E Diel, 1 Nëntor 2026

Tridhjetë minuta kokë më kokë, por Pëllumbi del kundër Ramës në Asamble për bojkotin



Aristir Lumezi

Profesori i socialistëve Servet Pëllumbi kërkoi dje në mbledhjen e asamblesë ndërprerjen e bojkotit të Parlamentit.Pak pas fjalës që mbajti në asamble, Pëllumbi doli nga salla e mbledhjes dhe nën shoqërinë e kryetarit socialist, Edi Rama u ul në verandën e resort “Xibraku”. Qëndrimi i profesorit duket se kishte nxjerrë në pah rezervat e Ramës për çështjen e bojkotit të Parlamentit. Gjatë gjithë qëndrimit me Pëllumbin, Rama është munduar t’i japë atij argumente pse PS dhe grupi i saj parlamentar detyrohen të vendosin këtë marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Pas rreth një gjysmë ore qëndrimi bashkë, i cili ngjalli interesin e mediave dhe fotografëve e operatorëve të televizioneve, profesori i socialistëve u largua nga mbledhja e asamblesë, por sqaroi qëndrimin e tij para gazetarëve, qëndrim që nuk përputhej me atë të kryetarit Rama.
Pëllumbi
“Unë për vete kisha mendimin dhe e shpreha në mbledhjen e asamblesë që grupi parlamentar i PS-së duhet të marrë pjesë aktive në jetën parlamentare. Bojkotimin të mos e ketë në plan të parë por ta ketë të fundit dhe në plan duhet të ketë pjesëmarrjen aktive në debatet në seancën plenare, në komisionet parlamentare dhe në grupet parlamentare që përfaqësohet në Parlamentin Evropian, në Këshillin e Evropës, në asamblenë e OSBE-së apo në atë të Evropës, në asamblenë e OSBE-së apo në atë të Detit të Zi. Në të gjitha strukturat PS që tani e tutje duhet të jetë shumë aktive sepse realisht për mendimin tim atë që pritej të realizohej përmes bojkotit e realizoi. Opinioni e kuptoi që zgjedhjet janë manipuluar në mënyrë masive, që për manipulimin e zgjedhjeve është përdorur kryesisht paraja dhe jo dhuna siç u përdor në 96 dhe gjithashtu faktori ndërkombëtar e kuptoi se çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Këtej e tutje duhet të çmontohet ky Parlament dhe kjo maxhorancë përmes luftës parlamentare”, u shpreh Pëllumbi. I pyetur nëse dhe zoti Rama bashkohej me qëndrimin e tij, profesori tha se “nuk kishte ndonjë kundërshtim në përgjithësi, megjithëse mund të ketë ndonjë rezervë në praktikën e zbatimit të njërit variant nga varianti tjetër”.
Rama
Kreu socialist që në nisje të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare përcaktoi qëndrimin e PS ndaj Parlamentit dhe maxhorancës.
“çdo hap që do ndërmarrim qëndron në besimin tonë të palëkundur se vetëm nëpërmjet transparencë kalon jo vetëm kriza parlamentare, por dhe kriza ekonomike dhe demokratike. Përsa kohë që Parlamenti nuk udhëhiqet në veprimet e tij nga Kushtetuta nga ligji apo rregullorja, PS nuk ka asnjë punë tjetër me këtë Parlament përveç çështjes së transparencës që vjen vetëm përmes hapjes së kutive. Do jemi aty për të dëshmuar vullnetin për transparencë dhe për zgjidhje parlamentare. Ne nuk do ta heqim kushtëzimin e pjesëmarrjes tonë me axhendën e punimeve të Kuvendit deri kur pushteti i Ruzhdies, nuk do të mbajë peng kutitë ku fshihet mekanizmi i korrupsionit elektoral” deklaroi Rama. Kreu socialist përsëriti qëndrimin se PS nuk do të kërkojë ndryshimin e rezultatit pavarësisht se çdo të nxjerrë hetimi i kutive të 28 qershorit por “nuk mund të heqim dorë nga transparenca sepse do të hiqnim dorë menjëherë dhe pa asnjë arsye nga e drejta për t’i dhënë çdo njeriu garanci çdo njeriu garanci në të drejtën e vet për të zgjedhur”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›