E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti: Standardi i dyfishtë i KQZ-së i dha fitoren PD-së



Partia Socialiste nuk i ka humbur zgjedhjet pasi mandatet e së majtës i kaluan PD-së për shkak të standardeve të dyfishta që ka përdorur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky fakt përmendet në raportin e monitorimit që iu është dërguar ndërkombëtarëve, ku argumentohen vendimet kundërshtuese për rastet e Lezhës, Beratit, Fierit dhe Shkodrës. Po ashtu përmendet edhe shantazhi që iu bë dy anëtarëve të opozitës në KQZ, të cilëve iu bënë presione që të mos kërkonin hapjen e kutive të Beratit, Shkodrës dhe të disa KZAZ-ve në Tiranë. Sipas ekspertëve të PS-së, procesi i numërimit pati shkelje të rënda, të cilat sollën edhe rezultatin e deformuar në mandate. Në dosjen e “zezë” të zgjedhjeve jepen deri në detaje të gjitha kontestimet për procesin e numërimit, që nga ngritja e qendrave për të përmbyllur procesin dhe deri te bllokimet e njëpasnjëshme të punës për shkak të ndërhyrjeve politike.
Procesi i numërimit
Kushtet dhe vendndodhja e qendrave të numërimit, të propozuara nga prefektët dhe të miratuara nga KQZ-ja, nuk ishin të përshtatshme për të përmbushur misionin sipas standardeve. Raporti përmend rastet e Paskuqanit dhe Bushatit, ku u përdorën mjedise private, duke shkelur kështu hapur Kodin, i cili përcaktonte ndërtesat shtetërore si vende për ngritjen e komisioneve gjatë zgjedhjeve. Sipas monitorimit, KQZ-ja u detyrua që të pranojë zgjidhjet e ofruara nga strukturat e qeverisë nëpër qarqe. “Kushtet ishin të papërshtatshme për kryerjen e numërimit të fletëve të votimit, qoftë përsa i përket vendosjes së kamerave të vëzhgimit, apo krijimit të kushteve të përshtatshme për të monitoruar procesin për monitoruesit shqiptar apo të huaj”, - thonë hartuesit e dosjes. Një pikë tjetër e përmendur në raport ishte edhe niveli i përgatitjes së ekipeve të numërimit të PD-së. “Pjesa më e madhe e grupeve të numërimit të PD-së ishin aktivistë që vetëm ekzekutonin urdhrat e shefave të tyre dhe individë që shkaktonin probleme gjatë numërimit”, - thotë raporti. Sipas tij, pjesa më e madhe e tyre nuk ishin të trajnuar, gjë që solli dështimin e procesit. Raporti konstaton se “procesi i numërimit nisi me vonesë në disa prej qendrave për shkak të konflikteve mes përfaqësuesve të partive politike”.
Shpallja e rezultateve
PS-ja thotë se “ndërhyrjet politike bllokuan procesin e numërimit në disa qarqe si në Shkodër, Lezhë apo Fier. “Thuajse në të gjitha qarqet u raportuan probleme përgjatë procesit të numërimit me tabelat e rezultateve, duke reflektuar kundërshtim me ato të qendrave të votimeve, të cilat ishin ashtu siç duhet”, - thonë monitoruesit e PS-së. Sipas tyre, në rezultatin përfundimtar nuk janë llogaritur të gjitha rezultatet e qendrave të votimit. Rasti konkret është Korça, ku nuk u numëruan fletët e votimit të 6 qendrave, të cilat kishin një numër të konsiderueshëm.
Akuzat më të ashpra PS-ja ia adreson Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke u shprehur se “ka dështuar në zbatimin rigoroz të Kodit Zgjedhor. Sipas saj, “vendimet e KQZ-së kishin motive politike dhe ishin në shkelje flagrante me ligjin, gjë që solli edhe degjenerimin e procesit të numërimit”. Rasti konkret është Zona Nr. 39, ku Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor në qarkun e Lezhës nuk i shpalli rezultatet dhe vetëm pas këmbënguljes së PS-së u bë numërimi i kutive në Tiranë, ku PD-ja nuk mori mandatin që pretendonte. Por, një procedurë e tillë nuk u ndoq për zonat e tjera të kontestuara nga PS-ja, gjë që u bë shkak për humbjen e mandateve dhe, për pasojë, të humbjes së zgjedhjeve. Ekspertët thonë se “rasti i Fierit është një tjetër shkelje e madhe. KQZ-ja urdhëroi KZAZ-në që të përfundonin shpalljen e rezultateve dhe transportoi materialet në KQZ, kur ajo e dinte shumë mirë që nuk kishte përfunduar i gjithë procesi i numërimit”. Në këtë vazhdë shkeljesh ishte edhe deklarata e zëdhënësit të KQZ-së kur njoftonte rezultatet paraprake të qarkut të Fierit ende pa përfunduar procesi. “Të tilla veprime të KQZ-së janë dukshëm të varura plotësisht nga politika, që tregojnë mungesë profesionalizimi dhe dhunim të Kodit”, - thotë raporti. Një tjetër pikë kontestuese që është përfshirë në dokumentin ankimues është edhe rrëzimi i kërkesës së PS-së për rinumërimin e votave në Berat, Shkodër dhe në disa KZAZ të Qarkut të Tiranës. “Një kërkesë e tillë u rrëzua nga KQZ-ja, ku sipas PS-së, ky vendim është marrë në mënyrë arbitrare, nën presionin e PD-së, e cila ishte kategorikisht kundër hapjes së kutive të votimit”, - thotë raporti. “Në të vërtetë përfaqësuesit e PD-së në KQZ, në mënyrë të hapur, kërcënuan anëtarët e Komisionit që përfaqësonin opozitën, duke u thënë se do të kërkojnë largimin e tyre nëse e bënin një kërkesë të tillë. Sipas raportit, ky komision ka përdorur standarde të dyfishta në procedurat që ka marrë në shqyrtim. Vendimmarrja e KQZ-së ka qenë në kundërshtim me Kodin dhe plotësisht e ndikuar në favor të PD-së.
Deklarata paraprake
Raporti ka dalë pa u mbyllur procesi i apelimeve në Kolegjin Zgjedhor dhe pa u dekretuar rezultatet zyrtare nga KQZ-ja. Ai u është dërguar ndërkombëtarëve ende pa dalë raporti përfundimtar i zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR-i, që pritet të publikohet në shtator. Ndërkaq, këto të dhëna ofrohen në prag të përpilimit edhe të dy raporteve të tjera nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe ajo e NATO-s, që do të mbahen gjatë vjeshtës. Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve, në deklaratën paraprake, pohoi se procesi u zhvillua sipas angazhimeve që vendi ka marrë në kuadër të OSBE-së, por lëshoi kritika të ashpra përsa i përket rolit të qeverisë në menaxhimin e procesit, duke u ndalur veçanërisht te fushata elektorale. Gjatë konferencës së zhvilluar më 29 qershor ata pohuan se “standardet e zgjedhjeve do të varen nga procesi i numërimit. Po ashtu, në të njëjtën linjë me PS-në kanë qenë ndërkombëtarët kur kanë akuzuar qeverinë për presione ndaj administratës dhe përdorimin e infrastrukturës së shtetit në fushatë.

LISTA
Shkarkohen mbi 70 zyrtarë, mbështetës të PS-së

Mbi 70 persona janë pushuar apo transferuar nga puna për shkak se mbështetën Partinë Socialiste gjatë fushatës, apo kur u konstatua se votuan për të majtën. Shifra ka dalë nga raporti i përgatitur nga grupi i PS-së. Numrin më të madh të ndëshkimeve e ka Gjirokastra, ku jepen emrat e 39 personave që menjëherë pas zgjedhjeve u hoqën nga puna për motive politike. Disa prej tyre raportohet se janë transferuar nga një rreth në një tjetër vetëm për shkak se ofruan mbështetje për PS-në. Grupi hartues i raportit ka sjellë edhe emra të tjerë personash që u përjashtuan nga administrata shtetërore, ku 9 raportohen në Fier, apo 8 në Elbasan dhe kështu me radhë. Mes të pushuarve nga puna për pikëpamje politike është edhe shtetasi Fahri Manja, vëllai i Ulsi Manjës, kandidatit për deputet të PS-së në qarkun e Dibrës. Ai ishte me profesion elektricist dhe thuhet se u shkarkua nga puna për motive politike. Hartuesit e raportit thonë se numri i të shkarkuarve është me qindra apo me mijëra, por këto të dhëna janë vetëm për periudhën e qershorit deri në mesin e muajit korrik. (Për më shumë, shih listën e plotë të personave që u hoqën padrejtësisht nga puna, sipas hartuesve të raportit).

STANDARDET
Tri raportet që pritet të dalin gjatë vjeshtës

Raporti përfundimtar i OSB/ODIHR-it do të certifikojë zgjedhjet e 28 qershorit. Brenda pak ditësh ky institucion pritet të nxjerrë dokumentin që përcakton standardet. Ende nuk dihet data e saktë, apo përmbajtja e raportit të ambasadores Glover, por para pak ditësh vizitoi Tiranën, zoti Volfgang Grosruk, zëvendëskryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe njëherësh shefi i misionit vëzhgues afatshkurtër të zgjedhjeve. Gjatë takimeve me krerët e institucioneve dhe partive politike në Tiranë ai ka pohuar se zgjedhjet e fundit kanë qenë më të mirat që janë zhvilluar ndonjëherë dhe se ishin më të mira se sa pritshmëritë e ndërkombëtarëve. Por, përtej këtyre deklaratave që dalin ende pa u shpallur raporti, nuk duhet se si do të vlerësohet procesi nga misioni afatgjatë i OSBE/ODIHR-it.
Raporti i dytë po përgatitet nga Këshilli i Europës dhe do të bëhet publik më 28 shtator. Në sesionin e vjeshtës, Byroja e Asamblesë dhe Komiteti Ad Hoc i ngritur për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri, që kryesohet nga zonja Jonker, do të raportojnë para deputetëve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës për cilësinë dhe standardet e procesit të 28 qershorit. Kjo asamble ka miratuar një rezolutë në vitin 2007 për angazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i KE-së, përsa i përket realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Po ashtu, vendi ynë është në monitorimin e rreptë të kësaj organizate për të realizuar të gjitha angazhimet që kërkon të qenit anëtar i saj.
Dhe raporti më i fundit do të paraqitet në muajin nëntor, në sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Raportues do të jetë zoti Brus Xhorxh, një nga kritikët më të mëdhenj të procesit të zgjedhjeve pas datës 28 qershor. Ai ka pohuar se të gjitha pikat e kritikueshme që u vunë re gjatë procesit të fushatës dhe ditës së votimeve do t’i paraqiten Asamblesë dhe pritet që të dalin një numër rekomandimesh për anëtarin më të ri të NATO-s. Para largimit nga Shqipëria, në fillimin e korrikut të këtij viti, zoti Xhorxh bëri një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë dhe kërkoi prej tyre që t’u ushtrohet presion qeverisë dhe strukturave të sigurisë në vend që të garantojnë rend dhe qetësi pas përfundimit të procesit zgjedhor.

29 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›