Zgjedhjet, si do të shpërndahen mandatet brenda koalicioneve
Shaban Sulçe
Sistemi proporcional rajonal, votimi me një fletë të vetme, si dhe formulat për shpërndarjen e mandateve do të bëjnë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të konkurrohet jo vetëm midis koalicioneve, por edhe midis partive që garojnë brenda të njëjtit koalicion. Garimi brenda koalicionit pritet të jetë më i ashpër midis partive dytësore të të njëjtit koalicion, të cilat do të konkurrojnë me njëra-tjetrën për të përfituar mandatet që mbeten nga partia kryesore. Thënë më qartësisht, në koalicionin e drejtuar nga Partia Socialiste do të ketë një rivalitet midis dy aleateve, Partia Social-Demokrate dhe Partia Demokracia Sociale, për të përfituar mandatet e mbetura nga numri në total i mandateve të fituara brenda koalicionit. Ky rivalitet sigurisht do të bëhet edhe më i ashpër nëse në koalicionin e Partisë Socialiste bashkohet edhe PBDNJ-ja apo parti të tjera. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për koalicionin e Partisë Demokratike, për rivalitet midis partive aleate, Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Lëvizja e Legalitetit etj.
Formulat
Në Kodin e ri Zgjedhor është sanksionuar formula “D’Hondt” për shpërndarjen e mandateve midis koalicioneve, ndërkohë që formula “Saint Laguë” do të përdoret për shpërndarjen e mandateve brenda të njëjtit koalicion. Është kjo formulë ajo që nxit rivalitetin midis partive të të njëjtit koalicion. Për ta ilustruar po japim shembullin e mëposhtëm. Në një qark të caktuar janë 50 mijë vota dhe konkurrohet për 5 mandate deputetësh. Koalicioni i Partisë Socialiste merr 30 mijë vota, çka nënkupton 3 mandate deputetësh, ndërkohë që koalicioni i Partisë Demokratike merr 20 mijë vota, çka nënkupton dy mandate deputetësh. Për të vijuar më tej me ilustrimin po përcaktojmë rezultatin e votave që kanë marrë partitë brenda koalicionit, p.sh.: Partia Socialiste ka marrë 22 mijë vota, duke siguruar dy mandate, PSD-ja 6 mijë vota dhe PDS-ja 2 mijë vota. Pra diskutohet se cila prej forcave të koalicionit do të marrë mandatin e tretë të fituar. Në këtë rast mandatin e tretë e merr Partia Social-Demokrate, duke qenë se ka numrin më të madh të votave në krahasim me partitë e tjera të koalicionit.
Koalicionet e tjera
Në koalicionin e Lëvizjes Socialiste për Integrim rivaliteti për mandatet e mbetura, edhe pse me mundësi më të pakta, mund të jetë midis Partisë PS ‘91 dhe aleates së mundshme të këtij koalicioni, Partisë Aleanca Demokratike. Rivalitetit nuk do t’i shpëtojnë edhe dy partitë aleate të së djathtës, të cilat do të formojnë koalicionin e katërt, pra midis Partisë Demokristiane dhe Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Mandatet që do të përfitojë ky koalicion do t’i jepen pikërisht forcës politike që ka marrë numrin më të madh të votave.
Tabela ilustruese
Qarku X
Numri i votave të vlefshme: 50 000
Numri i mandateve që konkurrohet: 5
Numri i votave të koalicionit 1: 30 000
Numri i mandateve të koalicionit 1: 3
Votat e partisë A në koalicionin 1: 22 000
Mandatet e partisë A në koalicionin 1: 2
Votat e partisë B në koalicionin 1: 6 000
Votat e partisë C në koalicionin 1: 2 000
Mandati i tretë i jepet partisë B
13 Janar 2009