PD karshillëk PS më 1 Maj
BLEDAR HOTI
Maxhoranca do të dalë në shesh më 1 Maj, duke sfiduar protestën e socialistëve me festë. Demokratët kanë vendosur që 24 orë pas protestës së opozitës, t’i bëjnë karshillëk socialistëve duke festuar në sheshin “Skënderbej”, pikërisht me 1 Maj në ditën ndërkombëtare të punëtorëve. Demokratët vendosën të shfrytëzojnë ditën e pushimit, 1 majin, për të festuar për arritjet e tyre qeverisëse. Një fakt të tillë e bëri publik vetë kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ku pas përfundimit të Asamblesë së PS-së paralajmëroi dhe mitingun festiv të maxhorancës. “Zoti Rama ka paralajmëruar një protestë më 30 prill, e cila sigurisht që do të ketë fatin e të tjerave. Edhe më shpejt mund ta kishte bërë. Por ne ia kuptojmë hallin dhe kohën e gjatë që i duhet atij për të mbledhur qoftë edhe një grusht njerëzish. Ndërkaq ne kemi ndërmend të festojmë më 1 maj, me një entuziazëm që Tirana nuk do ta ketë njohur ndonjëherë më parë. Duke ruajtur simbolikën e kësaj date, me këtë festë do të nderojmë punën e përbashkët të gjithë shqiptarëve, lajtmotivin e reformave të kësaj maxhorance, sukseset tona që na kanë bërë të jemi anëtarë të denjë të NATO-s, që po mundësojnë liberalizimin e vizave dhe po rrisin shpejtësinë drejt BE”, deklaroi Patozi. Nënkryetari i PD-së theksoi gjithashtu se “ne nuk do të lejojmë kurrsesi që Edi Rama ta shndërrojë disfatën e tij personale në një dramë kombëtare”. “Kjo maxhorancë ka qenë e hapur, serioze dhe e sinqertë në të gjitha ofertat e saj për opozitën, duke respektuar të drejtën për të hetuar dhe çdo pretendim tjetër të saj, që nuk cenon Kushtetutën dhe rregullat e Shtetit Ligjor. Por siç po shikohet për ditë e më shumë, refuzimi i prerë i tyre tregon se kryetari i Partisë Socialiste është i vendosur për t’i shkuar deri në fund aventurës së tij politike, duke u përpjekur pa sukses që me lëvizjet dhe qëndrimet e tij të dëmtojë sa mundet imazhin dhe proceset integruese të Shqipërisë”, shtoi Patozi. Për përfaqësuesin e maxhorancës në Kuvend, asambleja e PS e thirrur nga Rama nuk prodhoi asgjë të re dhe asnjë befasi. “U shqiptuan të njëjtat slogane për gjoja transparencën dhe u theksua edhe një herë se grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk do të lejohet të dalë nga kutia. Gjeneratori i dëshpërimit, që po mban peng prej gati 8 muajsh forcën e vet politike, na tregoi edhe një herë, se nuk ka ndërmend t’u japë mundësitë deputetëve të përfaqësojnë me dinjitet në Parlament zgjedhësit e tyre. Por ky është një problem i Partisë Socialiste, që u takon atyre ta zgjidhin”, theksoi Patozi.
Precedenti me protestat dhe antiprotestat
Jo shumë kohë më parë socialistët dhe demokratët u përplasën në mitingjet ndërmjet tyre, duke matur forcat se cila parti ka dhe më shumë mbështetës. Më 20 nëntor socialistët dhe aleatët e saj zhvilluan protestën e tyre tre ditore, duke u ngujuar përpara sheshit të Kryeministrisë. Këtë protestë PS-ja e cilësoi si më madhështoren duke deklaruar se morën pjesë mbi 150 mijë persona. Demokratët ndërkohë organizuan kundërprotestën e tyre, duke synuar t’i tregojnë opozitës se janë ata që kanë më shumë mbështetës në radhët e tyre. Më datën 8 dhjetor, në ditën e Rinisë, PD-ja organizoi në sheshin “Skënderbej” mitingun e saj. Demokratët pretendonin se në këtë miting madhështor si kundërpërgjigje ndaj PS-së morën pjesë 500 mijë veta.