron se askush nuk e ka njoftuar për mbylljen e ekspozitës. “Të paktën duhet të më kishin bërë një telefonatë”, thotë ajo e shqetësuar. Në ministri janë justifikuar me ardhjen e Michel Platinisë, por artistja nuk është e bindur se kjo është arsyeja e vërtetë. “Bëhet fjalë për bashkëpunim mes dy vendeve”, teksa shton se është absurde, që këto gjëra të ndodhin pikërisht në Ministrinë e Kulturës. Për të realizuar performancën e saj, Kyselka punoi tre javë në Arkivin e Filmit Shqiptar, ku qëmtoi pjesë nga 16 filma, të krijuar gjatë periudhës 1958-1992. Këtë absurditet ajo nuk e kishte ndeshur askund tjetër. Me qesëndi vërente se në filmat tanë kishte më shumë puthje mes burrave se sekseve të kundërta. Por tanimë duhet të përballet me një absurditet edhe më të madh. Zhdukjen e punëve të saj në “shtëpinë” e kulturës. Alma Mile