E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të humburit, Feith nxit dialogun Prishtinë-Beograd

Me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur,  Feith deklaron se “mendjet tona janë me anëtarët e familjeve të personave të pagjetur” dhe se “e drejta për të ditur për fatin e të dashurve të tyre është e pamohueshme”. “Për ta realizuar dhe respektuar këtë të drejtë, të gjithë duhet të punojnë së bashku me qëllim që të lehtësohen zemrat e të gjithë të prekurve. Prandaj, zyra ime inkurajon dhe mbështet dialogun për personat e pagjetur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thekson Feith në deklaratë.

“Kjo Ditë Ndërkombëtare na rikujton se dhembja e paqartësisë është e njëjtë për familjet në të gjithë botën dhe për të gjitha komunitetet. Zgjidhja e kësaj çështje është një hap kyç drejt pajtimit në Kosovë”, thuhet në deklaratën e Feith, të saposhpërndarë nga zyra e tij në Prishtinë. Këshilli i Përgjithshëm Organizativ për Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur në Kosovë ka organizuar veprimtari të ndryshme duke filluar takimet me familjarët e të pagjeturve dhe homazhet te varret e dëshmorëve dhe martirëve të vendit,  ndërsa sot në ambientet e qeverisë kosovare po mbahet tryeza e rrumbullakët me temë “E të tjerët ku janë”.

Në luftën e para 10 vjetëve në Kosovë, forcat serbe vranë e masakruan së paku 12 000 shqiptarë e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, ndërsa ende nuk dihet për fatin 1 907 të pagjeturve. Avokati i Popullit i Kosovës, Sami Kurteshi, në një takim mujin e kaluar me drejtues të Komisionit për të  Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione të Kuvendit të Kosovë, ka deklaruar se do të bëjë përpjekje të verë kontakt me homologun e tij në Serbi për fatin e personave të pagjetur.

 “Do të bëj përpjekje të marr kontakte me kolegun tim në Serbi për të parë cila është mundësia, cilat janë kanalet, cilat janë pikat ku ne mund të bashkëpuojmë pa e përzier politikën në punën tonë”, tha Kurteshi.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›