E Diel, 1 Nëntor 2026

Ben Blushi: Kongresi jo statusor por politik, Kongresi i Bashkimit të PS



Anëtari i kryesisë socialiste Ben Blushi duke folur dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, kërkoi që kongresi i prillit të jetë kongresi i bashkimit të PS-së dhe jo një kongres i përcaktimeve dhe sanksioneve statusore. “Në lidhje me kongresin, kërkova që ai të jetë kongres politik dhe jo statusor dhe kongresi të jetë Kongresi i bashkimit të PS dhe jo i ndasive statusore”, është shprehur Blushi. Për një nga deputetët që kanë shprehur mendimin ndryshe në lidhje me bojkotin e Parlamentit në grupin, asamblenë dhe kryesinë socialiste, Blushi tha dje se qëndrimi shtatë mujor i PS-së jashtë Parlamentit nuk solli asnjë rezultat. “Më vjen mirë që e kuptuat që duhet t’i japim fund bojkotit, siç e kemi vendosur. Unë ua kam thënë se në këtë rrugë kutitë nuk hapen, kështu ndodhi dhe do të vazhdojë të ndodhë, e vetmja mënyrë për të hapur kutitë janë zgjedhjet e ardhshme. Në këtë kuptim ne duhet të jemi pa ekuivok për të hyrë në zgjedhje lokale, sepse ka pasur njerëz që e kanë vënë në dyshim hyrjen në zgjedhjet lokale. Asnjëherë s’duhet vënë në dyshim nëse duhet të hyjmë ose jo në zgjedhjet lokale, sepse aty mund të provojmë që kemi qenë shumicë në 28 qershor duke fituar zgjedhjet lokale. Gjithashtu PS duhet të mbajë një qëndrim të qartë para shqiptarëve për çështjen e liberalizimit të vizave”, është shprehur Blushi. Duke parë ecurinë e diskutimeve të djeshme në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, Blushi ka propozuar daljen e këtij forumi me një qëndrim unanim i cili duhet të votohej. “Ne jemi mbledhur sot për të dalë me një vendim, por nuk po shoh asnjë projektrezolutë apo vendim që duhet në fund ta votojmë”, u shpreh Blushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›