“Mblodhëm çdo vit një miliardë dollarë, që shkonin në xhepat e socialistëve”

Nënkryetari i PD-së Astrit Patozi
TIRANE - Në takimin me banorë të komunës Paskuqan në Tiranë, nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi u ndal tek arritjet e qeverisë në katër vitet e mandatit të saj. Duke i quajtur argumentet e opozitës dhe kryetarit të saj Edi Rama jashtë realitetit që po prekin çdo ditë shqiptarët, Patozi tha se mbajtja e premtimeve është një tregues i qartë i diferencës mes dy kampeve politike.
“Premtuam luftën kundër korrupsionit dhe për shkak të goditjes së këtij fenomeni arritëm të mbledhim çdo vit 1 miliard dollarë më shumë dhe që më parë zhdukeshin në xhepat e socialistëve”, u shpreh Patozi.
Ai theksoi se në mandatin e dytë, qeverisja e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj do të ketë si prioritet ndërtimin e infrastrukturës rurale.