"Një panair vetëm për titujt e rinj"
Në përfundim të edicionit të 12-të të Panairit të Librit, organizatorët kanë bërë bilancet. Ndërsa flasin për statistika vizitorësh (rreth 60 mijë të tillë), pjesëmarrësish dhe shitjesh, një ide për një reformim të këtij aktiviteti qarkullon nëpër botues, por edhe ata që ndjekin zhvillimet e kësaj fushe. A duhet të vazhdojë ky panair në formatin që mban prej një dekade? A duhet të funksionojë ende si një festë libri, ku njerëzit vijnë, ndalojnë në çdo stendë, ku përzier janë titujt e rinj me botimet ekzistuese, shohin ose blejnë e pastaj shkojnë për një rikthim të mundshëm pas një viti? Petrit Ymeri, si kryetar i Shoqatës së Botuesve e cilësoi të suksesshëm edhe këtë vit. Por Arian Leka, poet dhe botues i "Ideart", mendon se pavarësisht vlerave, ky panair ka marrë imazhin e një tregu, ku libri konsiderohet si mall dhe kujdesi për të formësuar një lexues besnik mbetet në plan të dytë. Për të, panairi si një aktivitet i përvitshëm duhet t‘u kushtohet prurjeve të reja të një viti. Të njëjtit mendim i bashkohet edhe Krenar Zejno, botues i "Zenit", por jo i pranishëm në këtë panair, sipas të cilit ky aktivitet, i domosdoshëm në kryeqytet, duhet të sjellë çdo vit risi. Për sa u takon botimeve, për të duhet të evidentohen prurjet e reja, për të mos krijuar edhe një çoroditje te lexuesi. Idesë në parim i bashkohet edhe botuesi i "Ombra GVG", Gëzim Tafa. Por, sipas tij, zbatimi në praktikë i kësaj ideje ndeshet me një problem serioz; atë të penalizimit të shtëpive të vogla botuese, që gjatë një viti sjellin shumë pak tituj të rinj. Mbetet që ky diskutim të zhvillohet mes palëve të interesit gjatë muajve në vijim, para se të mbërrijmë në panairin e librit "Tirana 2010".
Arian Leka: Panairi i Librit, me imazh tregu
Ky panair, me gjithë vlerat që ka, nuk po mundet ta shqisë nga vetja fytyrën e tregut. Padyshim që ky imazh do të ekzistojë, sepse njerëzit vijnë edhe për të blerë, por jo ta dominonte. Duhet të jetë leximi, lexuesi dhe autori parësor. Së dyti, panairi duhet të sjellë prurjet vjetore të secilës shtëpi botuese, si kanë ecur ato brenda një viti, cilët autorë shkruajnë çdo vit dhe si është ecuria e tyre në këtë hark kohor. Nëse nuk bëhet ky diferencim ne thjesht i krehim bishtin iluzionit tonë që ka shtëpi botuese të mëdha dhe të vogla. Nëse do të kishim prezantim vjetor, do të shihnim që raporti do të ishte krejt i përmbysur. Në këtë aktivitet duhet të kishte vetëm paraqitje titujsh nga nëntori i 2008-s në nëntorin e 2009-s. Të shpresojmë që vitin tjetër do të kemi vetëm librat e rinj të një viti. Nga ana tjetër, statistikat që vijnë nga vetë botuesit janë iluzive. Askush nuk mund të thotë se sa vizitorë ka pasur. Këtu është një rrymë njerëzish që hyjnë e dalin, disa për të blerë vërtet, disa për të takuar autorët, disa të tjerë që rrinë në stendat e botuesve të tyre. Pjesa tjetër është krejt e painteresuar për librin e leximin. Për mua është shqetësim që nuk kemi një instrument matës për të parë se sa këta blerës shndërrohen në lexues, sepse mua më rezulton në takimet e mia, të cilat nuk janë të pakta, që njerëzit thjesht blejnë libra dhe kthehen vitin tjetër për të riblerë po atë libër. Nuk arrijnë të bëjnë diferencën se nuk e kanë lexuar. Atëherë ne jemi në nivelin e blerësit, nuk kemi arritur te lexuesi. Ajo që ne duhet të fillojmë pas panairit është nxitja e leximeve në të gjitha rrafshet e veta dhe të mos i gënjejmë njerëzit me lugë boshe. Unë nuk e përjashtoj fenomenin bestseller, ekziston në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, por kurrë nuk takohen vlerat e tregut me ato që janë vlera të qëndrueshme të bibliotekave.
Krenar Zejno: Panairi po shndërrohet në rutinë
Panairi si prezencë është i paevitueshëm, sepse çdo vend e ka këtë eveniment kulturor. Por pas më shumë se një dekade duhet të japë shembullin e një panairi të vërtetë libri dhe jo të një karikature të tij. Një aktivitet i tillë nuk mund të mendohet të shndërrohet në një rutinë. Duhej të gjendeshin elemente animatore, që e bëjnë çdo vit edhe më ndryshe si çdo lloj performance tjetër artistike e kulturore. Vizitorët mërziten kur gjejnë vetëm tezgat ku shitet libri, që në një farë kuptimi zëvendësojnë në përmasa më të mëdha libraritë. Ndërsa për sa i përket pjesës së botimeve, titujt e rinj duhet të jenë parësorë në këtë aktivitet, ashtu siç duhet të bëhet edhe evidentimi i prurjeve të letërsisë shqiptare me atë të huaj. Nuk mundet që çdo vit të ketë të njëjtat gjëra. Do të ishte në dinjitetin e këtij panairi shqiptar të librit, ashtu si shumë panaire që zhvillohen në Europë, që të mos kenë pjesën e shitjeve si qëllim primar, sepse libri, meqë bën pjesë te sfera e artit, është një mall sublim dhe jo një konsum i përkohshëm. Për më tepër, në mungesë të një enti kritik, botimet e reja duhet të kishin edhe pjesën e tyre kritike e jo të kalonin në promovime të thjeshta, ku autori dhe botuesi takohen vetëm me disa veta. Duhet të synohet drejt një lexuesi, sepse jo të gjithë ata që vizitojnë panairin janë apriori lexues. Ndërkohë që gjatë këtij aktiviteti mund të ketë diskutime të frytshme mbi elemente të botimit të librit, mbi shpërndarjen e librit, të drejtës së autorit, raportet ligjore me kontratën e botimit dhe përkthimit, e shumë çështje të tjera. Po ashtu, do të ishte shumë e përshtatshme që një pjesë e fondit të vihet në dispozicion për të sjellë në takim me lexuesin shqiptar një autor të njohur.
Gëzim Tafa: Një panair tjetër do penalizonte botuesit e vegjël
Sigurisht që një panair libri vetëm me tituj të rinj është i realizueshëm dhe kjo është një ide që ka qarkulluar dhe është diskutuar edhe në Shoqatën e Botuesve Shqiptarë. Një ide e tillë e propozuar rishtazi është pozitive dhe e mbështes, sepse edhe shtëpia ime botuese synon veçanërisht titujt e rinj, por pas kësaj ideje qëndron një problem serioz: ka shtëpi të vogla botuese që sjellin pak tituj të rinj, por që janë vlera cilësore në tregun e librit, të cilat në këtë mënyrë do të "penalizoheshin". Ato nuk kanë mundësi financiare dhe teknike për të qenë të pranishëm në një aktivitet të tillë. Prandaj unë besoj se kjo ide do të kontestohet nga anëtarët e Shoqatës Botuese. Nga ana tjetër, një panair i titujve të rinj nuk do të mund ta superonte ekzistuesin, i cili nuk ka pse të mos organizohet në këtë format që është. Ne kemi parë të ngjashëm plot nëpër botë. Panairi i Librit është tashmë një institucion konkret dhe në këtë edicion të 12-të e afroi më shumë lexuesin te libri. Ndërsa një panair i titujve të rinj nuk mund të zhvillohet veçse në përmasa shumë të vogla dhe kjo është e kuptueshme nëse do t‘u referohemi statistikave të Bibliotekës Kombëtare për prurjet vjetore. Panairi ekzistues nuk e bën diferencimin mes botuesve.