Edhe njëherë për flamurin shtetëror të IRJ të Maqedonisë
Para dy ditësh në vendin më të dukshëm brenda hapësirës së stacionit policor të Tetovës (ish sekretariati i punëve të brendshme), u vendos një flamur gjigand i Ish republikës jugosllave të Maqedonisë apo flamuri shtetëror aktual i vendit. Vendosja e flamujve të tillë të mëdhenj në pika kyçe gjithandej territorit shtetëror, si në autostrada, pozita apo vende më të dukshme në kryeqytet dhe në qytetet tjera, pika më të larta në kodra e male, në institucione të ndryshme publike etj, është pjesë e projektit qeveritar që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes kombëtare të sllavishtfolësve etnikë si dhe potencimin e fuqishëm të karakterik njëetnik sllav të vendit.
Përveç ngritjes së vetëdijes së zvetënuar kombëtare, vendosja e këtillë vend e pavend e flamujve etnikë maqedonas bën pjesë në atë strategjinë konstante të kësaj qeverie për ngritjen e tensioneve etnike në atë masë sa i duhen asaj për të shantazhuar faktorin ndërkombëtar me mundësinë e ndezjes së ndonjë konflikti në vend, për të siguruar kështu integrimin në BE pa plotësimin e kritereve të vendosura nga Komisioni i BE. Më tej dhe kjo më shumë psikologjike, vendosja e këtillë e flamujve gjigandë duhet tu tregojë shqiptarëve dhe gjithë të interesuarve të tjerë se kush është bartës i sovranitetit shtetëror, kush ka pushtet real dhe e kush bën ligjin këtu.
Për së jashtmi, aksioni i këtillë synon provokimin e Greqisë fqinje e cila është sfiduar tashmë edhe në forma tjera si emërtimi i disa veprave publike me emra të diskutueshëm për nga origjina etnike. Greqia nga ana tjetër gjithashtu njihet për përdorimin dhe keqpërdorimin e këtyre formave të imazherisë publike. Edhe vendi fqinj është i mbushur vend e pavend me flamuj të mëdhenj kombëtarë dhe me kisha e kryqe ortodokse të cilat të shpërndara gjithandej vendit, ia ulin vlerat dhe rrënojnë autoritetin që duhet ketë një institucion i rëndësishëm fetar si kisha ortodokse. Sekularizmi i komunistëve jugosllavë apo ateizmi zyrtar në ish-RSFJ, nuk ka lejuar në të kaluarën këtë çoroditje fetare greke të aplikohet edhe në Maqedoni, kurse Gruevski nga ana tjetër nuk posedon asete financiare të realizojë edhe këtë metodë të provokimeve fetare. Megjithatë, insistimi për ndërtimin e një katedraleje të madhe ortodokse mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës në qendër të Shkupit vërteton edhe këtë formë provokimi të pasuesve të besimeve tjera që ekzistojnë në këtë vend.
Përtej aksioneve të këtilla propagandistike, çështja me flamurin shtetëror apo zyrtar të këtij vendi duhet të hapet urgjentisht, pasi zgjidhja aktuale është e papranueshme për popullin shqiptar këtu. Duke krahasuar zgjidhjen e aplikuar për flamurin shtetëror të Ish republikës jugosllave të Maqedonisë si dhe karakterin dyetnik të këtij vendi me disa shtete tjera europiane, shohim se forma e këtushme është krejtësisht jashtë standardeve dhe praktikave të Bashkimit Europian. Ka vetëm 5 (pesë) shtete në Europë, të cilat zyrtarisht kanë përbërje shumëetnike të popullsisë. Janë Bosnja e Hercegovina, Zvicra, Belgjika, Estonia dhe Letonia. Greqia është një republikë diktatoriale nacionaliste e cila nuk njeh shumësinë e saj etnike edhepse reth 40% e vendit nuk është me origjinë etnike greke. Edhe një rast sui generis është aplikuar në Republikën e Kosovës, ku me gjithë përbërjen monoetnike shqiptare me rreth 95% nga numri i përgjithshëm i banorëve, vendi definohet me kushtetutë si shumetnik. Por zyrtarisht, vetëm 5 shtetet e sipërpërmendura mund të merren si shumetnike. Në Bosnjë e Hercegovinë ndarja etnike e popullsisë është si vijon: Boshnjakë 48%, serbë 37% dhe kroatë 14%. Duke u bazuar në këtë përbërje, vendi ka adoptuar një flamur shtetëror i cili është krejtësisht neutral në aspekt të identifikimit kombëtar të tre grupeve etnike që bashkëjetojnë atje. Belgjika e cila banohet nga 59% flamanë holandishtfolës, 40 % valonë frëngjishtfolës dhe 1% gjermanë etnikë, e ka flamurin plotësisht neutral nga aspekti etnik. Konfederata helvetike apo Zvicra ka përbërje të përzier etnike ku dominon komuniteti gjerman me rreth 73% të numrit të përgjithshëm të popullsisë, francezë me rreth 21%, italianë 6,5% dhe komuniteti i vogël retoroman me 0,5% të popullsisë. Edhe flamuri shtetëror i shtetit zviceran nuk përmban në vete asnjë element etnik të asnjë prej katër kulturave autoktone dhe historike aty.