E Diel, 1 Nëntor 2026

Rudina Dembacaj: Pse vendosa të imitoj Jozefina Topallin në “Portokalli”



Nëse keni imagjinuar një vajzë klasike, të egër apo të pjekur në moshë, në fakt është krejt e kundërta ajo që fshihet pas Jozefina Topallit të “Portokalli-së”. Rudina Dembacaj është e brishtë, e qeshur, karagjoze dhe sportive. Imituese kreative, që edhe kësaj here i është dorëzuar rastësisë si shumë zgjedhjeve të tjera që ka bërë në jetë. Gazetarja me profesion dhe studentja e juridikut, tani mund t’i hyjë aktrimit seriozisht. Në “Portokalli” shumë pak nga aktorët ia dinë emrin e vërtetë, ndërsa e quajnë Jozefina e re. Kush është Jozefina 22-vjeçare e “Portokalli-së”, si arriti të bëhej pjesë e këtij spektakli humori, i zbulon për herë të parë për “Panorama Plus”:
Rudina ju imitoni Jozefina Topallin në dialektin shkodran, po origjina juaj cila është?
Origjina ime është e përzier. Mami është nga Vlora, babi nga Malësia e Madhe, unë jam rritur në Lezhë dhe jetoj prej katër vitesh në Shkodër, ku ndjek studimet për degën e Juridikut në vit të fundit. Në Lezhë, ku unë jam rritur, të jepet mundësia të kesh kontakte me shumë dialekte, edhe pse janë brenda gegërishtes, dhe kjo më ka bërë të mos e kem të vështirë të imitoj znj. Jozefina Topalli. Por unë mund të imitoj këdo, madje edhe një personazh me dialekt nga jugu. Nëse regjisori i “Portokalli-së”, Altin Basha, do më kërkojë të realizoj një personazh nga Vlora, unë jam në gjendje ta imitoj.
Atëherë përse zgjodhe pikërisht znj.Topalli?
Ishte personazhi që unë realizova në audicionin për të hyrë në “Portokalli”. E perfeksionova dialektin e saj gjatë fushatës elektorale në Shkodër dhe qytete të tjera të veriut, kur më duhej të dëgjoja fjalimet e saj politike ndërsa punoja me stafin e marketingut në reklamimin e një pijeje energjike. Në fillim nisa ta imitoja ashtu si kot, derisa erdhi një ditë që arrita të flisja fiks si ajo.
Po cila ka qenë jeta juaj para se të hynit në “Portokalli”, kishit tentuar me aktrimin?
Unë kam mbaruar shkollën e mesme në Lezhë dhe kam qenë kryeministrja e shkollës për faktin se isha shumë e mirë me mësime, po dhe e shkathët në komunikim. Pas përfundimit të shkollës konkurrova për Shkenca Politike në Itali por nuk arrita të fitoj. Një vit më vonë nisa studimet për Juridik në Universitetin e Shkodrës. Më parë kisha prezantuar shumë koncerte në Lezhë, ndaj në Shkodër vendosa t’i hyj televizionit.
Gjatë fushatës elektorale, a mundët ta takonit ndonjëherë, po tani pas rolit keni marrë ndonjë reagim personal prej saj?
Jo, nuk kam pasur kontakt sepse nuk kam qenë gazetare politike, dhe tani s’kam marrë ndonjë reagim prej saj.
Ju nuk jeni një aktore, pse vendosët të provoni famën në këtë spektakël?
Në fakt imitimin e kam pasur dhunti të fëmijërisë sime, ndërsa imitoja mamin, hallat, apo të gjitha mësueset e shkollës. Ideja ishte e motrës dhe e një kushëriri, që më shtynë të provoja “Portokalli-në”, pasi unë jam natyrë shumë karagjoze dhe nuk rri dot pa imituar.
Ju e adhuroni Jozefinën, apo është kundërta?
Unë s’kam pasur ndonjëherë idhuj njerëz të famshëm në adoleshencën time dhe nuk kam. Kam qenë shoqja e motrës së madhe dhe kam pasur idhuj vetëm motrën dhe babain. Por Jozefina më duket shumë femër e fortë që përballon shumë vështirësi. Si pasojë e mbingarkesës që ka në punën e saj, normalisht vijnë gafat, të cilat i kap shumë lehtë një person që imiton.
çfarë gafash keni arritur të kapni ju te Jozefina?
Nxehjen e saj. Ajo nxehet, unë kënaqem duke përfituar për punën time. Faleminderit i them sepse ajo ka një punë me shumë stres, dhe nga mbingarkesa e saj unë sot kam një punë që e bëj me shumë pasion.
Ju lehtëson puna që luani në grup me aktorë tjerë, apo ju pëlqen më shumë të dilni vetëm?
Në momentin që dal në skenë nuk e konsideroj veten Rudinë, por Jozefinë. Dhe si Jozefinë patjetër duhet të kesh komunikim me të tjerët sepse ajo nxehet me ta, jo me veten. E kam më të thjeshtë kur dal në skenë me aktorë të tjerë, pasi kam dhe shumë mundësi për improvizime, gjë që jam e prirur ta bëj. Tashmë kam hyrë në karakter dhe e di shumë mirë si mendon Znj.Jozefinë. Në momentin që bëj si ajo më pyesni si të doni dhe të jeni të bindur që do përgjigjem si ajo, sigurisht me ekzagjerime të vogla.
Më shumë role i keni me Agron Llakaj pasi ai imiton Sali Berishën. Si është komunikimi juaj artistik dhe jashtë kësaj që ne shohim?
Për mendimin tim Agron Llakaj është i jashtëzakonshëm. është një shtyllë shumë e fortë në skenë pasi të ndihmon të dalësh nga situata të vështira. Edhe nëse harron tekstin, apo bën gafa, ai të nxjerr nga e papritur e pakëndshme. është i papërsëritshëm dhe deri tani kemi bashkëpunim shumë të mirë.
Meqenëse thoni që keni hyrë në brendinë e karakterit të saj, si mund ta përshkruanit?
Unë në momentin që imitoj dikë nuk krijoj përshtypje të mirë apo të keqe, thjesht i diktoj mendimet. Për mua Jozefina është figurë politike e respektueshme. Nesër mund të imitoj një personazh tjetër, kam shumë të tillë por nuk dua t’i zbuloj tani pasi më pëlqen t’i lë surprizë për publikun.
Si ju është dukur vetja kur e patë në pasqyrë për herë të parë pas grimit?
Nuk më pëlqeu vetja, herën e parë isha shumë e shëmtuar. Por unë s’e vras mendjen, nuk jam natyrë meraklie dhe ia lë gjithmonë pamjen time në dorë grimierit. Kjo ndodh dhe në jetën time të përditshme.
Por në skenë i përafroheni shumë, ndërkohë që në realitet jeni krejt ndryshe?
Po kam arritur elegancën e saj, pasi unë kam qenë një vajzë 89 kg, dhe me vullnet vendosa që brenda dy viteve të arrij peshën 58 kg. Ndërsa përsa i përket tipit, gjithmonë kam qenë një tip çlirët, e qeshur, e lezeçme, e komunikueshme dhe asnjëherë nuk i marr iniciativat me shumë shpirt dhe nerv. Jam tipi që shumë vendime të jetës ia lë rastësisë.
Nëse do ta takonit Jozefinën me çfarë fjalësh do i drejtoheshit?
Nëse do më jepet rasti do ta takoj do i drejtohem me fjalët “Si je burrneshë ?”. Por dhe po s’mu dha rasti, nuk do ta vuaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›