E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ben Qimja pas Delijorgjit: Mos abuzoni me emrin tim

Biznesmeni fierak Arben Isufaj, i njohur si "Ben Qimja" reagon nga burgu për përfoljen e emrit të tij në konfliktin midis ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe numrit dy të KLD-së Kreshnik Spahiu. 

Fatos Mahmutaj

Mbrojtësi i tij, avokati Genci Gjokutaj, pohoi dje përfolja e emrit të Isufajt në konfliktin mes dy krerëve të drejtësisë, dëmton çështjen në ngarkim të biznesmenit të arrestuar. Sipas avokatit, këto deklarata janë presion mbi organet e drejtësisë dhe gjyqtarët, të cilët emërohen dhe shkarkohen nga ministri dhe KLD-ja. Dy ditë më parë, në vazhdën e një konflikti që ka nisur prej disa kohësh midis ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të KLD-së, Alibeaj pohoi se: "Spahiun nuk mund ta shpëtojë as Delijorgji dhe as "Ben Qimja". Ndërkohë, pak ditë më parë nëpërmjet një letre të hapur drejtuar krerëve të institucioneve kryesore të shtetit dhe funksionarëve të Drejtësisë, Delijorgji pohonte nga qelia se po abuzohej me emrin e tij. Në këtë letër ai pohoi gjithashtu se, për shkak të presionit publik që ushtrohej ndaj tij, pasojat do të ishin të rënda për të, aq saqë t'i caktohej edhe masa e dënimit. Të njëjtën gjë e pohoi edhe avokati Gjokutaj, në emër të klientit të tij, Isufaj, i të cilit tha se: "Pas presionit publik, të krerëve të drejtësisë, nuk mund të ketë gjykatës apo prokuror që të marrë përsipër gjykimin e drejtë të çështjes. Kjo për faktin se të dy këto organe kanë varësi nga Ministria e Drejtësisë, ndërkohë që gjyqtarët kanë varësi edhe nga KLD-ja". Sipas avokatit, ai dhe i mbrojturi prej tij, do të respektonin cilindo vendim gjykate ndaj Isufajt, por ky të ishte mbështetur dhe argumentuar mbi prova dhe ligj dhe jo mbi presione politike dhe publike. Më tej, Gjokutaj, se edhe akti i ekspertizës së gjurmës së gishtit të gjetur në vendngjarje është manipuluar dhe falsifikuar. "Kjo për faktin se letër-porosia e dërguar nga Tirana për në Londër mban datën 16 qershor, ndërsa përgjigjja e saj, datën 12 qershor. Pra, çdo gjë është absurditet dhe paradoks dhe nuk e justifikon mbajtjen e klientit tim në qeli", tha Gjokutaj. Në lidhje me arrestimin e Isufajt, mbrojtësi pohoi se ekziston një vendim i Gjykatës së Lartë për heqjen e masës së sigurisë në ngarkim të tij, i cili nuk është marrë parasysh, as nga Prokuroria dhe as nga Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit të kryeqytetit që vendosën burgosjen e tij për 45 ditë, në pritje të përgjigjes së ekspertizës nga Londra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›