E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet statutore, pika e nxehtë e punimeve të Kongresit



Shaban Sulçe
Ndryshimet statutore të propozuara nga kundërshtarët e Ramës në Partinë Socialiste pritet të sjellin përplasje të ashpra në punimet e sotme të Kongresit të Jashtëzakonshëm të partisë më të madhe të opozitës. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka përcaktuar në axhendën e Kongresit shqyrtimin e vetëm dy pikave: raportin për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe shpalljen e platformave për kandidatët që synojnë të zgjidhen në krye të Partisë Socialiste. Por, një axhendë e tillë sfumon qëllimin kryesor të kundërshtarëve të Ramës, të cilët prej kohësh kanë bërë publike kërkesën për mosrikandidimin e Ramës në garën për kreun e Partisë Socialiste. Kjo kërkesë tashmë është konkretizuar në paketën e ndryshimeve statutore, për të cilën ky grupim i drejtuar nga deputetët Blushi dhe Malaj do të kërkojë votimin në Kongres, gjë që pritet të kundërshtohet ashpër nga mbështetësit e kryetarit në detyrë të PS-së, Edi Rama.

Përplasja
Ashtu siç ndodhi edhe në mbledhjen e Kryesisë, çështja e ndryshimeve staturore pritet të sjellë debate dhe polemika të ashpra edhe në punimet e sotme të Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste. Blushi, Malaj dhe kundërshtarë të tjerë të Ramës në radhët e PS-së nuk kanë ndër mend të tërhiqen nga beteja e tyre për miratimin e ndryshimeve statutore, edhe pasi këto të fundit u rrëzuan nga shumica e Kryesisë në mbledhjen e tri ditëve më parë. Blushi, së bashku me mbështetësit e tij, pritet të paraqesin në Kongres, menjëherë pas përfundimit të raportit që informon për manipulimin e zgjedhjeve, kërkesën për votimin e këtyre ndryshimeve statutore. Firmëtarët do të kërkojnë nga Kongresi që delegatët të votojnë pro ose kundër ndryshimeve staturore me votim të fshehtë. Por kjo kërkesë pritet të kundërshtohet nga mbështetësit e Ramës, të cilët do ta argumentojnë refuzimin me faktin se kërkesa nuk bën pjesë në axhendën e Kongresit, të përcaktuar më parë nga Asambleja Kombëtare dhe të miratuar nga Kryesia e Partisë Socialiste. Kjo pasi në rast se ndryshimet statutore do të miratoheshin, të cilat i mohojnë rikandidimin Ramës, do të bëhej e pavlefshme shpallja e platformës së tij për kreun e Partisë Socialiste.

Platformat
Platforma e hartuar nga anëtari i Kryesisë dhe deputeti Ben Blushi u bë publike dy javë më parë. Kjo platformë përbëhej nga 10 pika dhe çështja kryesore e saj kishte të bënte me mosrikandidimin e kryetarit të partisë në rast të humbjes së zgjedhjeve. Sipas mbështetësve dhe hartuesve të saj, platforma pritet t’i japë hapësirat e munguara Partisë Socialiste dhe fuqizimin e vlerave të saj demokratike. Platforma pritet t’i propozohet Kongresit duke pasur një mbështetje të madhe. Rreth 300 delegatë të Kongresit mësohet se e kanë firmosur këtë platformë, për të cilën ata kërkojnë votim të fshehtë.

29 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›