Editorial i “Financial Times” (titulli në origjinal “Mirëserdhe Shqipëri”!)

Bashkimi Evropian veproi drejt që mirëpriti kërkesën e Shqipërisë
Me Bashkimin Evropian të tronditur nga kriza ekonomike, debatet e forta mbi Kushtetutën e përbashkët apo edhe shqetësimet mbi marrëdhëniet me Rusinë,
mund të tingëllojë e parëndësishme për liderët aplikimi i Shqipërisë së vogël
për statusin e vendit kandidat për në union. E megjithatë një perceptim i tillë është
i gabuar. Pasi Bashkimi Evropian e konsideron politikën e zgjerimit si një ndër sukseset më të mëdha të tij, një sukses që në analizë të fundit do të garantohet vetëm përmes anëtarësimit të vendeve me stabilitet të brishtë të Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Lëvizja e fundit e Tiranës zyrtare vjen vetëm pak ditë pasi Bashkimi Evropian pranoi aplikimin për statusin e vendit kandidat fqinjët e Malit të Zi. Shqipërisë mund t’i duhet që të presë disa muaj përpara se Brukseli të vëzhgojë nëse mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit përputhet me standardet e BE-së. Duke përjashtuar të papriturat, të dy vendet do të duhet që të fillojnë së shpejti tregtinë e lirë me vendet e unionit si një hap ky që çel me pas negociatat për aderimin në bashkimin Evropian. Dhe e gjitha kjo është e mirëpritur: Brukseli duhet që të promovojë politikën e zgjerimit pikërisht në një kohë kur përballet me pengesa jo të vogla. Turqia dhe Kroacia, dy vendet që aktualisht ndodhet në negociatat e anëtarësimit, po hasin gjithashtu të njëjtat vështirësi. Në rastin e Turqisë, nuk ekziston një linjë e qartë politike e bashkimit Evropian çka ka shkaktuar një distancim nga ana e Ankarasë. Ndërsa me Kroacinë problem kryesor mbeten mosmarrëveshjet për çështjen e vijës kufitare më Slloveninë, një çështje kjo për të cilën Lubljana po bllokon progresin e Zagrebit
në këtë proces. Vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor, Serbia, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova, të gjitha këto përballen me mjaft sfida përpara se të fillojnë negociatat për aderimin në union. Serbia duhet që të arrestojë dhe dorëzojë në Hagë Ratko Mlladiçin, gjeneralin serb të Bosnjës që akuzohet për gjenocid gjatë kohës
së luftës në këtë vend; Bosnja duhet që të demonstrojë me shumë kohezion midis komuniteteve të ndryshme etnike; Maqedonia duhet që të zgjidhë sa më parë çështjen e emrit të saj me Greqinë; ndërsa Kosova nga ana e saj lipset që të fitojë një njohje më të madhe ndërkombëtare. Të gjitha kandidatet potenciale për në BE, veçanërisht Shqipëria duhet që të bëjnë më shumë përpjekje për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo betejë nuk do të jetë e lehtë, megjithatë do të ishte akoma më e rëndë nëse kjo ajo do të zhvillohej pa perspektivën e anëtarësimit në një të ardhme jo shumë të largët në Bashkimin Evropian. Ndërkohë BE duhet që të vendosë rregull në shtëpinë e saj. Traktati i Lisbonës duhet që të fitojë mbështetjen e irlandezë në referendumin që do të përsëritet këtë vit atje. Në të kundërt nuk do të mund që të ketë ndonjë “vendbanim legal”për anëtarët e rinj përveç Kroacisë. Nga Bashkimi Evropian kërkohet veç të tjerash
që të ndryshojë opinionin publik në lidhje me integrimin e Ballkanit në union. Ky zgjerim i ri duhet që të ndërmerret në emër të përfitime që ka sjellë zgjerimi i madh i unionit në vitet 2004-2007 dhe jo efekteve që kriza ekonomike globale ka sjellë tek vendet që rrethojnë BE. Është një fushatë e vështirë në kulmin e një krize ekonomike botërore Megjithatë nuk duket të jetë e pamundur. Ballkani Perëndimor ka vuajtur nga luftërat në ish-Jugosllavi edhe për faj të BE. Ndaj përgatitja e rajonit për integrimin në union është rruga e vetme e arsyeshme për të përfunduar me sukses punën e nisur për garantimin e një stabiliteti dhe zhvillimi afatgjatë.