Qetsor Ferunaj - Këtë “Big Brother” mendoj se do ta fitojë një femër
klotilda harka
Qetsor Ferunaj shpreh opinionin e tij për banorët e BB3, lojën e tyre, ç’mendon për historitë e krijuara brenda shtëpisë, e vërteta e lidhjes farefisnore me Jetmirin, dhe si e sheh sjelljen e tij ndaj Klodianit. Fituesi i “Big Brother 2” jep gjykimin e tij për “Panorama Plus” nëpërmjet eksperiencës së tij personale:
Qetsor, po e ndiqni “Big Brother 3” dhe si po ju duket loja e banorëve, krahasuar me lojën tuaj?
E ndjek kur kam mundësi, dhe mendoj se loja e banorëve që po shohim në “Big Brother 3” nuk mund të ketë krahasim me lojën e banorëve të “Big Brother 2” në asnjë aspekt. Në “reality show-n” që po shohim këtë vit unë personalisht vë re shumë mangësi. Konkurrentët janë larg lojës sonë dhe këtë e them me bindje. Këtë vit kjo që shihni është “luftë ushtarësh”, ndërsa një vit më parë ndoqët “luftë mes liderëve” Qetsor, Ari, Adi, Juna, Aida, Bjordi, Adela, etj. Tani i vlerësoj ish- banorët e BB2 më shumë sesa më parë, kur ishim bashkë në një shtëpi. Mendoj që ka qenë një luftë vërtetë e fortë.
Kur flisni për mangësi, çfarë keni parasysh?
Them mangësi në kuptimin e lojës si lojë e vërtetë. Ne si konkurrentë të BB2 ishim grup i kompletuar, niveli i debateve tona ishte më i lartë, karakteret ishin më të vërtetë. Ndërsa këta banorë që po shohim në “BB3” nxituan të gjithë të krijonin lidhje intime brenda shtëpisë. Ndërsa tek ne ishte vetëm një lidhje, ajo mes Bjordit dhe Adelës që ndodhi natyrshëm dhe me shumë klas e ndjenjë mes tyre, e ndaj po vazhdon dhe jashtë shtëpisë. Historia e tyre ishte kulmi i atij “reality show” që rriti shikueshmërinë e spektaklit dhe bëri shumë publik për vete. Kjo ishte e vërteta, edhe pse historia e tyre ishte një disavantazh për mua, pasi ajo kërcënonte fitoren time.
Po pse gjykoni se lidhjet në BB3 nuk kanë klas?
Sepse këto lidhje që po shoh nuk kanë asgjë të përbashkët me lidhjen Bjordi-Adela, i shoh si lidhje të kithëta, aspak paralele me atë të një viti më parë. Më duken më shumë si lidhje spektakolare, pa shumë finesë dhe për më tepër si një mani e banorëve brenda shtëpisë për të krijuar patjetër një lidhje dashurie, duke menduar se kështu do të kenë sukses.
Njëri prej tyre që krijoi lidhje brenda shtëpisë është dhe Jetmiri, për të cilin është aluduar se është kushëriri juaj. Si është e vërteta?
Jo, nuk kam asnjë lidhje farefisnore me Jetmirin. Nuk e kam njohur atë personalisht, përveç një njohjeje rastësore që kam pasur me prindërit e tij. Jetmiri që po shihni në “Big Brother”, nuk është “Miri i Adelës”, kushëriri që përmendja unë në BB2. Ndërsa përsa i përket lidhjes së tij me Rrezartën, them nuk e kam ndjekur me ndonjë kuriozitet të madh, por e përgëzoj nëse ai ka arritur ta shijojë vërtet atë lidhje.
Duke pasur parasysh lojën e Jetmirit, opinionisti i BB iu drejtua atij me fjalët se “duket sikur ke bërë shkollën e Qetsorit”. Ju gjeni ngjashmëri të tij me veten tuaj?
Kjo puna e lojës së njëjtë me kufizon në përgjigjen time, pasi sado të luash lojën e dikujt tjetër, nuk mund të mos shfaqësh origjinalitet në një lojë 24 orë në 24. Mendoj që loja e Jetmirit s’ka të bëjë me lojën që mund të kem bërë unë. Kemi mbase sjellje të afërta si vlonjatë që jemi, por ajo që do theksoja është se ka një diferencë të madhe edhe në këtë origjinë të njëjtë. Kjo për faktin, pasi unë jam nga Dukati, pra jam provincial i Vlorës, ndërsa Jetmiri nga qyteti, dhe ne kemi shumë gjëra që na dallojnë, mënyra si mendojmë, si bëjmë humor, etj. Ah po, në një pikë jemi të përbashkët, që Jetmiri ka studiuar për Shkenca politike, e njëjta degë që unë po ndjek studimet tani.
Ju u identifikuat si karakteri i drejtpërdrejtë, po Jetmiri ju duket i tillë?
Të them të drejtën nuk e shoh shumë të drejtpërdrejtë në disa raste. Në lidhje me komunikimin e tij me Klodianin, unë shoh një sjellje dhune, më duket se Jetmiri ushtron presion ndaj djalit nga Lezha, në ato momente që unë i kam ndjekur.
E shikoni Jetmirin si fitues të “Big Brother 3”?
Nuk besoj pasi nuk më duket mirë në disa sjellje. Gjithsesi Jetmiri sillet dhe shprehet si e ndien dhe kjo është shumë e rëndësishme në një “reality show” si “Big Brother”. Por, ashtu siç e thashë më sipër, po e ritheksoj se ka një problem në mënyrën se si ai e lufton Klodianin, nuk shoh shumë stil në sjelljen ndaj tij. Por votat e publiku janë ato që vendosin dhe nuk e di ç’mund të ndodhë përderisa kjo sjellje e tij ka dhe anën e mirë sepse një pjesë e shoqërisë e pëlqen Jetmirin, pikërisht për mënyrën se si ai sillet ndaj banorit tjetër, që guxoi të bënte publike homoseksualitetin e tij.
Atëherë kush mund ta fitojë “Big Brother 3”, sipas jush?
“Big brother 3” mendoj se mund ta fitojë një femër.
Po ju si ndiheni tani që spektakli është në kulmin e tij dhe vëmendja do të përqëndrohet te një tjetër fitues?
Pse mendoni vërtet se do përqëndrohet vëmendja e publikut te “Big brother 3”? Më falni për mungesën e modestisë, por e them me bindje që fama jonë nuk përsëritet më.
Tashmë me çfarë jeni duke u marrë, cilat janë angazhimet tuaja?
I përkushtohem familjes sime në Orikum, ndjek studimet në Vlorë dhe ndërkohë jam, duke organizuar një projekt për zhytjet nënujore, pasi jam vetë një zhytës shumë i mirë. Gjithashtu jetoj dhe shpresoj.