Ben Blushi: “Rama nuk i mbajti premtimet, të largohet”
Deputeti dhe anëtari i Kryesisë të Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka përsëritur kërkesën e tij për mosrikandidimin e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste një ditë përpara punimeve të Kongresit të Jashtëzakonshëm të selisë rozë. Blushi deklaroi se projekti i Ramës ka dështuar më 28 qershor. Ai tha se Rama nuk ka mbajtur premtimet e bëra dhe se tashmë ka ardhur koha për largimin e tij përfundimtar nga drejtimi i Partisë Socialiste. “Edi Rama nuk ka një projekt për ta çuar PS-në në fitore. Projekti i tij dështoi më 28 qershor. Do vazhdoj të jem kundër për standardet e dyfishta. Rama nuk ka më një projekt, sepse projekti i tij u votua më 28 qershor, ditë në të cilën nuk fituam. Edi Rama premtoi bashkim, nuk ndodhi; premtoi programin, nuk ndodhi; premtoi dorëheqjen në rast humbjeje, nuk ndodhi; premtoi reformim, nuk ndodhi. PS-ja po kthehet në të shkuarën e saj. Ka shumë njerëz që sot janë të trishtuar. Edi Rama ka një detyrim, nuk duhet ta pengojë PS-në të mundë Sali Berishën. Edi Rama është kthyer në pengesë për rrugën tonë për t’u kthyer në pushtet”, - deklaroi deputeti socialist. Blushi foli gjithashtu edhe për Kongresin e sotëm. Sipas tij, do të ishte gabim i rëndë në rast se Kongresi do të kthehej në gjyq politik për ata që mendojnë ndryshe. “Do të ishte naive dhe shumë e rëndë që në Kongres të bëhet një gjyq politik për ata që mendojnë ndryshe. Ky kongres duhet të faktojë se për cilat arsye janë vjedhur votat dhe cilët janë ata që mes nesh janë shitur. Nëse Kongresi nuk merret me këtë gjë, nuk do të jemi bindës”, - vijoi Blushi. Ai theksoi se nuk do të ketë çarje në gjirin e Partisë Socialiste. “Nuk ka arsye të ketë çarje. Çarjet brenda partive ndodhin kur rregullat nuk zbatohen”, - theksoi Blushi. Deputeti socialist foli gjithashtu edhe për tërheqjen nga gara për postin e kryetarit të PS-së. “Kam konstatuar se disa degë rrethesh kanë kaluar në konflikt për shkakun tim. Dua ta evitoj këtë sepse unë jap një arsye për t’u bashkuar shumë shpejt”, - tha Blushi.
29 Gusht 2009