E Diel, 1 Nëntor 2026

Juliana Pasha: “Ju rrëfej emocionet e përgatitjeve për Eurosong”



Në skenë do të ngjitet pas një lutjeje drejtuar Zotit. Nuk do të kërcejë, do të këndojë anglisht e do të shoqërohet nga tre zëra “black”. Si dhe do të jetë më elegante dhe energjike më 25 maj, natën e parë të Festivalit të 55-të Europian, që mbahet në Oslo. Këngëtarja 30-vjeçare Juliana Pasha përfaqëson Shqipërinë me këngën “It’s all about you”, me muzikë të Ardit Gjebresë dhe vargje të Pirro çakos. Klipi i këngës është prezantuar tashmë, ndërsa ajo përgatitet të provojë emocione të reja në karrierën e saj muzikore. Si do të jetë perfomanca, imazhi dhe look-u i ri i këngëtares, i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”:
Përgatiteni të ngjiteni në skenën e Oslos më 25 maj. Si do ta përshkruanit ndjesinë para këtij konkurrimi evropian, hera e parë për ju?
Deri tani nuk i kisha ndjerë emocionet e kësaj pjesëmarrjeje në Eurovizion, por tashmë që po afron data e natës së parë, ndihem e emocionuar dhe e lumtur njëkohësisht, pasi është bërë një punë shumë e mirë për t’u përfaqësuar denjësisht.
Në Oslo është hedhur shorti dhe ju do të këndoni e 12-ta në festival. I keni dëgjuar këngët e tjera, dhe cilin/ën këngëtar e shihni si konkurrent të fortë?
I kam dëgjuar në fakt, dhe them ka këngë mjaft të mira ku mund të veçoja Belgjikën dhe Sllovakinë.
Kush do të jetë Juliana që do të shohim, si do ta sillni këtë këngë dashurie me titull “It’s all about you”?
Do të jetë Juliana që ka qenë gjithmonë, por më energjike.
A mund të jepni detaje për veshjen dhe look-un, këngëtaret para jush kanë punuar shumë për një imazh të ri, po ju?
Do të ishte bukur të mbetej surprizë...
Po deri tani dimë që nuk do të keni perfomancë koreografike, përse kjo ide?
Menduam kështu për të qenë sa me realë në performancën tonë dhe për të sjellë këngën e vërtetë. Megjithatë do të kem një mbështetje gjigande mund të them, pasi do të jem e shoqëruar nga tre backvocal të fuqishme dhe profesioniste.
Dhe ato janë këngëtaret e xhazit; Joy Garrison, Glenys Vargas dhe Desiree Kedjour. Pse zgjodhët zëra amerikane dhe jo këngëtare shqiptare për këtë konkurrim që në fakt përfaqëson Shqipërinë?
Ishte një ide e Arditit për të pasur më të mirët, ndaj zgjodhëm këto tre këngëtare me përvojë.
Ndërkohë në klipin e prezantuar u pa një ndryshim i look-ut tuaj por edhe dobësim i linjave. I jeni nënshtruar ndonjë diete kështu?
Jo. Unë nuk kam mbajtur ndonjë dietë kohët e fundit, po mbase lodhja dhe tensioni kanë bërë punën e tyre.
Në faqen zyrtare në facebook bën përshtypje shprehja juaj; “Atëherë kur të gjithë janë kundër teje, Perëndia është me ty”. Në jetën tuaj ka qenë ndonjë moment kur keni pasur gjithkënd kundër, kur, dhe si ja keni dalë?
Ka shumë momente në jetën e njeriut kur gjithçka është kundër dëshirave të tij për t’i realizuar. Unë nuk bëj përjashtim, kam edhe unë momentet e dobësisë sime, por forca ime është mbështetja te Perëndia dhe besimi se Ai ndodhet gjithmonë pranë meje.
Për shumë këngëtarë Festivali Europian është një ëndërr, që ju po e bëni realitet. çfarë ëndërroni tjetër pas kësaj në jetën tuaj?
çdo gjë që Zoti ka përgatitur për mua.
Cila do mund të ishte lutja që do i bënit Zotit, para se të ngjiteshit në skenë?
Që në çdo moment të këngës në zemrën time të ketë vetëm një mendim. Të lavdëroj Perëndinë tim që m’i ka dhënë të gjitha bekimet dhe më ka ngritur kaq lart. Amen!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›