“Ballkani Perëndimor ka perspektivë europiane”
Një ditë para Samitit të Sarajevës, komentojnë Catherine Ashton dhe Shtefan Fule
Takimi i nivelit të lartë BE-Ballkan Perëndimor, i cili fillon punimet më sot në Sarajevë, pritet të rikonfirmojë perspektivën europiane të rajonit dhe të mbështetjes së BE ndaj kësaj perspektive. Në samitin e Sarajevës ku marrin pjesë ministrat e jashtëm nga vendet e BE-së, Ballkanit Perëndimor, dhe përfaqësues nga NATO dhe OSBE, pritet vlerësim për përparimet e bëra. Zyrtarë të lartë të BE-së ripërsëritën dje se e ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Europian. Para fillimit të punimeve të samitit të Sarajevës më 2 qershor 2010 ku marrin pjesë ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për çështjet e jashtme, Catherine Ashton, u shpreh në Bruksel, se “integrimi i vendeve të Ballkanit në familjen evropiane, mbetet një nga sfidat e fundit të Evropës së bashkuar dhe demokratike”. “Në Sarajevë, BE-ja do ta riafirmojë vendin e Ballkanit në Evropë dhe perspektivën evropiane për rajonin”, theksoi Ashton. Komisioneri për Zgjerim, Shtefan Fule ka mirëpritur “zotimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për vazhdimin e ritmit të reformave në fushat kyçe dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal”. Në Samitin e Sarajevës pritet që të vlerësohen përparimet e vendeve të Ballkanit në rrugën drejt integrimit evropian.
...