Bencivenga: “Metodat italiane po i pëlqejnë Tiranës”
Ndihmëstrajneri italian i Tiranës, Mauro Bençivenga, nuk harron kurrë të shfaqet entuziast, pavarësisht se pranon se ende nuk e njeh mirë skuadrën bardheblu. Ndihmësi i Agustin Kolës përsëriti me tone optimiste se shpresonte te suksesi i 23-herë kampionëve të Shqipërisë. “Shpresoj të kem sukses. Skuadrën nuk e njoh ende sa duhet, por po përpiqem të sjell metodat italiane të stërvitjes këtu. Deri tani ia kam dalë mbanë mirë”, - tha ish-tekniku i Palestrinës në Serinë C2. Tirana do të dalë në stërvitje edhe të dielën, ndërsa të hënën bën gati “valixhet” në drejtim të Turqisë, ku do të kryejë edhe fazën përgatitore. Tirana lufton në të dyja frontet, si në kampionat, ashtu dhe në Kupën e Shqipërisë, pasi sezonin e kaluar e mbylli në vendin e gjashtë, duke mbetur për herë të parë pas më shumë se 15 vjetësh pa luajtur në Europë.
Italiani 57-vjeçar tashmë e njeh mirë ambientin bardheblu, pasi më parë ka qenë ndihmës i trajnerit Leonardo Menikinit. “Shpresojmë që ta mbyllim fazën përgatitore me shume arritje dhe kampionatin ta nisim furishëm e me sukses. Jam optimist për gjëra të bukura këtu”, - theksoi ish-ndihmësi i Leonardo Menikinit. Te Tirana ditën e shtunë ishte dhe një sulmues në provë. Eno Basha, i cili vinte nga një skuadër amatorësh në Itali, Borgamo.
Ilir Gjyla, trajneri i Lushnjës
Edhe pse në media ishin folur kandidaturat e Hasan Likës dhe të Krenar Alimehmetit për të zënë vendin bosh të lënë nga Vasil Bici, trajneri i tretë sezonal i Lushnjës së vendit të fundit u vendos Ilir Gjyla, i cili edhe më parë e ka drejtuar skuadrën e qytetit të tij. Gjyla ka drejtuar më parë dhe Besëlidhjen, Besën, Laçin dhe Erzenin. Nga 12 ekipet e Superligës vetëm Vllaznia (Agim Canaj), Teuta (Sulejman Starova), Shkumbini (Gugash Magani), Dinamo (Zllatko Dalic) e Elbasani (Mirel Josa) nuk i kanë ndryshuar trajnerët.
Trajnerët aktualë të skuadrave të Superligës
Vllaznia: Agim Canaj
Tirana: Augustin Kola (Blaz Slishkoviç)
Dinamo: Zlatko Daliç
Besa: Ilir Daja (Iljaz Haxhiaj)
Shkumbini: Gugash Magani
Teuta: Sulejman Starova
Flamurtari: Edmond Liçaj (Slavko Kovaçiç)
Elbasani: Mirel Josa
Apolonia: Esad Karishik (Gert Haxhiu)
Bylis: Hysen Dedja (Faruk Sejdini, Dashnor Dume)
Partizani: Shpëtim Duro (Hasan Lika)
Lushnja: Ilir Gjyla (Saimir Malko, Vasil Bici)
* Trajnerë të përdorur në total: 21
Nikola Karcev firmos me Elbasanin
Mbrojtësi maqedonas Nikola Karçev do të jetë pjesë e Elbasanit për pjesën e dytë të sezonit 2008-2009. Karcev, i cili bëri një sezon të pëlqyeshëm në kampionatin e kaluar me verdheblutë (29 ndeshje, 4 gola), firmosi një kontratë 6-mujore me 2-herë kampionët e Shqipërisë. 27-vjeçari Karçev, i cili më parë ka luajtur edhe për Rabotnickin, ishte së fundi pjesë e Terek Groznin në kampionatin rus, skuadër me të cilin aktivizohet portieri shqiptar Ilion Lika. Elbasani është skuadra më aktive në merkaton dimërore, pasi ka firmosur edhe me Nevil Deden, Ilir Qorrin dhe Eleandro Pemën.
Bylisi, “laborator” të huajsh
Bylisi është “përmbytur” nga të huajt. Aktualisht janë duke u testuar në skuadrën e trajnerit Hysen Dedja: serbët Nemanja Mrdakoviç, Ivan Stojanoviç dhe portieri Zhelko Kuzmiç; kroati Godar Dejan dhe maqedonasi Dimitar Kapinovski. Në pjesën e parë të sezonit te Bylisi ishin edhe nigeriann Emanuel Egbo (mbylli sezonin me Bylisin), maqedonasi Mirselovski. Këtyre u shtohen Kaboure Mousa, Mupceaoku Auc Pau, Pedro Paolo Pinehero Dos Neves, Cuzet Filiz dhe El Archi Adnane.
Plaku, e ardhmja vendoset të dielën
E ardhmja përfundimtare e Sebino Plakut do të vendoset të dielën. Lajmin e bëri të ditur menaxheri i sulmuesit, Gëzim Mançe. Ish-lojtari i huazuar te Dinamo për pjesën e parë të sezonit për momentin ndodhet në Norvegji te skuadra e tij, HamKam.
11 Janar 2009