Ian Micallef Berishës: Jemi kundër bojkotit të Ramës

Kryeministri Berisha priti sot në takim Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, zotin Ian Micallef.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë për këtë vizitë shumë të rëndësishme, Kryeministri Berisha shprehu edhe një herë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të forcuar autonominë e qeverisjes lokale, për t’i përkrahur ato financiarisht dhe me të gjitha mjetet, në mënyrë që të përmbushin misionin e tyre. Në këtë kontekst, Kryeministri i bëri me dije zotit Micallef se gjatë mandatit qeverisës 2005-2009 granti për pushtetin lokal nga buxheti i shtetit u rrit tre herë.
Nga ana e tij, Presidenti Micallef e uroi Kryeministrin Berisha për fitoren ne zgjedhjet e përgjithshme parlamentare te 28 qershorit dhe rizgjedhjen si Kryeministër dhe krijimin e kabinetit te ri qeveritar.
Më tej, Presidenti Micallef falënderoi përzemërsisht Kryeministrin për pritjen dhe për vendosmërinë e përkushtimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për të forcuar autonominë e pushtetit lokal dhe për t’i mbështetur ato financiarisht dhe me të gjitha mënyrat në punën e tyre.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, - u shpreh Zoti Micallef - dhe të konstatoj një zhvillim të jashtëzakonshëm që është bërë në forcimin e autonomisë së pushtetit lokal dhe në përmbushjen nga ana e qeverisë e kritereve të Kartës Europiane për Vet-qeverisjen Vendore. Kam konstatuar me kënaqësi zhvillime të jashtëzakonshme pozitive”.
“Shqipëria është një vend shembull, ku qeveria ka bërë përpjekje dhe ka arritur rezultate përsa i përket forcimit të decentralizimit, plotësimit të kritereve të Kartës dhe mbështetjen që i është ofruar pushteteve lokale dhe rajonale”, – vijoi më tej Presidenti Micallef.
Në këtë kontekst, Presidenti Micallef i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë dhe vendosmërinë e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të ndihmojë qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për forcimin e decentralizimit dhe përmbushjes së kritereve të Kartës së Qeverisjes Lokale dhe Rajonale të KE-së.
Gjithashtu, zoti Micallef i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë për Shqipërinë në procesin e saj integrues, si dhe vendosmërinë e Kongresit për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare edhe gjatë mandatit në vijim, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me misionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.
Në takim, u diskutua edhe situata paszgjedhore. Kryeministri Berisha i bëri me dije Presidentit Micallef për masat e marra nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e arritura, të cilat bënë të mundur që për herë të parë Shqipëria të vlerësohet nga watchdog-u OSBE/ODIHR si vendi që plotësoi standardet kryesore te saj për zgjedhjet.
Presidenti Micallef, duke ndarë të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha për të gjitha zhvillimet pozitive në Shqipëri, theksoi se e shikojmë me shqetësim dhe skepticizëm një përpjekje nga ana e opozitës për të krijuar mosbesim në klimën politike, e cila nuk i përputhet dhe as i shërben realitetit që ekziston sot në Shqipëri, për sa i përket standardeve europiane.
Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Micallef për mbështetjen që po i tregon qeverisë shqiptare në përpjekjet e saj për forcimin e autonomisë së qeverisjes vendore dhe i kërkoi mbështetjen që edhe qeverisja vendore, së bashku me forcimin e autonomisë dhe thellimin e decentralizimit, të forcojë standardet për sa i përket shërbimit ndaj qytetarit, administrimit me efikasitet të fondeve publike, ruajtjes së normave europiane te madhësisë së administratës në përqindje me popullsinë e njësive administrative, si dhe mbështetjen e politikave të mbledhjes së taksave lokale në përputhje me ligjin dhe shërbimit ndaj qytetarit.
...