E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i hakerave pranon krimin

TIRANE - Endrit Gjergjani, i cilësuar si kreu i grupit të hakerave, të prangosur dy javë më parë në Tiranë gjatë operacionit 

"Matrix" ka shpjeguar me detaje në Prokurori gjithë veprimtarinë e paligjshme në të cilën ishte përfshirë. Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë gjithashtu se veç Gjergjanit, edhe të bashkakuzuarit me të, Rei Karapici, Ledio Doko dhe Redi Çikani në deklarimet që kanë dhënë pas arrestimit kanë qartësuar deri në hollësi, bashkëpunëtorët e tyre në aktivitetin  falsifikimit dhe përdorimit të kartave bankare të klonuara; veprimet dhe pozicionin e secilit prej të pandehurve, si dhe shitjen e mallrave të blerë me këto karta krediti. Deklarimet e këtyre po analizohen nga Prokuroria në kronologji me provat e tjera që janë përfituar nga sekuestrimi i pamjeve filmike nëpër banka, bankomatë dhe kasat elektronike. Gjithashtu, burime pranë hetimit pohojnë se po analizojnë edhe faturat e shitjeve dhe blerjeve, që u janë gjetur nëpër banesa dhe makina të arrestuarve.                                     f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›