Ambasadori pakistanez në TV: Më shpëtoni nga talebanët
Ambasadori pakistanez në Afganistan, i cili rezultonte i zhdukur që në muajin shkurt, më në fund është shfaqur në një video përmes së cilës ka deklaruar se mbahet peng nga talebanët. Përreth ambasadorit Tariq Azizuddin, ndodheshin persona të armatosur dhe videoja u transmetua nga televizioni "Al Arabia". Në fjalën e tij të shkurtër, diplomati i kërkoi qeverisë pakistaneze që të plotësonte kërkesat e bëra nga talebanët. Kjo është dalja dhe deklarata e parë publike e diplomatit që nga momenti i zhdukjes së tij në zonën kufitare mes të dyja vendeve gjatë rrugëtimit të tij për të shkuar në kryeqytetin afgan, Kabul. Muxhahedinët talebanë grabitën së bashku me ambasadorin edhe shoferin dhe truprojën e tij. Në apelin e tij drejtuar ambasadorëve në Iran dhe Kinë ai kërkoi plotësimin e kërkesave të bëra nga talebanët sa më shpejt që të ishte e mundur, në mënyrë që të gjitha pengjet të liroheshin e të mund të ktheheshin shëndoshë e mirë në shtëpi. Sipas një zëdhënësi të talebanëve, ata do ta shkëmbenin ambasadorin dhe personat e tjerë të zënë peng me një komandant taleban të kapur nga forcat e sigurimit pakistanez. Ministri i Jashtëm pakistanez, ndërkohë, tha se në videon e ambasadorit nuk përmendeshin kërkesat e talebanëve. Prej vitesh, shumë zona në rajonet kufitare të Afganistanit janë shndërruar në strehë të militantëve protalebanë dhe vetëm tre vitet e fundit numri i personave të huaj dhe vendas të grabitur nga talebanët është disa qindra. Rruga qendrore që kalon përmes dy kufijve Khyber Pass është rruga kryesore në të cilën kalojnë edhe furnizimet ushtarake dhe ushqimore për forcat amerikane dhe ato të NATO-s që ndodhen në Afganistan. Kësisoj, ajo është një nga zonat më të mbrojtura dhe të survejuara nga të gjitha palët, e megjithatë grabitjet dhe pengmarrjet janë një fenomen i zakonshëm.