Ben Blushi, çka ndryshimi që s’lëviz?
“Askush nuk është një ishull” ka shkruar njëherë poeti dhe teologu anglez John Donne, sepse “kur kambana bie, ajo bie edhe për ty”. Megjithatë, kur në lojë nuk është shpëtimi biblik, por mbijetesa politike dhe fizike ose rikrijimi i identitetit kërkohet një strofull në të cilën të lëpish plagët, dhe një ishull është vendi më i favorshëm për të qëndruar, ashtu siç e zbuloi “Robinson Kruzo” në novelën e Daniel Defo.
Natyrisht “Përshtatu ose vdis” është rregulli, sikurse bën Kruzoja duke e shndërruar në shtëpi rrënojat e anijes së përmbysur dhe aty gjen një mik dhe aleat të egër si e Premtja. Tek ky ishull Kruzoja vendos të ndërtojë një tavolinë sepse “Pa një tavolinë nuk mundesha të darkoja dhe as të shkruaja, dhe as të bëjë shumë gjëra të tjera: prandaj iu futa punës. Dhe këtu duhet të bëjë një vëzhgim sepse arsyeja është substanca dhe origjina e matematikës, kështu duke e skuadruar dhe llogaritur çdo gjë me arsyen dhe duke i gjykuar në mënyrën me racionale, çdo njeri mund me kohën të jetë i mjeshtri i çdo arti mekanik”. Të paktën në këtë ishull, ky njeri u njoh me unin e tij duke u kalitur me jetën e përditshme që duhet thënë është plot kurthe dhe intriga.
Sidoqoftë kjo hyrje pak si letrare i dedikohet natyrisht aludimit të romanit “Të jetosh në Ishull” të shkrimtarit Ben Blushi, i cili si politikan opozitar po lundron në horizont të paditur, në periudha heshtjesh mistike, ndofta për t’i prirë në vjeshtë luftës së fraksioneve për Mendim Ndryshe dhe grupit të afaristëve dhe kanibalëve të Betonit. Në këtë pritshmëri pa busull duhet thënë se Ben Blushi është një njeri që në momente të caktuara shumë delikate (si protesta dhe greva urisë post-zgjedhore) do të luajë rolin e "të veçantit" të "interesantit” të atij që rri e rri tërë vitin i heshtur, dhe pastaj kërcen në valle për të treguar “rrugën e shpëtimit” në kohën e pas furtunës. Shumëkush mund të cilësojë se ky është fati i njeriut që shfaqet me talent të lindur për shumë gjëra, por që i mbyt vazhdimisht me duart e veta, krejt si Saturni krijesat e tij. Politikani Blushi po i ngjan publikut si një i dehur prej intelektit të falur nga perëndia, por shpërdorimi tej-mase i kësaj dhuntie është gjithashtu blasfemia më e gatshme, që do ta kishte zili çdo fundamentalist. është logjika perverse që kaplon njeriun kur e refuzon ëndrrën dhe masturbohet me realitetin sepse ashtu i ka hije.
Gjithsesi përveç dy kampeve të njohura qëndron dhe një pjesë gri e përbërë nga njerëz të heshtur për një kohë të gjatë, dhe disave që me të drejtë po u fillon të sosin durimin për një kërkesë “hap Kutitë” që tashmë po kthehet në ridikule.
Afërmendsh situata e brendshme politike që po kalon partia socialiste është në mjegullën më të pa kuptueshme. E humbur pas një lideri që nis aksione politike pa projektuar asnjë exit-strategy, se çfarë fiton apo humb në kapitalin e opinionit publik (dhe rasti i grevës së urisë ishte ai më emblematiku, ku u provuar se nuk dinte ta mbyllte me dinjitet), në qoftë se dështon apo e kundërta nëse arrin atë çka ke synuar. Po pastaj, është pyetja që një politikan i mprehte duhet t’i bëjë strukturës dhe kryesisë së organizmit të tij politik. Edi Rama ka dhënë prova të pakundërshtueshme për paaftësi kapilare të një beteje të gjatë politike, të koordinuar me aleatë, bile sikur i largohet instinktivisht programeve dhe platformave ideore dhe qeverisëse. Në zgjedhjet e fundit parlamentare PS as e kishte menduar sa për sy e faqe të “blinte” qoftë me një program 100 ditësh qeverisëse, por u mjaftua me trupin e liderit dhe sloganin bosh “përtej këtej dhe andej”. E majta nuk ka mundur të ndërtojë një projekt politik. Dhe nuk është se nuk ka pasur kohë në opozitë. Ka gjalluar gjithmonë e tendosur dhe në gatishmëri për të marrë pushtetin. E majta shqiptare, e kryesuar nga partia socialiste, është anomalia më interesante në historinë politike të Shqipërisë këto 5 vitet e fundit për humbje energjish pa përfitim, qëkurse drejtohet prej Edi Ramës.
Prandaj na intereson përgjigja e një pyetjeje: A e sheh veten Blushi përsëri në opozitën aktive të PS-së,dhe në qoftë se po perse nuk është bërë pjese e saj në një moment kur grupi parlamentar tashmë ka më shumë nevojë se kurrë për një lider real? Apo do të qëndrojë përsëri në stolat e fundit të një autobusi të viteve ‘80, ku shkruhet se nuk i flitet shoferit?