E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendra për Studime Evropiane në Poloni njihet me ambicien e Shqipërisë, për t’u shndërruar në superfuqi energjetike në rajon

TIRANE - Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Varshavë për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore Evropiane, mbajti një fjalë në punimet e panelit të organizuar nga Qendra për Studime Evropiane, me tematikë; potencialet dhe perspektiva ekonomike e sektorit të energjisë. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha foli për hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të shfrytëzuar potencialet e mëdha të vendit në fushën e energjisë dhe për perspektivën e investimeve dhe përdorimit të burimeve energjetike.
Të pranishmit përgëzuan kryeministrin Berisha për politikat e ndjekura nga qeveria shqiptare nën drejtimin e tij,veçanërisht kohët e fundit, për sa i përket diversifikimit të burimeve të energjisë, në projektet për një infrastrukturë të re dhe moderne energjetike, për vizionin e qeverisë shqiptare për projektet rajonale të fushën e energjisë, si dhe për projektet për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha që ka Shqipëria,si dhe për synimin e qeverisë për ta kthyer vendin në një superfuqi të vogël energjetike në rajon, duke shfrytëzuar këto potenciale dhe pozicionin gjeografik të Shqipërisë. Drejtori i Qendrës për Studime Evropiane, Tom Hahnen vlerësoi se në Shqipëri ka një situatë impresionuese zhvillimi vitet e fundit dhe për këtë, ai përgëzoi kryeministrin Berisha për hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, nën drejtimin e tij.
Hahman shprehu bindjen se shumë shpejt Shqipëria do të kthehet në një vend eksportues për energjinë, ndërsa theksoi e arritjet e suksesshme të reformave të qeverisë janë inkurajuese për të gjithë.
Duke folur mbi situatën energjetike dhe projekteve në këtë fushë, kryeministri Berisha u shpreh se një nga qëllimet kryesore të qeverisë shqiptare është diversifikimi i burimeve të energjisë, i cili është një potencial shumë i madh. Një tjetër qëllim gjithashtu është eficenca e energjisë, që është shumë e domosdoshme për suksesin në projektet në këtë fushë. Kryeministri tha se çështja e energjisë ka qenë një nga prioritetet e qeverisë që me ardhjen e tij në pushtet në vitin 2005 dhe vazhdon të mbetet i tillë. Duke iu referuar situatës në qeverisjet e mëparshme, Kryeministri theksoi se Shqipëria ka qenë një vend ku praktikohej ndërprerja e energjisë në masë, si një dënim kolektiv për qytetarët vendit. Në këtë kontekst, Kryeministri nënvizoi se mbetet i vendosur në mendimin se çmimi më i lartë i energjisë elektrike është mungesa e saj.
Kryeministri tha se puna në këtë drejtim tashmë ka nisur dhe rezultatet e para e kanë ndërruar situatën, veçanërisht për sa u përket sistemit të lidhjeve të interkonjeksionit. Ai përmendi këtu disa projekte si; lidhjen e re të interkonjeksionit me Malin e Zi, që është duke përfunduar, licencimin e 2 lidhjeve nënujore, etj. Në një hark të shkurtër kohor, kemi licencuar dhe kemi përmbyllur marrëveshje koncensionare me 47 stacione hidrobauer, ku njëri prej tyre është nga më të mëdhenjtë në Evropë, që  do të realizohet nga një kompani austriake dhe norvegjeze, tha kreu i qeverisë Berisha.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin zëvendësministri dhe ministri i Financave të Finlandës, Jynti Kasainen, zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, njëkohësisht anëtar i Komitetit për Industrinë dhe Kërkimin Shkencor  dhe Energjinë, Alerjo Dizal – Quadras, Ministri i Jashtëm dhe i Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Gordan Jandrokovic, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›