E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI: Kisha ka nevojë për purifikim

Papa Benedikti XVI, teksa ka përkujtuar vitin e tretë të vendosjes së tij në postin më të lartë të Kishës Katolike, i bëri thirrje Kishës Katolike Amerikane që të tejkalonte ndarjet, të kërkonte purifikim dhe besim për ecje përpara, pavarësisht skandaleve të abuzimeve seksuale, të cilat kanë prekur rëndë reputacionin e saj vitet e fundit. Dje, për Benediktin ishte dita e parafundit e vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe po dje ai kreu një meshë solemne në Katedralen njujorkeze të Shën Patrikut, kishës gotike të ndërtuar në vitin 1879 me paratë e emigrantëve dhe e njohur në vend si qendra e katolicizmit amerikan. Në katedrale, ai u prit nga kryebashkiaku i Nju-Jorkut, Blumberg. Mesha reflektoi përzierjen etnike të vetë Nju-Jorkut me lutje, të cilat u bënë në anglisht, spanjisht, portugalisht, kinezçe dhe gjermanisht. Edhe gjatë meshës për të pestën ditë radhazi, Papa foli për çështjen e abuzimeve seksuale të disa klerikëve që i ka kushtuar kishës një dëm prej 2 miliardë dollarësh. Ai kritikoi ndarjet që ekzistojnë në gjirin e katolikëve mes njerëzve të moshave, profesioneve e sekseve të ndryshme. Sipas tij, kisha është unitet dhe kërkon unitet, sepse vetëm kështu mund të qëndrojë gjallë shpresa. Benedikti 81-vjeçar, gjatë vizitës së tij në Uashington, takoi edhe viktimat e abuzimeve seksuale nga ana e priftërinjve dhe përmendi edhe njëherë moton e tij se është më mirë që kisha të ketë priftërinj të mirë sesa priftërinj me shumicë. Sipas gazetës "New York Times", kardinali Uilliam Levada, që e ka zëvendësuar Benediktin si shefi i zyrës së doktrinës, ka sugjeruar që kisha të ndryshojë disa kufizime të statutit të saj, në mënyrë që të dëgjojë më shumë në lidhje me rastet e abuzimeve. Papa u përpoq gjatë vizitës së tij që t‘i bëjë thirrje shpirtit të Kishës që po përjeton një rënie për sa i përket prurjeve të priftërinjve të rinj. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, numri i priftërinjve katolikë llogaritet të jetë 41 mijë, ndërsa numri i besimtarëve katolikë është rritur në 45 milionë. Të shtunën, pas përfundimit të meshës së madhe, Papa mori pjesë në një miting, në të cilin morën pjesë rreth 22 mijë katolikë, përfshi edhe 300 seminaristë në Seminarin e Shën Jozefit në qytetin e Jonkerit, ku Papa u takua, gjithashtu, edhe me persona me aftësi të kufizuar fizike dhe mendore. Sot Papa pritet që të kryejë një vizitë në një nga pikat më të rëndësishme të Nju-Jorkut, pas sulmeve të 11 shtatorit, në të ashtuquajturin Toka O, vendin ku dikur ngriheshin kullat binjake. Më pas do të organizojë një meshë në stadiumin e Jankive.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›